Aty në Pezë njoha dhe u miqësova me Nako Spirun, me Mustafa Gjinishin, të cilët do t’i takoja përsëri për të fundit herë në Kongresin e Përmetit. U takova dhe u njohëm me Abaz Kupin, Kamber Qafmollën, Shyqyri Pezën, Aziz Camin etj, doemos dhe me Feta Butkën. Mlidheshim për bashkim si shqipëtarë dhe na dukej vërtet artificiale ndarja sipas ideologjisë, gjë që nuk e kishte kohën
Gjenaral Nexhip VINÇANI*

“Sipas orientimeve nga lart, nga Korça do të kishte katër delegatë: Ymer Dishnica si përfaqësues i PK, Nexhip Vinçani si përfaqësues i Rinisë Antifashiste, Pasho Kolaneci si përfaqësues i Nacionalistëve (i cili pëfundimisht nuk mori pjesë) dhe Feta Butka si përfaqësues i Nacionalistëve dhe “Grupit të Zjarrit”. Për Konferencën e Pezës ruaj disa kujtime të veçanta, sepse i ndoqa me vemendje dhe për më tepër ato ide përputheshin plotësisht, jo vetëm me idealet e mija, por dhe me pikpamjet e njerëzve ku unë isha mbështetur, të cilët ishin patriotë (jo komunistë) , kryesisht njerzit më në zë dhe më me influencë në fshatrat dhe krahinat e tyre. Ymeri kishte ditë që kishte shkuar në Tiranë dhe u muar me përgatitjen e materialeve të Konferencës, duke luajtur thuajse rolin kryesor si përfaqësues i PK. U nisa ilegalisht për në Tiranë. Disa nga të dhënat kryesore, për të cilat fola dhe raportova në atë Konferencë i kisha shënuar në rradhët e një fjalori të gjuhës italiane. I shoqëruar nga dy shokë të njësitit të Korçës dhe i maskuar me një pasaportë fallco udhëtuam me një makine “milecento”.
Në Tiranë takova Esat Dishnicën. Me një “pajton” dhe me dy shoqërues u nisëm që atë ditë për në Pezë. Pasi kaluam urën e Erzenit ju afruam një are me misër, shoqëruesit dhanë sinjalin dhe nga aty dolën tre të rinj, të cilët mbasi këmbyem parrullat, filluan të qeshin. Ishin tre shokë të mij të rinisë studenteske: Mahmut Agolli, Ernest Jakova e Abdi Mati, me të cilët u puthëm e u përqafuam. Mahmuti bile filloi me ato shakatë e tija: “qënke bërë i madh ndej nga Korça, ke ardhur delegat; ne jemi të thjeshtë, siç e sheh, roje!”… Me përjashtim të Ymer Dishnicës e Fetah Butkës, me të tjerët thuajse takohesha për herë të parë. Nuk është vendi të përshkruajmë zhvillimin e punës së Konferencës, se për ato është folur nga disa prej pjesëmarrësve. Shpesh të dhënat e sotme, nuk përputhen me ç’ka mund të kujtojë njëri ose tjetri, dikush duke i politizuar punët deri në ditët tona. Më saktë rreth tyre është shprehur në shtyp Ymer Dishnica, sigurisht përsa i kujtohet dhe e ka quajtur ai më të nevojëshme. Natyrisht Enver Hoxha asnjëherë nuk e zu në gojë emrin tim si delegat në këtë Konferencë, e pas tij dhe të tjerë; por për mua ka patur e ka rëndësi fakti, që ashtu siç kam thënë më sipër, për atë Kuvend Historik si Konferenca e Pezës, do të ruaj në kujtesën time aktin e një rëndësie madhore për kombin, pavarësisht kush ishte nismëtari, etj. Për të gjithë ne kishte shumë rëndësi gjetja e formulave të bashkimit dhe takimi e njohja me Myslim Pezën, aq i dëgjuar dhe i respektuar si luftëtar antifashist në gjithë Shqipërinë e jashtë saj. Me Ymerin, këmbyem mendime se si do të proçedonim në Korçë për të vënë sa më mirë në jetë mesazhin e Pezës “Bashkimin e popullit pa dallim feje, krahine dhe ideje”, në luftë të përbashkët kundër pushtuesit fashist për një Shqipëri të lirë e Demokratike… Natyrisht ishte e rëndësishme, jo vetëm njohja me babë Myslimin, e cila do të na shoqëronte gjatë gjithë luftës por edhe pas saj, që do të takoheshim disa herë, do shtroheshim në muhabet, do të thosha hapur, se ai nuk pyeste nëse i vinte mirë ose jo dikujt. Aty në Pezë njoha dhe u miqësova me Nako Spirun, me Mustafa Gjinishin, të cilët do t’i takoja përsëri për të fundit herë në Kongresin e Përmetit. U takova dhe u njohëm me Abaz Kupin, Kamber Qafmollën, Shyqyri Pezën, Aziz Camin etj, doemos dhe me Feta Butkën. Mlidheshim për bashkim si shqipëtarë dhe na dukej vërtet artificiale ndarja sipas ideologjisë, gjë që nuk e kishte kohën; kohën e kish “Bashkimi”, këtë kërkonte Shqipëria. Të krijohej përshtypja sikur me këta pjesëmarrës, ku do të kujtoj Myslim Pezën, Baba Fajën etj, sikur na kishte lindur një nënë, kishim nevojën e njëri tjetrit. Gjithënjë e më shumë më bënin përshtypje fjalët e Myslim Pezës me çiltërsinë, thjeshtësinë, sinqeritetin e tij, vendosmërinë dhe besimin në fitore. Megjithse pa arsim, të ngjallte respekt për llogjikën e fortë, gjykimet dhe mendimet e drejta… Si është folur edhe më sipër, në të gjithë krahinën e Korçës, por sidomos në Rëzë, Gorë, Fushë-Korçë, Mokër e Opar, ndërsa nuk kishim ngritur Këshillat NÇl në fshatra dhe krahina, kishim hedhur bazat për një punë të tillë. Megjithatë, gatishmëria që gjetëm mbas Pezës i kalonte parashikimet. Patëm vendosur bashkë me Ymerin, që punën do ta fillonim nga Vinçani, mbasi për këtë kishim sigurisht përgatitjet dhe mbështetjen më të madhe. Tashmë nuk ishte fjala për të mledhur një kuvend në fshehtësi e për të zgjedhur një këshillë, ishte fjala për një “Kuvend” të hapur legal me pjesëmarrës nga të gjitha krahët, ku do të merreshin vendime të rëndësishme, që do të kishin, dhe në fakt patën rëndësinë e një Kuvendi ndërkrahinor, i cili u realizua më 16 Shtator 1942.
Në Kuvend, ashtu siç pritej, hasëm në rezistencë, ku u ngrit dhe teza se fshati mund ta pësonte nga forcat armike, por në fund u bindën të gjithë. Nga kuvendi u zgjodh Këshilli NÇl i fshatit dhe u muarr vendimi për formimin e Çetës së armatosur të Rëzës dhe njësitin e armatosur të fshatit. Mbas dy ditësh formuam çetën në fjalë, ku u lexua dhe një rezolutë, përmbajtja e së cilës është e shkruar në historikun e fshatit Vinçan. Me Ymer Dishnicën, të nesërmen dhe të pasnesërmen, bëmë të njëjtën punë në Goskovë-Lart e në Polenë. Pas kësaj, Ymeri u largua për punë të tjera në Korçë, ndërsa unë, i shoqëruar nga Çeta e Gorës dhe Çeta e porsaformuar e Vinçanit, u muarrëm me Kuvendet në fshatrat e tjerë të Rrëzës e Fushës, ku bëhej zgjedhja e Këshillit, regjistrimi i efektivit të njësiteve dhe më kryesorja, solidarizimi me vendimet e Konferencës së Pezës. Ne hynim në fshat në krye të dy çetave që na shoqëronin me Flamurin Kombëtar në krye duke kënduar këngë patriotike. Në ato kohë, shoqërimi nga çetat e armatosura kishte shumë rëndësi sepse krijonte një atmosferë emocionale. Kjo punë vazhdoi në fshatrat e Gorës e Oparit, për të mos u ndalur më në gjithë krahinën… Intermexo: Që në vitin 1988, bashkë me Samiun (vëllai i N.), i kemi dërguar Institutit të Historisë vërejtjet tona lidhur me tekstin “Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare në Qarkun e Korçës”. Natyrisht është çensurimi envero-komunist që i ka penguar autorët të shprehen me vërtetësi e objektivitet, në ndonjë rast edhe nga njohuritë e kufizuara të autorëve, sidomos nën diktatin e atyre që thoshin: “Historinë do ta bëjmë si do Partia e jo si thonë dokumentet”. Ka ndonjë historian , bile dhe me tituj shkencorë, që kërkon t’i mbushi mëndjen lexuesve se në Shqipëri, por dhe në Gorë ka pasur Këshilla NÇl të ngritura para Konferencës së Pezës. Kështu sajohen “zgjedhje të Këshillave NÇl në fshatra të Gorës”, por nuk na thonë ku dhe kur u mlodhën zgjedhësit, kë zgjodhën etj; natyrisht këto nuk i thonë, sepse nuk ekzistojnë.
Pavarësisht se Këshillat, në periudhën që bëhet fjalë, nuk kane ekzistuar, “autorët shkencorë” duhet të kishin shkruar atë që është e vërtetë: Jo idetë komuniste, jo celulat e partisë në Gorë e Opar, por traditat patriotike, mbështetja në patriotë me influencë, jo doemos nga më të varfërit e të këputurit, por pa paragjykime klase shoqërore, pra Gorarët, Mokrarët, Oparakët, Fusharakët etj. kanë menduar çlirimin kombëtar por natyrisht dhe për një regjim demokratik që punon për të mirën e popullit. Mendojmë se ato celula partie që kanë mbajtur parasysh si kryesore luftën kundër pushtuesit për një Shqipëri të lirë e demokratike, jo luftën klasote revolucionare, i kanë kryer mirë detyrat ndaj Shqipërisë… Në thelb, LANÇ ka qënë një luftë atdhetare, një luftë për të fituar pavarësi kombëtare, e si e tillë, patriotizmi nuk është monopol as i të pasurve, as i të varfërve, është i të gjithëve. Tendenca për ta monopolizuar nga njëra klasë ose tjetër këtë gjë, nuk bën tjetër, veç dobëson frontin e përbashkët kombëtar duke e përçarë shoqërinë.
*Kujtime nga Konfereca e Pezës të Gjeneral Nexhip Vinçanit “Nderi i Kombit”, ish komandant i forcave të armatosura te Qarkut Korçë, komandant i Br. IVs, zv. Shef i Shtatmadhorisë, anëtar themelues i OBVL. Marrë nga libri “Vinçanët” me autor S.Vinçani dhe A.Kotini