Halil RAMA*

Në mesazhin që Kryetari i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasaradhësve të LANÇ të popullit shqiptar “Nderi i Kombit”, Prof. Dr. Hulusi Hako u drejtoi anëtarëve të kësaj organizate në vigjilje të 20 korrikut që njihet si “Dita e veteranit”, ndër të tjera shprehet për domosd0000000000oshmërinë e bashkëpunimit mes dy organizateve të veteranëve: OVP të LANÇ dhe OBVL. Profesori i mirënjohur Hako, i cili gjatë gjithë karrierës së tij është shquar për vizionin bashkëkohor dhe si mishërues dhe përçues i vlerave më të mira njerëzore dhe intelektuale e konsideron koninçidencë të bukur 66-vjetorin e OVP të LANÇ “Nderi i Kombit” me 29 vjetorin e themelimit të Organizatës tjetër si motër, OBVL-së.

Koincidencë e bukur këtë radhë është edhe 29 vjetori i themelimit të Organizatës tjetër si motër. OBVL-së. Ajo e nisi jetën e saj më 14 korrik 1994, një simotër me arritje të konsiderueshme. Gjejmë rastin ti shprehim urime për ditëlindjen dhe përgëzime vëllazërore.
E drejtuar nga personalitete historike të Luftës dhe persona publikë si Dr. Ymer Dishnica, Gjeneral Rrahman Perllaku, Kolonel Myfit Guxholli e në vazhdim, kjo Organizatë ka dhënë kontributin e saj të vyer në evokimin e vlerave dhe lavdisë së Epopesë së Madhe Kombëtare”, shkruan Prof.Hako në pikën 2 të këtij meszahi (faqja zyrtare në facebook e OVP të LANÇ, 14 korrik 2023). Më tej në pikën 3 të këtij mesazhi, duke u shprehur rreth idesë së artikullit “29 vjet OBVL” të Kryetarit Kolonel Sotir Budina se: “OBVL i bëri thirrje Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për bashkim…” (Gazeta Veterani, korrik 2023), Prof Hako ndër të tjera shkruan se: “Mbetemi gjithnjë me po atë ndjeshmëri të lartë dhe besnik të patundur të parimeve të pastra ndaj realizimit të këtij imperativi historik dhe jetik. Ç’të merremi me kushte e sugjerime të pjesshme, kur një rend shoqëror që nisi të ndërtohet me aq shumë mund e sakrifica, me entusiazmin e një populli të lirë e sovran, dështoi tërësisht për shkaqe të njohura! Asgjë s’na ndan e skemi ç’ndajmë, përveç atdhetarizmit të thellë, që përshkoi dhe mbeti tipari thelbësor i asaj Lufte….. Jemi dy Organizata Atdhetare me të njëjtën kauzë, objektiva dhe ideale të përbashkëta. Detajet dhe objeksionet për ngjarje e ndodhi le t’ia lëmë historianëve profesionistë.
Mjafton që të punojmë bashkërisht, pozitivisht. Se të gabuarit nuk i ndahet njeriut dhe mbarë njerëzimit historikisht, po nëpërmjet korrigjimit të garantohet progresi.
Prandaj, vënia në veprim e vullnetit atdhetar, përcaktimi i disa modaliteteve të thjeshta të afrimit, lidhjeve e bashkëpunimit midis të dy organizatave të LANÇ në veprimtari të përbashkëta, deri në orientimin e natyrshëm të zgjedhjeve në bazë e qendër për unifikim, do të pritej si një sihariq i madh nga mbarë populli dhe kremtimi i 80 vjetorit të Çlirimit të Atdheut do të bëhej sipas identitetit, vlerave e dinjitetit që i takon. Udhëhiqemi nga urtësua popullore:
Bashkimi bën fuqinë! Lulet kanë ngjyrë e aromë të qëndrueshme, shikimet dhe nuhatjet janë të ndryshme për hall dhe hesap të tyre. Kjo normë vepron si midis organizatave, ashtu dhe brenda secilës prej tyre. Kemi thënë ‘jemi organizatë pluraliste’ dhe kjo tregon e flet shumë. Po uniteti ynë i mendimit dhe i veprimit e ka fushën e vet të përcaktuar qartë dhe nuk lë shteg për ekuivok. Objektivat dhe motivet historiko-atdhetare tonat janë kaq përmbajtësore e të fuqishme, sa i kalojnë në plan të dytë ngjarje dhe faktet e veçanta. Po divergime mendimesh janë fakt i hidhur e lehtësisht të montueshme, jo vetëm midis dy organizatave homologe, po dhe brenda secilës prej tyre”…
Kryesia e OBVL përshëndet këtë qëndrim të ri të OVP të LANÇ “Nderi i Kombit”. Kjo për faktin se që në deklaratën e parë pas krijimit (27 korrik 1994) kryesia e organizatës sonë do të shprehej se: “Ne duam bashkim dhe angazhohemi totalisht për arritjen e tij mbi parimet e drejta të mirëkuptimit dhe tolerancës ashtu si na takon dhe si i nevojitet Shqipërisë.
Jemi të bindur se të bashkuar do të mbrojmë më mirë traditat luftarake dhe vlerat patriotike të LANC, që brezave t’u transmetojmë mesazhin se interesat e atdheut qëndrojnë mbi ato të partive politike, se ato janë të shenjta dhe mbrohen më mirë kur jemi të bashkuar”.

KOHA PËR KOMPROMISIN E SHUMËKËRKUAR
Kjo frymë e bashkëpunimit ka mbizotëruar pothuajse në veprimtarine e OBVL për afro tri dekada, që nga themelimi i saj. Kujtojmë me këtë rast se para tetë vitesh, Heroi i Popullit dhe Nderi i Kombit, Rrahman Parllaku, në emër të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar (OBVL) u drejtoi një promemorie krerëve më të lartë të shtetit (ish-Presidentit të RSH, Bujar Nishani, ish-kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, dhe Kryeministrit Edi Rama, si dhe kryetarëve të partive parlamentare, ku argumentonte domosdoshmërinë e unifikimit të qëndrimeve në funksion të integrimit euroatlantik të vendit.
Apeli i gjeneralit legjendë bëhej në një kohë kur klima politike në vend ishte tejet e tensionuar. “Në moshën time të thyer, (atëhere 97-vjeçare), përballë revanshit të nostalgjikëve të diktaturës komuniste dhe ekstremistëve pa fre të të dyja palëve, e ndjej si obligim t’ju bëj thirrje, që t’i riktheheni arsyes së shëndoshë, për të realizuar pajtimin kombëtar, aq shumë të dëshiruar nga shqiptarët e të gjitha kohërave”, shkruante gjeneral Parllaku në promemorien e tij para tetë vitesh.
Po ashtu anëtari i kryesisë së OBVL, shkrimtari i mirënjohur Shpendi Topollaj, njëherësh kryetar i Degës së OBVL të qarkut Durrës, në artikullin e botuar në gazetën “VETERANI” (Nr.3(393), Mars 2021, duke argumentuar domosdoshmërinë e bashk(pun)imit, ndër të tjera shkruan se: “Asgjë esenciale nuk i dallon programet dhe qëndrimet e këtyre dy organizatave në çështjet kardinale. Po ta shohësh në retrospektivë, dhe të analizosh të gjitha fjalimet, artikujt, librat dhe intervistat e tij, gjatë gjithë kohës që OBVL – në e drejtoi Heroi i Popullit dhe Nderi i Kombit, gjeneral Rrahman Parllaku, dhe në vazhdim të tjerët pas ndarjes së tij nga jeta, lehtësisht do të konstatohet krenaria për lavdinë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe veneracioni për të gjithë ata djem e vajza që trimërisht dhanë jetën për liri.
Të dyja gazetat “Veterani” dhe “Kushtrim brezash”, që këto organizata periodikisht nxjerrin apo të gjitha veprimtaritë përkujtimore që janë zhvilluar, kanë përkujtuar e glorifikuar me të drejtë të njëjtat beteja, po ato çeta, batalione, Brigada, Divizione e Korparmata, drejtuesit e tyre dhe po ata dëshmorë e heronj.
Të dyja organizatat, Luftën Nacionalçlirimtare e konsiderojnë më të lavdishmen pas atyre të Skënderbeut dhe manifestojnë respektin dhe vlerësimin më të madh për ndihmën e dhënë nga forcat aleate dhe rolin e rëndësishëm që ata luajtën në këtë luftë. Po ashtu, të dyja këto organizata, theksojnë sakrificat e jashtëzakonshme që bëri populli ynë gjatë kësaj lufte dhe kontributin e tij në fitoren përfundimtare. …Të dy organizatat përkrahën njëlloj luftën e UÇK – së. Tani lind pyetja se ku qëndron ajo që i ndan këto organizata? Te vlerësimi i figurës së Enver Hoxhës, te pozicioni i organizatave nacionaliste, ku kryesore qe Balli Kombëtar, te fati i komandantëve dhe komisarëve gjatë dhe pas lufte, te miqësia me jugosllavët dhe sovjetikët, te çështja e Kosovës apo te data e çlirimit. Të gjitha këto janë punë historianësh, sikurse edhe ne mund të diskutojmë gjatë, ashtu sikurse mund të ketë edhe mendime krejt të ndryshme. Se ato sjanë tjetër, veçse pasoja të zhvillimeve politike, ideologjike, sociale, ekonomike të brendshme dhe të jashtme, për të cilat askush nga ne nuk mund të fajësohet. Atdheun të gjithë e duam njësoj. Nuk duhet harruar se qysh atëherë, në botë, por edhe në Shqipëri ka rrjedhur shumë ujë; koha e gjatë që ka kaluar (se nuk janë pak afro tetëdhjetë vjet), ka qenë mëse e mjaftueshme, si për të krijuar sekush bindjen e tij, ashtu edhe për ta fashitur mospajtimin. Sot ne jemi miqësuar dhe kërkojmë të na pranojnë në aleanca shtetet dhe pinjollët e atyre që na sulmuan me avionë, tanke e topa, që na vranë, na dogjën e na plaçkitën, dhe nga ana tjetër i bëjmë karshillëk vëllezërve të të njëjtit gjak. A nuk tingëllon si paradoksale kjo? Si do na dukej sikur në Francë fjala vjen, ende të vazhdonin konfliktet dhe stigmatat midis zhirondinëve të moderuar dhe jakobinëve të Robespierit, paçka se këta e kishin përfunduar misionin qysh në fund të korrikut të vitit 1794? Për njerëzit e mençur nuk mund të vazhdohet në pafundësi kështu. Evropa i ka kapërcyer me kohë ndarjet e tilla. Mjaft me armiq imagjinarë. Ti shtrijmë dorën e miqësisë njëri – tjetrit. Dhe për këtë, mos duhet ta marrim ne së pari, mbrojtësit e vlerave të luftës famëmadhe Nacionalçlirimtare, nismën e mirëkuptimit, duke dhënë shembullin se fare mirë mund të jemi në unitet, edhe pse mund të kemi pikpamje jo të njëjta për çështje të veçanta? Duke i shkrirë në një të vetme dy organizatat e veteranëve të Luftës, a nuk do të qe një akti i madh fisnikërie e pajtimi kombëtar, një shërbim i vyer patriotik ndaj popullit e vendit tonë të shtrenjtë, kur ai ka kaq nevojë për dashuri e mirëkuptim? Dhe për një shembull. Mesa di, synimi për bashkim është fiksuar edhe në statutin e OBVL – së dhe i ndjeri dhe njerëzori Rrahman Parllaku e ka shprehur disa herë, gjë që sot mund ta marrim edhe si një amanet të tijin….”.
Po në këtë frymë është edhe përshëndetja që nënkryetari i OBVL Maksim Vinçani, në emër të kryesisë së kësaj organizate, i drejtoi OVP të LANÇ “Nderi i Kombit” në 66-vjetin e “Ditës së veteranit”, duke e konsideruar domosdoshmëri dhe imperativ të ditës realizimin e bashk(pun)imit mes dy organaizatave tona të veteranëve (Përshëndetje kjo që nuk u lexua në këtë ceremony nga të ftuarit, për shkak të vendimit të organizatorëve që të mos bëheshin përshëndetje).

BASHKIMI NË FEDERATËN SHQIPTARE TË VETERANËVE
Një vit e gjysëm më parë, Organizata e Bashkuar e Veteranëve (OBVL) dhe Organizata e Veteranëve të LANÇ të Kosovës, mbi bazën e një programi të përbashkët krijuan Federatën Shqiptare të Veteranëve të Luftrave për Liri e Pavarësi të popullit shqiptar.
Krijimi i Federatës Shqiptare të Veteranëve u finalizua me një aktivitet të rëndësishëm në kuadrin e 14-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Pas një pune intensive gati trevjeçare, OBVL të Shqipërisë, trashëguese e denjë e themeluesve dhe drejtuesve të saj: Dr.Ymer Dishnica – “Nderi i Kombit” e gjeneral Parllaku- “Hero i Popullit” dhe Organizata e Veteranëve të LANÇ të Kosovës, (që kishin finalizuar krijimin e Federatës Shqiptare të Veteraneve të Luftërave për Liri), ia dolën të realizojnë dhe promovojnë Filmin dokumentar: “FADIL HOXHA-ARKITEKT I KOSOVËS SË LIRË”.
Fokusi i kësaj Federate, në përbërje të së cilës janë Organizata e Veteranëve të LANÇ të Kosovës dhe OBVL të Shqipërisë, janë veprimtaritë e përbashkëta, me synim edukimin atdhetar të rinisë, nisur nga tradita shekullore e popullit shqiptar, nga përvoja dhe programet e Federatave Botërore e Europiane të Veteranëve, si dhe në pikëpamjet e përbashkëta programore, të fokusuara në organizimin e veprimtarive të përbashkëta për: mbrojtjen e vlerave historike të popullit tonë nëpër shekuj; evidentimin dhe promovimin e ngjarjeve dhe datave historike; përkujtimin e datave të kuvendeve historike shqiptare, si Kuvendi i Lezhës, Lidhja e Prizrenit, Pavarësia e Shqipërisë, 5 maji, Konferenca e Pezës, Konferenca e Bujanit, Pavarësia e Kosovës etj.
Po ashtu, Federata do të fokusohet në përkujtimin e ditëlindjeve jubilare të heronjve, dëshmorëve, prijësve e komandantëve legjendarë të luftërave të popullit tonë, për liri e pavarësi kombëtare si dhe në kontributin për progresin e demokracisë e konsolidimin e shtetit ligjor në dy shtetet tona: Shqipëri dhe Kosovë.
Pas miratimit të marrëveshjes për krijimin e Federatës Shqiptare të Veteranëve në kryesitë përkatëse, dy organizatat respektive u bënë ftesë publike për aderimin në të, edhe organizatave e shoqatave të tjera të veteranëve në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Është koha që kjo ftesë e refuzuar para një viti e gjysmë (ndonëse iu dërgua dorazi nga kryetari i OBVL, kolonel Sotir Budina) të pranohet nga nga Kryesia e OVP të LANÇ “Nderi i Kombit” dhe sëbashku, në kuadrin e kësaj Federate, ku secila ruan fizionominë dhe strukturat e saj, të planifikohen e realizohen veprimtari frytdhënëse gjatë vitit në vazhdim dhe sidomos vitin e ardhshëm që është viti i jubileut të lavdishëm të 80-vjetorit të çlirimit të atdheut tonë të dashur nga okupatori nazifashist dhe i 80-vjetorit të Konferencës historike të Bujanit, prograni i së cilës përcaktonte të drejtën e vetëvendosës së popullit Kosovar për bashkimin me Shqipërinë.

*Mjeshtër i Madh & Sekretar i Përgjithshëm i OBVL-së