Poeti Faslli Haliti (lindur më 5 dhjetor 1935 dhe ndarë nga jeta më 16 tetor 2020) më ka pas pëlqyer që në krye të herës. Në përgjithësi poezitë e tij janë fabula që të mbeten në mëndje. Sidoqë janë të ndërtuara me vargje të harrakatura, magjinë poetike ato ta sjellin aq qartë e aq bukur. Poezitë e tij të detyrojnë të meditosh. Sepse, sa të fshikullojnë, aq edhe të trokasin në ndërgjegje. Lexojeni këtë poezi të Tij, të dashur miq, dhe me të ndjerin Faslli do të mund të futeni në një “bashkëbisedim” për një hall shumë të madh që i ka zënë jo pak shqiptarë.

Dhimitër Shtëmbari

Me autobusin e poezisë sime

Drejtpërsëdrejti
po ngjisja majën e Drejtësisë.
Dikush më pa,
qeshi
dhe tha:
Ngjitet drejtpërsëdrejti maja e Drejtësisë?!
Bjeri
zigzag,
me kthesa,
anës, anës,
siç i bie autobusi
Qafës së Thanës.
E dëgjova dhe unë
dhe qesha:
Do ta ngjis, i thashë,
pa kthesa.

VISAR ZHITI: Faslli Haliti, mecenati shpirtëror i brezave të rinj
Poeti Faslli Haliti mbetet i veçantë, origjinal, i drejtpërdrejtë, me një veshtrim kritik si askush tjetër në poezinë bashkëkohere shqipe. Ai u bë dhe mecenati shpirtëror i brezave të rinj të artistëve lushnjarë në poezi e pikturë… Të kujtosh Faslli Halitin, është homazh atij dhe nderim i kujtesës kolektive, kulturë e qytetit tonë…