Formacioni më i madh luftarak i UNÇSH në qarkun e Vlorës
Brigada e Pestë Sulmuese “Heroinë e Popullit” është formacioni më i madh luftarak i UNÇSH në qarkun e Vlorës, formuar mbi bazën e dy batalioneve partizane “Ismail Qemali” dhe “Halim Xhelo”, si dhe vullnetarëve të rinj që plotësonin radhët. Br.V S është një nga 27 brigadat e Ushtrisë së lavdishme NÇL. Vlen të theksojmë se efektivi i saj përbëhet nga bijtë e bijat më të mira të Vlorës e të Labërisë, luftëtarë të vjetër, ish-partizanë të Çetës “Plakë” të Vlorës, e të shumë njësive të tjera. Fillimisht kishte 3 batalione, me një efektiv të përgjithshëm prej 960 partizanësh. Me një organizim të tillë, Br.V S ishte formuar që më 28 nëntor 1943 në Gumenicë, madje ishte angazhuar në luftime për përballimin e operacionit nazist “Bergkessel” në luginën e Lumit të Vlorës, në dhjetor 1943, ku ra dhe komandanti i parë i Brigadës, Heroi i Popullit Abaz Shehu. Ajo u përurua më 20 janar 1944 në fushën e Bramyshnjës së Tërbaçit dhe përbënte një ngjarje me rëndësi të madhe politike-ushtarake. Më 20 janar 1944, Brigada u plotësua me 5 batalione me mbi 1200 partizanë, fillimisht secili me nga 3 kompani. Efektivi i përgjithshëm i Brigadës nga 1200 partizanë në Bramyshnjë, kur po nisej nga Novipazari më 15 mars 1945 numri efektiv i Brigadës arrin 3000 luftëtarë. Brigada kishte 5 batalione me nga 200-400 partizanë dhe në çdo batalion kishte 4 kompani me nga 40-80 vetë. Karakterizohej nga thellësia e veprimeve luftarake në drejtim 2300 km, me temp minimal e maksimal të marshimeve: 20-50 km në ditë, si dhe vazhdueshmëri të marshimeve të sforcuara 3-5 ditë.
Rruga luftarake e Br. V S, e betejave të saj të lavdishme, duket nga vetë luftimet e ashpra e të pandërprera që ajo zhvilloi prej skajeve jugperëndimore të Atdheut deri tek ato verilindore në Kukës e në Tropojë, në Gjakovë, në Prizren e në Drenicë të Kosovës, madje edhe përtej tyre, deri në Sanxhak e në Bosnjën Jugore. Lufimet e saj, si ato për thyerjen e operacioneve naziste në dimrin e viteve 1943-’44 në Zonën I Operative Vlorë-Gjirokastër, ato të Sevasterit, të Kuçit e të Borshit në mars e në prill të vitit 1944, të Çarshovës e Biovizhdës së Përmetit në maj, të Qafës së Gjarpërit e të Gurit të Prerë gjatë thyerjes së Mësymjes armike të Qershorit 1944; kalimi i Shkumbinit dhe luftimet në Shupal të Tiranës, në Macukull e Klos të Matit, në Sinë e Korab të Dibrës, në Lumë të Kukësit, në Gjakovë e Prizren dhe në malet me borë të Sanxhakut, do të kujtohen gjithnjë si beteja, ku është derdhur shumë gjak trimash të kësaj njësie partizane kundër një armiku të madh, të egër, të fuqishëm dhe të armatosur gjer në dhëmbë.
BRIGADA E GJASHTË I DHA ATDHEUT 203 DËSHMORË
Lavdi Brigadës së VI-të Sulmuese, e cila me kontributin e saj të vyer në luftën për çlirimin e atdheut u quajt “Heroinë e Popullit” . Brigada e 6-Sulmuese u krijua në Përmet më 26 janar 1944 në kulmin e operacionit armik të dimrit.Ishte e para brigadë partizane në Qarkun e Gjirokastrës dhe në përbërjen e saj u rreshtuan batalione partizane të këtij qarku , të cilët ishin sprovuar në fushën e luftës dhe kishin fituar një përvojë të madhe.
Më 26 janar 1944, ditën e formimit u rreshtuan në Përmet batalioni “Asim Zeneli”, “Abaz Shehu”, “Naim Frashëri”, “Baba Abaz” e më vonë, kësaj brigade iu shtua edhe batalioni V “Zaho Koka” me djem e vajza nga bregdeti. Në ditët e formimit, brigada kishte 912 partizanë, 120 shoqe, 60 pionerë.
Në kohën e krijimit të brigadës ishin këta kuadro: komandant brigade-Tahir Kadareja, nënkomandant-Jaho Gjoliku, komisar-Mustafa Mato-hiti, zëvendëskomisar-Haki Toska. Në seksionin politik shokët Adil Çarçani, Zihni Sako, Sami Gjebero, Siri Çarçani, Vangjelo Sotiriadhi, itedentë të brigadës-Hetem Pogaçe e ndihmës Braho Toto, për shëndetësinë-Nedin Kalanxhi, (ndihmësmjek), për ndërlidhjen-Muhedin Bakiri; komandant batalionesh: – Riza Veipi, Sadik Buzo, Fejzo Ismaili, Feti Bubsi e më vonë, komandant i batalioni V- Maksut Myrtaj, si dhe nënkomandantë batalionesh: -Astrit Nishani, Musa Daci, Mustafa Asllani, Meleq Gostinishti, zëvendëskomisar batalionesh-Ago Çeli, Veledin Zeneli, Abdul Hakiu, Mitro Xhani, Asaf Dragoti, Petrit Radovicka etj. Luftëtarët e brigadës ishin të armatosur me armë të ndryshme trofè, që ia kishin rrëmbyer armikut. Efektivi kishte 595 pushkë italiane, 80 pushkë gjermane, 41 pushkë greke si dhe disa pushkë angleze, automatikë italianë e gjermanë, mitralozë të lehtë e të rëndë, 16 murtaja të lehta 45 mm, dy topa 45 mm dhe dy topa 75/13. Gjithashtu, në brigadë ishte dhe bateria e artilerisë.
Ajo përshkoi një rrugë të gjatë luftarake ku dhanë jetën 203 dëshmorë nga të cilët 10 heronj të popullit. Sakrificat e saj ishin të panumërta, kontributi i saj ishte i madh në clirimin e disa qyteteve dhe krahinave të vendit. Në luftimet e zhvilluara spikati gjithmonë guximi dhe trimëria. Rruga luftarake e saj ishte e lavdishme dhe heroike.
Sot pas 81 vjetësh në përkujtim të kësaj dite historike me krenari shprehim respektin dhe mirënjohjen për të gjithë ata që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme për lirinë e vendit. Kjo ditë ishte zanafilla e realizimit të shumë ëndrravë për atdheun tonë me sakrificat e së djeshmes dhe punën e sotme për të ecur përpara në rrugën e progresit dhe zhvillimit duke u përpjekur për të bërë më të mirën për qytetin tonë dhe të ardhmen e tij europiane. Natyrisht duke vazhduar të kujtojmë me respekt të gjithë ata që e deshën atdheun aq shumë duke dhënë jetën për të.