Poezi nga
MAXHUN OSMANAJ

MOS

Mos u këndoftë asnjë këngë
Pa melodinë e qëndresës;
Mos u thurtë asnjë varg a rresht,
Në libra, në fletë a pergamenë
Pa frymën e shekullit ndriçues-kryengritës.
Se s’mund të gjëmojnë,
As të marrin frymë bjeshkët;
As zanat dhe dragonjtë e tokës se djegur
Nuk mund të rritën pa epikën e kullës-kala…
Mos të rritet as një lis a lule,
Pa farën e mbjellë në PREKAZ
Se legjenda mund të vdesë
Po t’i nënshtrohej historisë fatkobshme;
Ëndrra e shekuj s’do të prekej,
S’do ta vizitonte asnjë shpirt i shenjtë;
Asnjë qyqe kurrë mos të vajtojë…
Kënga e dragonjve kurrë s’do të pushojë,
Ata i dhanë shekullit dritë
Tokës, njerëzve jetë, dinjitet, dashuri…
LIRIA

Liria s’është dashnore,
As lavire që duhet dashur
Dhe duhet ndërruar çdo natë;
Liria është shenjtëreshë dhe hyjneshë.
Secili duhet mbrojtur me shenjtëri;
Është agimi, muzgu, drita, perëndimi,
Është hapi i parë dhe i mbramë;
Ëndrra, fryma, shtegtimi, ecja, prekja…
Ah, LIRIA!
Diell që na ngroh,
Na përcjell deri në përjetësi.
Është kënga që duam ta dëgjojmë
Të gjithë, deri në pakufi;
Oh, Liria, është ëndrra që e shohim,
E prekim, e puthim
Dhe na puth gjithnjë!

DIALOG ME LIRINË

E pashë rrugëve të historisë,
Shpejtonte dikah në rrugën e misionit;
Ndal të lutem, i thashë!
Mos më ik, mos më lë vetëm!
Të prita shekujve të tërë,
Me shpirtin e vrarë,
Me shpirtin e djegur;
Të dashurve të mi, s’ua di ende varret!
Loti i nënave pikon mbi tokën atërore…
Kafshoi buzët, mërmëriti diçka;
S’di a më uroi apo mallkoi hienat!
Ah, Liria, këto të gjitha i di
Po ata më mua janë vetë Përjetësi…