Gjeneral Rrahman Parllaku ishte dhe do të mbetet një personalitet i madh i kombit shqiptar
Deri para 5 vjetësh Rrahman Parllaku ishte gjenerali i vetëm i gjallë i Luftës së Dytë Botërore, i cili e kaloi shekullin dhe arriti edhe vitin 2019, në shekullin 21. Ai do ishte një monument i gjallë i kremtimit të 80 vjetorit të Çlirimit të Atdheut sepse lindi, u rrit dhe mbeti patriot. Si për të vazhduar nderimin dhe respektimin e Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, për të cilën sakrifikoi rininë dhe rrezikoi jetën e tij si 70 mijë bij dhe bija të formacioneve partizane shqiptare, Ai u nda nga kjo jetë dhe u varros më 16 Shtator 2019, datën e mbajtjes së Konferencës së Pezës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të Luftës Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar
Kolonel Trifon LLUPO, Nënkryetar i OBVL
Pesë vjet më parë, më 15 Shtator 2019 pushoi së rrahuri zemra mëse 100 vjeçare e Gjeneral Lejtenant Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit.
Me jetën e tij prej më se një shekull, Ai i dha vendit shumë më tepër seç mori prej tij, me ndershmërinë, trimërinë, shpirtmadhësinë, përkushtimin, fisnikërinë, atdhedashurinë për mbarë trojet shqiptare, por edhe me pamjen fizike të një kreshniku që e karakterizonte.
Ai ishte dhe mbetet modeli i të gjitha vlerave dhe virtyteve të Kombit Shqiptar.
Duke qenë një personalitet me jetë të gjatë dhe me këto veti e virtyte, jeta e tij kaloi me shumë tallaze, por kurrë Ai nuk u përkul, por u qëndroi burrërisht, nuk e njohu kurrë ndonjëherë dekurajimin dhe demoralizimin.
Pra kuraja, durimi, shpirti i sakrificës dhe guximi ishin “armët”me të cilat Ai i përballoi tallazet e jetës tij pa u thyer asnjëherë, gjatë gjithë jetës së tij shekullore. Me këto “armë” Ai përballoi aksionet e Njësiteve guerile në Vlorë si dhe betejat luftarake me fashisto-nazistët deri në çlirimin e plotë vendit, ditë, të cilën ai e festoi në Kosovë sepse drejtonte luftimet si Komandant i Divizionit të V-të, në ish Jugosllavi, duke e rreshtuar e futur Shqipërinë në Frontin e madh të Aleancës Anglo-Sovjeto-Amerikane, në Luftën e Dytë Botërore.
Gjeneral Rrahmani, në çdo rrethanë që u ndodh edhe kur u godit poshtërsisht duke e mbyllur pas hekurave me 25 vjet burgim, kur doli nga burgu nuk predikoi kurrë hakmarrje, por Ai ka treguar një tolerancë të rrallë. Ai kur doli nga burgu i Burrelit, i ka takuar personalisht hetuesit e gjyqtarët që e dënuan, sepse Ai ishte i bindur në pafajësinë e vet dhe këta prokuror e gjykatës ishin urdhëruar nga partia, pra zbatonin urdhrin e partisë për dënimin e grupit të ashtuquajtur puçist në Ushtri. Këtë të vërtetë dhe fakt tashmë e ka bërë publik edhe Prokurori i Përgjithshëm i diktaturës komuniste Rrapi Mino, i cili në disa numra radhazi, në gazetën Panorama ka deklaruar se për Grupin puçist të Ushtrisë nuk kishte asnjë fakt e provë për tradhti ndaj Atdheut, por ishte gjyq politik. Me këto deklarime Rrapi Mino konfirmon Vendimin e drejtë të Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, kur Trupi gjykues dha vendimin për pafajësinë e plotë të Gjeneral Rrahmanit, duke ia kthyer të gjitha çka i ishin hequr: Titujt, Urdhëratë e Medaljet. Unë, që po shkruaj këto radhë për Gjeneral Rrahmanin, e kam njohur këtë Personalitet legjendar, që në vitin 1972, kur shërbeja në Drejtorinë e Zbulimit të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa Gjenerali ishte Zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura deri në Gusht të vitit 1974. Nga detyra që kisha në Drejtorinë e Zbulimit, me Gjeneralin takohesha çdo mëngjes sapo fillonim punën dhe ishte një fat i madh për mua që m’u dha mundësia të punojë edhe njëherë me këtë gjeneral, edhe më nga afër, si sekretar i OBVL, gjatë kohës që Gjeneral Rrahmani drejtoi për 20 vjet Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar.
Kushdo që ka punuar dhe e njohu nga afër Gjeneral Rrahmanin, shpesh është detyruar t’i bëj pyetjen vetes se a mund të ketë ndonjë 100 vjeçar në të gjithë globin, që të rrezatonte aq energji e freski intelektuale dhe kujtesë brilante, i cili me aftësi e njohuri poliedrike i jepte zgjidhje çdo problemi sado i vështirë dhe i koklavitur. Gjenerali konkludonte drejt sepse Ai i përmbahej një rregulli, të cilin e kishte bërë normë personale.
“Unë, – theksonte shpesh Gjenerali, kur intervistohej nga gazetar të ndryshëm për probleme dhe çështje nga më të ndryshmet, flas dhe gjykoj vetëm për ato ngjarje dhe problem që i kam parë dhe jetuar vetë dhe nuk flas dhe komentoj mbi bazën e të thënave apo të dëgjuara”.
Jeta dhe Veprimtaria e Gjeneral Rrahmanit i përket disa periudhave historike të Shqipërisë. Ajo përfshinë periudhën e Mbretërisë deri në vitin 1939, – Periudhën e Luftës Nacional Çlirimtare 1939-1944, Periudhën e diktaturës komuniste 1944-1990 dhe Periudhën e Demokracisë 1991-2019, ku në çdo periudhë historike të Shqipërisë dhe Kombit Shqiptar Ai ka dhënë kontributin e tij të vyer, duke i qëndruar dhe i shërbyer vetëm Popullit shqiptar dhe Kombit shqiptar.
Kur shprehem se Ai i ka shërbyer Kombit Shqiptar, kam parasysh se ai ishte një ndër 4 komandantët e njësive më të mëdha, gjatë Luftës Antifashistë Nacional Çlirimtare, pra ishte komandant i Divizionit të V-të, që zhvilloi luftimet jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë, në Kosovë e deri në Vishegrad,, duke ndjekur këmba-këmbës bishën naziste dhe duke kontribuar në çlirimin e popujve të Jugosllavisë.
Gjeneral Rrahman Parllaku ishte gjenerali i vetëm i gjallë i Luftës Dytë Botërore, i cili e kaloi shekullin dhe arriti edhe vitin 2019, në shekullin 21. Ai do ishte një monument i gjallë i kremtimit të 80 vjetorit të Çlirimit të Atdheut sepse Ai lindi, u rrit dhe mbeti patriot.
Si për të vazhduar nderimin dhe respektimin e Luftës Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar, për të cilën sakrifikoi rininë dhe rrezikoi jetën e tij si 70 mijë bij dhe bija të Formacioneve Partizane Shqiptare, u nda nga kjo jetë dhe u varros më 16 Shtator 2019, datën e mbajtjes së Konferencës së Pezës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të Luftës Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar.