Organizatat e Veteranëve duhet të përqëndrohen në misionin e tyre patriotik, larg preferencave personale politike

Nga Maksim VINÇANI*
Nënkryetar i OBVL

Të nderuar miq!
I ngarkuar nga Kryesia e OBVL, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës, ndodhem sot këtu për t’iu përcjellë përshëndetjet e përzemërta dhe vëllazërore të anëtarëve tanë (veteranë, pasardhës e dashamirës) me rastin e ceremonisë së përkujtimit të 66-vjetorit të krijimit të Organizatës tuaj! Ju urojmë të gjithë anëtarëve të OVP të LANÇ “Nderi i Kombit” festën e tyre, duke besuar në kontributin e mëtejshëm për lartësimin e vlerave të Luftrave të Popullit tonë për liri.
Gjithashtu, si vëllezër e patriotë, ju urojmë shëndet dhe gëzime në familjet tuaja!
Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ “Nderi i Kombit” (Fillimisht Organizata e Veteranëve të Luftës e të Punës) u themelua në vitin 1957. Mbas ndryshimit të sistemit politik, si rezultat i mundësive që dha kriteri demokratik i të shprehurit lirshm, midis veteranëve, pati diskutime deri në mosdakortësi për qëndrime të caktuara, gjë që solli si rezultat që një grup veteranësh, ish partizanë, personalitete të spikatura të LANÇ, në vitin 1994, morën nisiativën dhe formuan një organizatë tjetër të veteranëve, OBVL.
E përbashkëta midis dy organizatave ka qënë, është dhe do mbetet vlerësimi, përkujtimi dhe promovimi i LANÇ; nderimi i dëshmorëve, i pjesëmarrësve në forcat e armatosura, i protagonistëve si dhe familjeve që ndihmuan për atë Luftë.
OBVL dëshiron që në vlerësimin e historisë së LANÇ të përqëndrohemi në promovimin e asaj, se Çfarë heroizmi e vetmohimi është në gjëndje të bëjë populli ynë kur e thërret zëri i Atdheut.
Duke iu dhënë kështu brezave një mesazh të qartë krenarije për sakrificat dhe arritjet e Ushtrisë Partizane, që nëse e do përsëri situata, populli patriot do ta përsërisi sa herë të jetë nevoja; por asnjëherë si instrument për vendosjen e një rendi në shërbim të instalimit të ndonjë ideologjie, apo për objektiva politike; por vetëm për mbrojtjen e trojeve nga pushtues të huaj.
Gjithashtu, OBVL mendon se janë krijuar kushtet që të rishkruhet me vërtetësi shkencore
Historia e LANÇ, ashtu siÇ ka ndodhur. Nderkohë OBVL vlerëson që Organizatat e Veteranëve duhet të përqëndrohen në misionin e tyre patriotik, larg preferencave personale politike. Në fakt, kemi shumë për të thënë midis nesh, por jo në këtë rast, sepse kodi i mikpritjes nënkupton respektin ndaj mikut të ftuar, nga njëra anë dhe nga tjetra mysafiri duhet të njohë dhe të ruajë disa kufij në shtëpinë e mikut. Ne shpresojmë, bile ngulim këmbë që aktivitetet tona të jenë të përbashkëta në organizimet që bëjnë Bashkitë (sigurisht duke ruajtur disa kritere).
Së fundi urojmë që Organizatat tona t’i kalojnë paragjykimet dhe të bashkohen në Nismën e Federatës Shqiptare të Veteranëve, tashmë të krijuar nga OBVL dhe org. e Veteranëve të Kosovës, duke ruajtur secila Org. autonominë e saj por duke bashkërenditur organizimin për aktivitete të caktuara. Në këtë mënyrë, do të zgjerohet fasha e objektit, qoftë në teritor që të ketë vërtet karakter Kombëta, qoftë në kohë, që nga krijimi i Shtetit Shqiptar e deri më sot. Kështu do t’iu lemë pasardhësve amanetin që të jenë të bashkuar në mbrojtjen e vlerave patriotike të Shqiptarëve, duke vënë në plan të parë interesat atdhetare para interesave të tjera. Ju falenderojmë për ftesën! Ju urojmë vazhdim të mbarë!

*Përshëndetje e Kryesisë së OBVL-së për 66 Vjetorin e OVP të LANÇ “Nderi i Kombit”,
Tiranë, 20 Korrik 2023