Atdhédashuria, si lajtmotiv, edhe në gjashtë librat e tij të mëparshëm
Rrahman Avdi Dervishi vjen në këtë libër i skalitur me vijat e një portreti që për disa studjues dibranë, nuk ishte i panjohur, por jo i studiuar sa duhet, ashtu siç e meritonte, sepse ai ishte mjaft ndikues në rrjedhën e ngjarjeve, në të cilat kishte qenë ose inicues, ose inspirues, ose të dyja bashkë
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
Në këtë vit të jubileut të lavdishëm të 80-vjetorit të çlirimit të atdhetut nga okupatori nazifashist, evidentimi i luftëtarëve të lirisë (të të gjitha kohërave), është shërbimi më i mirë që i bëhet historisë sonë kombëtare.
Në këtë kuadër, shkrimtari tashmë i mirënjohur Hysen Dervishi, është një nga kontributorët shembullorë, vepra e të cilit mund t’i shërbejë (dhe duhet të konsiderohet) nga Komisioni i rishkrimit të Historisë pranë Akademisë së Shkencave.
Libri i 7-të, i këtij autori, me titullin sinjifikativ “LUFTËTARI I LIRISË” është një prurje interesante në fondin e letërsisë sonë dokumentare. Ndonëse në epiqendër të kësaj monografie është luftëtari dhe patrioti dibran Rrahman Avdi Dervishi, në tërësinë e saj gëlon historia e Dibrës, e shkruar përmes pushkës dhe mendjes së hollë, të cilat, siç shkruan autori në hyrje të librit, e veçojnë atë prej krahinave të tjera, si një zonë me tradita të veçanta.
Atdhédashuria, si lajmotiv i Hysen Dervishit edhe në gjashtë librat e tij të mëparshëm, (të botuar dhe promovuar bujshëm në harkun kohor të dy dekadave të fundit): “Krenaria”; “Dibra – zemra e kombit”, “Përmbledhje me poezi”, “Vjeshtë e përgjakur”, “Nostalgjia e vendlindjes” dhe në poemën homerike “Dibra – Zani i Shqipes”, tek “Luftëtari i lirisë”, vjen në përmasat biblike të kësaj vepre. Kjo për faktin se ajo e njeh lexuesin me “atdhetarë të shquar që u rritën dhe u kalitën me ndjenjat e patriotizmit përmes të famshmes ‘Oda e Dibrës’, e cila kaliti burra me nam e lavdi të madhe, si Elez Isufi, Suf Xhelili, Vehbi Dibra, Ismail Pasha, Seit Najdeni, Dine Hoxha, Llan Kaloshi, Mersim Dema, Sheh Mustafa, Sheh Sula, Iljas Pasha, Isuf Murrja, Cen Leka, Cen Daci, Mahmud Daci, Ramis Daci, Halil Daçi, Asllan Kaziu, Murat Kaloshi, Tush Lleshi, Sali Markja, Sal Demiri, Dan Cami, Shaban Cami, Hoxhë Buci, Avdi Dervishi, Lam Bruçi, Asllan Bushi, Shar Topalli, Bajram Hasa, Hoxhë Bodini, Shaban Xhaferri, Has Kalia, Ahmet Perhati, Jashar Lela, Llan Elezi, Mal Llani, Lik Abazi, Kurt Ag Kadiu, Zenel Vata, Kros Vata, Ahmet Koka, Ahmet Begu, Haxhi Lleshi, Dali Ndreu, Ahmet Cami, Nikollë Kaçorri, Selim Rusi, Shaqir Jegeni, Baftjar Doda, Aqif Lleshi, Esat Ndreu e shumë burra të tjerë, të cilët nën ndikimin e vazhdimësisë heroike të kryegjeneralit dibran, Elez Isufi, rrokën pushkët dhe iu prinë dibramëve në disa luftëra, kuvende, kryengritje, duke u bërë preludi i fitoreve të njëpasnjëshme për çlirimin dhe ruajtjen e kufijve të shenjtë”. (fq. 5-6).
MONOGRAFI QË I NGJAN NJË ESSEJE TË GJATË HISTORIKE
Ndonëse në tërësinë e saj kjo monografi i ngjan një esseje të gjatë për kuvendet e Dibrës, kongreset e saj, ngjarjet e rëndësishme historike të zhvilluara në zona të ndryshme, në fokusin e autorit është luftëtëtari e patrioti Rrahman Avdi Dervishi nga Lukani i Katër Grykëve të Dibrës.
Referuar gjeografisë historike si disiplinë fondamentale shkencore, Hysen Dervishi e trajton këtë personalitet dibran të integruar me faktorët kompleks dhe ngjarjet historike që ndikuan në formin e tij atdhetar e patriotik. Sepse ai i përket fisit Dervishi të Lukanit që gjithnjë është shquar për trimëri, besë, urtësi e mençuri, i përket njërës prej familjeve të këtij fisi të trashëguar nga breza që e provuan veten në beteja të përgjakshme dhe nuk u dorëzuan, nuk u gjunjëzuan. Në formimin e tij, pa dyshim që ka ndikuar i jati, Avdi Dervishi, i cili sëbashku me dy vëllezërit, Selmanin dhe Hysenin, e dhanë jetën për kombin dhe atdheun e shtrenjtë që e deshën më shumë se gjithshka.
“Avdi Dervishi u vra në Petrinë të Ohrit, duke lënë pas tij kullën historike, prej së cilës u renditën brezat e tjerë të revolucioneve popullore, dhe gruan e tij Mihanen, bija e Nuzajve të Shlliut dhe mbesa e Kokës në Macukull, bashkë me tre djemtë e tij Mehmetin, Rrahmanin dhe Seitin”, shkruan autori në këtë libër. (fq.62). Dhe jo pa qëllim veçon djalin e dytë të Avdiut, Rrahman Dervishin, i cili lindi në vitin 1908 dhe ishte vetëm 5 vjeç kur i vdiq babai nga pesë plagë të marra në tetor 1913 në betejën e famshme të Petrinës. Rrahmani do të burrërohej para kohe i frymëzuar jo vetëm nga vepra heroike e babait, por edhe nga gratë trimëresha të Dervishajve që: “së bashku me fëmijët e vegjël në shalën e kalit, morën rrugën e sprovës së madhe për në Prizren, ku prodhimi ishte si askund tjetër”. (fq. 65)
Libri monografik “Luftëtari i lirisë” i autorit Hysen Dervishi është shprehje më e mirë e ndëveprimit të kauzave patriotike të Rrahman Dervishit, me të cilat lidhet jo vetëm një pjesë e madhe e veprimtarisë së tij atdhetare, por edhe fati i jetës me atë të atdheut. Nga ky libër mësojmë se si luftëtari e patrioti dibran Rrahman Avdi Dervishi mbindërtoi gjithë formimin e tij intelektual e patriotik. Mbështetur në kauzën e lirisë.
SINTEZË TË DHËNASH E DËSHMISH MBI NJË PERSONALITET TË VEÇANTË
Libri monografik “Luftëtari i lirisë” është një sintezë të dhënash e dëshmish mbi një personalitet sa të veçantë, aq edhe kompleks, sa origjinal aq edhe kreativ, për nga natyra dhe energjia vepruese në rrethana e kohë të ndryshme. Rrahman Avdi Dervishi vjen në këtë libër i skalitur me vijat e një portreti që për disa studjues dibranë, nuk ishte i panjohur, por jo i studiuar sa duhet, ashtu siç e meritonte, sepse ai ishte mjaft ndikues në rrjedhën e ngjarjeve, në të cilat kishte qenë ose inicues, ose inspirues, ose të dyja bashkë.
Këtu nuk mungojnë të gjitha “stacionet” jetësore nëpër të cilat kishte kaluar Rr.Dervishi, që nga lindja më 1908 në fshatin Lukan e në vijimësi kur: “…në vitin 1920, ndonëse shumë i ri, u përball me betejat e burrërisë shqiptare kundër fashizmit Italian, duke parë me sytë e vet heroizmin e vlonjatëve, por edhe të burrave të Dibrës, si Lam Bruçi me shokët e vet, i cili u hodh i pari në llogoret e betejës dhe u plagos e lau me gjak ato telat me gjemba të heroit të Vlorës Selam Musai…”
Autori ka ndjekur hap pas hapi rrugëtimin e Rrahman Dervishit në kohë e hapësirë, duke filluar nga rinia e hershme e tij e deri në momentet e fundit të jetës (vdiq me 11.3.1981). Në këtë ecejake të gjatë, lexuesi arrin të shoh si në një shirit filmi zhvillimin dhe formimin e një personaliteti, i cili gjatë rrugëtimit jetësor do të bëhej protagonist i ngjarjeve historike. Kështu “Njësiti i parë partizan i Dibrës, i formuar në shtëpinë e Rrahman Avdi Dervishit në Lukan, nën udhëheqjen personale të Haxhi Lleshit, luajti një rol tepër të rëndësishëm në zgjimin dhe mobilizimin e popullit në luftën partizane”. (fq. 111).
Gjithësesi, profili jetësor i Rrahman Dervishit do të dilte i paplotë nëse autori nuk do të evidentonte besnikërinë e tij ndaj idealeve antifashite dhe patriotike, duke u rreshtuar në Çetën e Dibrës dhe më vonë në batalionin partizan, si pjesëmarrës në shumë luftime, duke mbetur përgjithnjë një figurë luftarake historike, besnike e çeshtjes kombëtare, që nga janai 1941 deri në nëntor 1944, kur u çlirua Shqipëria.
Nga ky libër mësojmë për veprimtarinë e tij të shtrirë në një hark të gjerë kohor, me një shtrirje të gjërë territoriale dhe një rrjet bashkëpunëtorësh, si përgjigje ndaj sfidave të kohës që veproi. Autori Hysen Dervishi e prezanton si të tillë këtë personazh historik edhe në vitet e pas çlirimit, kur Rrahmanii iu besuan dhe kreu me devotshmëri detyra shtetërore dhe shoqërore. Ai evidenton kontributin e Rrahman Dervishit për atdheun, vendlindjen, shoqërinë dhe familjen, zgjuarsinë e tij natyrale dhe vizionin për të ardhmen. E veçanata e këtij libri monografik është se autori, krahas portretizimit sa më besnik të figurës së Rrahman Dervishit, ka sjellur edhe një vështrim panoramik të historisë së krahinës prej nga vjen ai, Lukani i katër Grykëve të Dibrës, duke ofruar të dhëna të vlefshme trungut të tij familjar. Si i tillë, ky libër monografik, përveç që plotëson një boshllëk në tërësinë e informacioneve tona, ai i shërben edhe qëllimit të rishkrimit me vërtetësi të historisë, (ri)vlerësimit të personaliteteve të saj, process ky që i shërben kompletimit dhe sistemimit të të dhënave arkivore dhe vendosjen e tyre në një rrafsh studimi të paanshëm.
PAK RADHË PËR AUTORIN HYSEN DERVISHI
Referuar vlerësimit të analistit dhe poetit të mirënjohur Dukagjin Hata, shkrimtari Hysen Dervishi, edhe me këtë libër, vjen si një nga kërkuesit më të pasionuar të psikologjisë dhe shpirtit dibran, duke iu drejtuar vetëdijes kolektive të një populli me rrënjë të ngulura thellë në histori, i cili e shkroi sagën e fiseve krenare e të panështruara ndaj të huajve, në lëvoren e pemës vigane të kujtesës sonë. Me shtatë librat e tij ai zë vend të dinjitetshëm në fondin e artë të letërsisë shqipe. Kjo për faktin se firmën e Hysen Dervishit mbajnë monografi e poezi, portrete e analiza ku lëvrijnë ngjarje e personazhe të historisë sonë kombëtare. Ai ngre në piedestalin që meritojnë, jo vetëm personalitetet dibrane me rrezatim mbarëkombëtar në histori, që nga Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, origjinën dibrane të të cilit të mirëargumentuar nga shkrimtari Fatos Daci – Mjeshtër i Madh, më së fundi e deklaruan edhe autoritete zyrtare turke, Qemal Ataturku – strategu i madh i revolucionit xhonturk me origjinë nga Koxhaxhiku i Dibrës; Nikollë Kaçorri nga Krej Lura e Dibrës, filozof dhe politikan me prirje përparimtare – nënkryetar i qeverisë së Ismail Qemalit; Iljaz Pashë Dibra – Kryetar i Lidhjes shqiptare të Prizrenit, Dine Hoxha i Muhurrit të Dibrës, politikan dhe diplomat i shquar, këshilltar i Mbretit Zog dhe prijës e udhëheqës i kryengritjeve popullore kundra serbëve.., por edhe elitën krijuese dibrane me përfaqësues dinjitozë si Haki Stërmilli, Hazis Ndreu – Nderi i Kombit; Bujar Kapexhiu – Nderi i Kombit, Ahmet Prençi, ndër poetët e prozatorët dibranë, krijimtaria e të cilit vlerësohet krahas më të mirëve personalitete të letrave shqipe, ashtu si edhe akademik Shaban Sinani, Xhafer Martini, Agron Tufa e dhjetra te tjerë, që në fushën e letrave, artit e kulturës u lënë trashëgim brezave krijimtari letrare kaq shumë të vlerësuar.