Libri I 28-të – “DIBRA DHE DIBRAMËT NË PANTEONIN E VLERAVE”
BESIM NDREGJONI
Libri me të njëjtin titull, si i këtij shkrimi, i autorit Halil Rama, që u promovua të shtunën më 12 prill 2025 në prezencën e qindra përfaqësuesve të komunitetit dibran dhe jodibran në Tiranë, është një enciklopedi me vlera, sepse nëpërmjet jetëshkrimeve të letrarizuara bukur dhe këndshëm të 70 personaliteteve të njohura dibrane, që nga epoka skënderbegiane e deri në ditët e sotme përcjell jehonën e figurave historike që kanë lënë gjurmë në memorien kombëtare. Personalisht ndjehem i privilegjuar që Halil Rama më ka bërë pjesë të kësaj vepre enciklopedike me 6 kapituj në 446 faqe, si “Emblema e disidencës shqiptare” (titulli i profilit tim në këtë libër), por në këtë shkrim, nuk është kjo ndalesa ime e radhës.
Ashtu si folësit në promovimin e këtij libri, si rektori i Kolegjit Universitar të Biznesit, prof. dr. Ylber Bezo, gjeneralmajor Manushaqe Shehu, Tatjana Parllaku, prof. dr. Fejzlla Gjabri, studiuesja e letërsisë Emrie Krosi e ndonjë tjetër, dua të evidentoj këtë sipërmarrje të vështirë, plot rreziqe e me risk të Halil Ramës, pasi pesha specifike e personazheve të librit të tij është e madhe. Por, Halil Rama ia ka dalë me sukses si një nga shkrimtarët lëvrues e gërmues, që përtej paragjykimeve e ngjyrave politike, ka vënë në dukje dukuritë më të mira dibrane dhe shqiptare. Veçanërisht dua të falënderoj recensentin e librit, prof. as dr. Bernard Zotaj, që ashtu si në parathënien e shkruar prej tij me dashuri e profesionalizëm, edhe në këtë promovim evidentoi rolin e Halil Ramës si shkrimtar e publicist, i cili në këtë vepër (libri i tij i 28-të) ka operuar me parametra historikë, patriotik, estetik, artistik e kumtor dhe ka pëlqyer stilin e ligjërimit publicistik.
Kjo sipas tij për faktin se nëpërmjet një studimi të tillë, të thelluar, autori dritëson ngjarje, bëma dhe një qëndresë epike të mjaft figurave patriotike dibrane si Dine Hoxha filozof popullor; Ahmet Fetah Cami, atdhetari në dy luftëra botërore; Emin Cibaku, dëshmor i rënë në betejën e Kolesjanit; Harun Domi, patriotit që pruri Abetaren në Kalis e Kala të Dodës, Edip Daci, ushtaraku që refuzoi betimin fashist dhe u persekutua nga regjimi komunist, Hamit Koçi, intelektualit patriot i Vajkalit që me gjithë kontributin, u persekutua nga regjimi i diktaturës; Artan Cuku, dëshmor i demokracisë; Adem Islam Hoxha nga Çidhna, që tregoi heroizëm të pashoq kundra monarko fashistëve grekë në provokacionet e gushtit 1949.
Dinastia e vëllezërve Keta nga Bulqiza, kampionë bote në kikboks etj.. Në të njëjtën linjë, edhe gjeneralmajor Manushaqe Shehu, e vetmja grua shqiptare me këtë gradë madhore, (në këtë veprimtari promovuese mbresëlënëse të moderuar me mjeshtri të rrallë artistike nga regjisori dhe aktori i talentuar Llesh Nikolla – “Mjeshtër i Madh”), vlerësoi shtrirjen në hapësirë dhe kohë të këtij autori, duke sjellë nëpërmjet personazheve fakte dhe ngjarje historike të panjohura, të trevave që ato u përkasin, që nga Kalaja e Dodës, Lura, Zall Dardha, Muhurri, Katër Grykët, Sohodolli, Golloborda, Okshtuni e Bulqiza. “Dibra dhe dibranët në panteonin e vlerave” është një libër racional, emocional, dokumentar, arkivor që ia vlen të lexohet dhe të pasurojë bibliotekat tona. Padyshim që pjesa e portretizimit për një shkrimtar e gazetar është testi i saktë i profesionalizmit të tij. Këtë test Halil Rama e ka kaluar me sukses, tashmë sepse ashtu si në 28 librat që ka botuar e promovuar, edhe në këtë vepër ai na sjell mjaft personazhe të spikatur, të njohur e të panjohur shumë për publikun e gjerë dibran e jodibran. Kufiri kohor që ai ka marrë është të paktën 600 vjet më parë, që nga epoka skënderbegiane, nga e cila studiuesi i zellshëm Fatos Daci na argumenton origjinën dibrane të kryeheroit tonë, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Sinën, si vendlindje të tij, e deri te personaliteti i Dine Hoxhës, i njohur si filozofi popullor në oborrin mbretëror. Po ashtu, na befason me përshkrimin brilant të jetës dhe veprës së kompozitorit të madh dibran Muharrem Xhediku etj.. Është gjë e bukur se optika z. Rama përfshin personalitete të moshave e profesioneve të ndryshme si: Edip Daci, Harun Domi, Gani Strazimiri, Hazis Ndreu – Nderi i Kombit, Skënder Cala (ikonë e artit dhe kulturës sonë kombëtare), dr. Sali Kurti, Muharrem Gjoka, Bujar Pata, Osman Miha, Shpëtim Cami, Musa Riçku, Lahim Kola, që të mbeten në mendje me detajet që ai ka dhënë për jetën dhe veprën e tyre. Ndaj mua s’më mbetet gjë tjetër veçse ta uroj këtë shkrimtar mjaft produktiv e cilësor, të na sjellë kësisoj libra të tjerë në të ardhmen./Gazeta Panorama