Ne krenohemi me Ju që në rrugëtimin historik të shtetit shqiptar, keni dhënë kontribute të shumta e të çmuara, për të cilat populli shqiptar Ju është përjetë mirënjohës.

    Tatjana PARLLAKU ÇARKAXHIU

    Me 14 dhjetor 2024, Instituti i Studimit të Historisë Ushtarake organizoi sesionin jubilar për jetën dhe veprën e Dr.Alfred Moisut – ish President i RSH. Në këtë event të rëndësishëm që u organizua në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, ishin të ftuar edhe drejtuesit e OBVLP: Kryetarja Tatjana Parllaku Çarkaxhiu, Sekretari i Përgjithshëm Halil Rama, nënkryetarët Muharrem Gjoka e Mirjana Ohri dhe sekretaret Mimoza Kurti dhe Rajmonda Maleçka.

    Pas ekzekutimit të hymnit kombëtar dhe fjalës së hapjes nga Prof.dr.asoc. berndar Zottaj, sipas programit u mbajtën kumtesat:

    1. -“Alfred Moisiu burrë shteti dhe figurë e shquar e politikës shqiptare”, nga Akademik, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi;
    2. -“Alfred Moisiu, jeta dhe karriera e pasur e një ushtaraku dinitoz e të talentuar”, nga Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj;
    3. -“Alfred Moisiu dhe Familja e tij në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”, nga Sali Onuzi;
    4. -“Alfred Moisiu, pasardhës i një Familjeje të shquar atdhetare dhe kulturore”, nga Botues libri, Mehmet Gëzhilli;
    5. -“Alfred Moisiu, pesonalitet i shquar i shkencës ushtarake dhe i ndërtimeve xheniere”, nga Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi;
    6. -“Alfred Moisiu, në fletët e arkivit të Forcave të Armatosura”, nga Prof. Asoc. Dr. Teki Kurti;
    7. -“Alfred Mosiu, për problemet e sigurisë dhe mbrojtjes”, nga Skënder Bajraktari,  Ish këshilltar për sigurinë dhe mbrojtjen në Presidencë….

    Në emër të Kryesisë së OBVLP, përshëndeti kryetarja Tatjana Parllaku sh Çarkaxhiu, ndërsa i dorëzoi mesazhin e urimit Presidentin Moisiu, në të cilin shkruhet: 

                           I dashur President Moisiu!

    Në emër të kryesisë së OBVLP dhe në emrin tonë personal, kemi kënaqësinë t’ju urojmë përzemërsisht ditëlindjen tuaj të 95-të.

    Emri dhe personaliteti juaj është i lidhur ngushtësisht me organizatën tonë, si bashkëthemelues i saj në korrikun e vitit 1994, me grupin prej 64 personaliteteve politike të respektuara që kishin qenë drejtues të reparteve partizane, ministra, zv/ministra e deputetë, siç ishin: Dr. Ymer Dishnica, gjeneralët Rrahman Parllaku, Nexhip Vinçani, Sadik Bekteshi  e Muhamet Prodani, si dhe Skënder Malindi, Edip Ohri, Kiço Ngjela, Manol Konomi, Fadil Paçrami, Maqo Çomo dhe Ernest Jakova; luftëtaret e shquara, drejtuese në luftë e aktiviste të OBVL: Selfixhe Broja(Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Liri Belishova, Vera Ngjela (Pojani) e disa të tjera, por fatkeqësisht të dënuara nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.

    Pikërisht, në emër të këtyre personaliteteve, kur politika shqiptare përjetonte krizën e rëndë pas manipulimit të zgjedhjeve parlamenatre të vitit 2001 dhe komuniteti ndërkombëtar kërkonte zgjidhje opurtune, gjeneral Parllaku, Liri Belishova, Skënder Malindi e Edip Ohri, duke vlerësuar rolin dhe kontributin në historinë e Shqipërisë, propozuan emrin tuaj për president konsensual. Dhe ju me vizionin tuaj perëndimor dhe përkushtimin e rrallë ndaj popullit e atdheut, keni hyrë në histori si burrë i rrallë shteti që e drejtuat atë suksesshëm dhe më mirë se të gjithë presidentët e derisotëm.

    Dhe më tej, në vlerësim të rolit dhe kontributit tuaj historik, në Kuvendin e saj të 9-të kombëtar që u mbajt këtë vit me rastin e 30 vjetorit të krijimit, organizata jonë ju zgjodhi President Nderi.

    Ne krenohemi me Ju që në rrugëtimin historik të shtetit shqiptar, keni dhënë kontribute të shumta e të çmuara, për të cilat populli shqiptar Ju është përjetë mirënjohës.

    Mesazhet që përcjellin vepra dhe kontributi juaj kanë emrin KRENARI. Krenaria ka nevojë për një truall, për një shtrat që rritet…E pikërisht në këtë shtrat keni ecur ju në rrugëtim tuaj të gjatë, me vizionin tuaj bashkëkohor, i përshtatur mirë me kohërat, si ushtarak dhe  intelektual i mirëformuar dhe i zoti, që keni çarë në jetë me mençuri e sakrifica.

    Ndaj dhe jeni e do të mbeteni shembull frymëzimi për shqiptarët kudo që ndodhen.

    Në këtë ditëlindje tuajën jubilare ju përcjellim urimet më të përzemërta.

    Zoti ju bekoftë dhe ju dhëntë jetë sa më të gjatë….