Shpendi dhe Spartak Topollaj energjitë e tyre fizike e shpirtërore ia kanë kushtuar atdheut dhe popullit

Nikolla SUDAR*

  “Njerëzit e mirë, – thotë një fjalë e urtë, – janë zbukurimi i vërtetë i jetës”. Por kur njerëzve të tillë Perëndia u jep edhe talentin, atëherë i ngre ata në majat më të larta.

Në çdo epokë të shoqërisë njerëzore ata janë vlerësuar dhe kanë fituar edhe përjetësinë. Sapo lexova kushtimin e shkrimtarit dhe mikut tim të vjetër, z. Kadri Tarelli, kushtuar njërit prej krijuesve më të arrirë në letërsinë e sotme shqipe, shkrimtarit të shquar dhe mbi të gjitha “njeriut të mrekullueshëm”, z. SHPENDI TOPOLLAJ, si për prodhimtarinë bollshme, por sidomos për atë tematikë të larmishme dhe tepër cilësore, që sot, më tepër se kurrë, ka nevojë shoqëria shqiptare.

     Shpendi Topollaj u lind më 1947. Babai i tij, veterani, juristi dhe shkrimtari Hulësi Topollaj, ishte nga Novosela e Kolonjës, kurse e ëma Hatiqeja, ishte nga fisi i dëgjuar për atdhetari i Agallinjve në Vlorë. Me të përfunduar shkollën shtatëvjeçare, nis studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, të cilën e mbaron në vitin 1964. Më tej vazhdon shkollën e Bashkuar të Oficerëve, dhe në vitin 1966 titullohet oficer këmbësorie dhe ëmërohet në Durrës si komandant batalioni. Por duke qënë se i ati i tij goditet rëndë, si bashkëpunëtor i “grupit puçist të Petrit Dumës”, ndëshkohet me pretekstin se ka lexuar një libër me kritika letrare të prof. dr. Rexhep Qosjes dhe degdiset në një repart të largët, ku qëndron i harruar për rreth njëzet vjet. Ndërkohë ai kryen fakultetin juridik, por iu përkushtua me pasion edhe letërsisë, artit, historisë etj. Me gjithë vështirësitë e njohura, Shpendi ishte nga të parët kuadro të ushtrisë që mbështeti me entuziazëm proceset demokratike në vend. Duke parë aftësitë e spikatura të tij i jepet grada nënkolonel dhe emërohet shef i Mbrojtjes Civile të rrethit të Durrësit. Pas largimit nga ushtria, caktohet në detyrën e Shefit të Seksionit të Mbrojtjes Shoqërore në Këshillin e Rrethit. Ai bëhet promotor i organizimit dhe zhvillimit të dhjetëra veprimtarive, kushtuar figurave të shquara, të goditura dhe lënë qëllimisht në hije apo të promovimit të krijimtarisë letrare të autorëve të ndryshëm, sidomos durrsakë. Mbas suprimimit të seksionit që drejtonte, kryen detyrën e Përmbaruesit gjyqësor, gjersa doli në pension.  

      Shpendi nuk ka reshtur së kryeri dhe detyrat shoqërore, si anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Durrës, aktivist i një sërë organizatash të tjera shoqërore, dhe është zgjedhur Ambasador i Paqes. Të panumërt janë ata që që flasin fjalët më të mira për këtë intelektuaë të vërtetë, që me përkushtimin ndaj njerëzve, për shpirtmadhësnië unikale, është shndërruar në simbol për të gjithë brezin tonë të sotëm. Në një bisedë private me “Nderin e Kombit”, të paharruarin gjeneral Rrahman Parllaku, simbol i ushtarakut të denjë shqiptar, ndër të tjera është shpreur:

      “Jeta me perepiceitë e papritur të saj më ka mësuar të njoh mirë njerëzit dhe në këtë drejtim nuk kam gabuar asnjëherë. Në mesin e miqve  të mi dinjitozë bën pjesë edhe fisniku model, Shpendi Topollaj, njeriu që me të vërtetë meriton vlerësimin më të lartë njerëzor. I dashur i thjeshtë, plot temperament dhe mbi të gjitha një optimist i rrallë, i gatshëm për çdo sakrificë, të tillë e njoh mikun tim të nderuar”.

       Pas viteve nëntëdhjetë ai fillon të shkruajë (për arsye biografike, i privuar nga diktatura si krjues për dekada me radhë,  do të shpërthente me të gjitha forcën gjenia krijuese e akumuluar e këtij intelektuali të mirëfilltë), që, sipas mendimit tim, është më prodhimtari cilësor në letërsinë e sotme bashkëkohore shqipe. Ai vazhdon të lëvrojë me sukses pothuajse të gjitha zhanret e letërsisë, si poezi, tregime, novela, romane, publicistikë, kritikë letrare etj. Qindra artikuj ka shkruar e botuar në shtypin e kohës, madje edhe pë problemet akute të kohës, gjë që e ka bërë të njohur kudo. Shumë nga librat dhe krijimet e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, janë botuar jashtë shtetit dhe janë vlerësuar shumë nga kritika e specializuar e lexuesit. Për të dhe krijimtarinë e tij, janë botuar librat voluminozë “Të shkruash në liri – Shpendi Topollaj: poeti, prozatori, kritiku, njeriu”, dhe “Liria e të shkruarit”. Ai është vlerësuar shumë lart për cilësitë e tij të rralla artistike, tematikën e zgjedhur dhe mesazhet që përcjell, nga penat tona më të njohura. Kritiku Kostaq Xoxa shkruan:

      “Autori i palodhur dhe i talentuar i letrave shqipe të kohës së pasdiktaturës, Shpendi Topollaj, të befason me prodhimtarinë e tij aq të shumëllojshme në gjinitë letrare më të larmishme: në poezitë, në tregimet, në novelat, dhe në romanet e tij; në kritikën letrare, në zbulimin, e thesareve të lashtësisë …”.

     Vlerësimi dinjitoz i ardhur nga India e largët i bën nder jo vetëm këtij krijuesi të rrallë, por gjithë letërsisë sonë bashkëkohore, duke e lartësuar akoma më tepër emrin e mirëtë Shqipërisë nëpër botë. Para pak kohësh Presidenti i Repunlikës e nderoi intelektualin e shquar Sh. Topollal me urdhëri “NAIM FRASHËRI” i artë.

      Në vazhdim të këtij vlerësimi e meriton që të përmendet me respektin më të madh edhe diplomati i shquar Spartak Topollaj, vëllai i z. Shpendi Topollaj. Ai u lind në Tiranë, në vitin 1950, ku edhe është diplomuar për histori- gjeografi. Gjatë karierës së mësuesisë ka punuar në gjimnazet e Peshkopisë e të Rrëshenit, në filialin e universitetit të Shkodrës dhe në universitetin e Artevenë Tiranë.

      Gjatë kthesës së madhe të viteve 90, u bë njëri nga iniciatorët e lëvizjes demokratike në Peshkopi. Ai është specializuar për histori moderne në Itali, Francë dhe SHBA. Aktiviteti i tij do të shkëlqente edhe në diplomaci si Shef i Misionit Diplomatik, Kryekonsull i Përgjithshëm në Milano deri më 2009 dhe më pas, deri më 2014, ambasador në Kajro – Egjipt. Të shumtë janë emigrantët shqiptarë, sidomos në Itali, të cilët flasin me simpatinë më të madhe për këtë diplomat të shkëlqyer, që aq shumë bëri për ta gjatë qëndrimit të tij në atë vend mik.

      Z. Spartak është zotërues i pesë gjuhëve të huaja. Edhe pas djales në pension ai ka vazhduar veprimtarinë si analist i politikës së jashtme të vendit dhe të asaj ndërkombëtare me botimet e shumta në organet qëndrore të shtypit. Madje mund të thuhet se sot është njëri nga analistët më të mirë dhe më objektivë në këtë drejtim. Në përvojën time të gjatë nuk kam ndeshur një analist të tillë me një bagazh të jashtëzakonshëm historik, me një kujtesë brilante dh mbi të gjitha, me një aftësi të rrallë të vlerësimit të ngjarjeve e të figurave të shquara si brenda edhe jasht vendit, që kanë bërë epokë. Në një takim të organizuar nga shtëpia botuse “Fan Noli”, kushtuar veprës madhore të Presidentit kinez Ji XhImping, në fjalën e tij, z. Spartak mahniti (e them pa superlativa) të gjithë auditorin për informacionin e gjithanshëm që dha, jo vetëm për Kinën, por sidomos për të gjithë ish drejtuesit e saj, saqë befasoi në kulm drejtuesit e Ambasadës Kineze në Tiranë.

       Ne, miqtë e tij, prej kohësh kemi insistuar që informacionin e jashtëzakonshëm në plan kombëtar dhe ndërkombëtar ta përmbedhë në një vëllim të veçantë, që që po përpiqet të na e plotësojë këtë dëshirë të madhe.

        Sikur të jetonin prindërit e këtyre intelektualëve fisnikë, sidomos babai, atdhetari i orëve të para, partizani i Gramozit, Hulësiu, që padrejtësisht u ndëshkua nga dktarura  më e egër në Europë, do të krenoheshin me të vërtetë për të dy këta bij të vërtetë të familjes Topollaj, që vazhdojnë të nderojnë veten, atdheun dhe miqtë e tyre, që i mbajnë si model të jetës së sotme shoqërore.

      Është fat i madh, që në këtë kohë krize të gjithanshme, të kesh miq të tillë dinjitozë  si vëllezërit Shpendi e Spartak Topollaj.

* Historian dhe përkthyes & “Mjeshtër i Madh”