Poet me vokacion të plotë që i këndon me një sinqeritet befasues ëndrrës njerëzore

MEVLUD BUCI

  • Si veteran i fjalës Kadri Tarelli (njëherësh nënkryetar i Degës OBVLP Durrës) është një njohës i sprovuar i saj. Kjo se ai ka kohë që merret me fjalën në mënyrë intensive. Ai është poet i motiveve të llojllojshme nga ato të thjeshtat që inspirohen nga përditshmëria e njeriut deri tek socialet apo ato kombëtare

Krijimtaria e Kadri Tarellit spikat me artikujt e tij publicistikë, të kritës letrare dhe të poezisë.

Lirikat e tij janë të larmishme, plot ngrohtësi dhe dashuri për njerëzit. Midis lirikave të Kadriut do të gjejmë edhe fabula interesante të cilat të bëjnë për vete me mendimin e mprehtë. Këto përshtypje m`u krijuan ndërsa lexoja librin e tij të fundit me poezi “Vjeshta në Vargje”, një botim i përkorë me lirika të bukura plot ndjesi dhe vërtetësi.

Duhet thënë se Kadri Tarelli është poet me vokacion njerëzor të plotë ku ai i këndon me një sinqeritet befasues ëndrrës njerëzore dhe besimit se kjo ëndërr ndodhet tek ҫdo njeri dhe që duhet ndjerë e besuar si e tillë kur e shikon të sendërtuar në marrëdhënie midis njerëzve,në fjalët, sjelljet gjykimet e tj.

Është meritë e autorit që në ҫdo poezi, sipër saj ka vënë nga një sentencë nga autorë të njohur dhe të duket se poezia më poshtë është zbërthim i saj, por nuk ndodh kështu ndërsa lexon poezinë Poezia vjen si bashkëshoqërim, si paralele e sentencës më lart, vjen si frymë me një mendim të thukët.

Përtyp fjalët nëpër dhëmbë,

Durrësi im ngjyer në gri;

Pse m`i lidh duar dhe këmbë,

Nuk jam  plak, kam gjak të ri….”

Poeti është nga Devolli, por Durrësi është vendlindja e tij e dytë. Marrëdhëniet shpirtërore me këtë qytet duken gjithandej, te njerëzit, e sidomos te peizazhet e këtij qyteti të mrekullueshëm bregdetar. Këto marrëdhënie shprehen me detin, qytetin e lashtë, rrugët e rrugicat ku autori me penelin e shpirtit vizaton pamje intime plot bukuri dhe finesë.

“Më ngazëllen vala tërbuar,

Dal në breg e do të pres,

Jam durrsak i qetë i shtruar,

Miqtë e vjetër përshëndes….”

Vargje të tilla dhe të tjera të kësaj natyre vërshojnë me një temporitëm tërheqës plot ndjesi dhe vërtetësi të ndjenjës ku përshkruhet jeta dhe uni poetik i autorit vendoset me një vetëbesim dhe dashuri midis njerëzve.

Në poezitë e Tarellit peizazhi merr një vlerë të veҫantë dhe poeti është njohës i tij, njohës deri në detaje. Këto element të peizazhit ai i merr i transfiguron, i përthith dhe i shtrin në indet e një poezie lirike dhe ndiesore.

« Era tund balluket si kallinjtë e grurit,

Fustanin me lule mbi kupë të gjurit…”

Ose:

“Vija-vija deti i ndarë,

Pasyrë thyer veshur në gri..”.

Elementë të tillë të peizazhit mund të gjejmë  në tërësinë e vëllimit të Tarellit të cilat tregojnë se poeti është një vizatues i hollë i peizazhit dhe i gjendjeve të caktuara shpirtërore të cilat interferojnë përmes mendimeve të shumta të poetit dhe krijojnë hapësira për ide të reja e këndvështrime të shumta me thekse ngjyrues emocionalë.

Aty këtu spikat ndonjë lirikë dashurie ku autori e vizaton portretin e femrës në një gjendje fisnike:

« Ngjyra jote fton sytë e bletës,

Mbi petale buza të ulet ;

Unë e hap portën e jetës,

Përmbi buzë buza të ngulet… »

Si veteran i fjalës Kadri Tarelli (njehrësh nënkryetar i Degës OBVLP Durrës) është një njohës i sprovuar i saj. Kjo se ai ka kohë që merret me fjalën në mënyrë intensive. Ai është poet i motiveve të llojllojshme nga ato të thjeshtat që inspirohen nga përditshmëria e njeriut deri tek socialet apo ato kombëtare. Këto motive ai i trajton me një varg të rrjedhshëm plot ëmbëlsi e me kadenca të rregullta të mbështetura ndonjëherë në folklore me një bukuri të veҫantë.