E hënë, 24 korrik 2023 – Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thirri në një takim prefektët, kryetarët e bashkive si dhe drejtues të strukturave operacionale të Mbrojtjes Civile për të diskutuar në lidhje me masat për parandalimin e zjarreve gjatë sezonit të verës.
Ministri Peleshi kërkoi koordinim më të mirë të punës për përballimin e emergjencave në nivel vendor. Ai tha se Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kanë kapacitete operacionale në dispozicion dhe janë të gatshëm të ndërhyjnë sa herë që nevojitet, por emergjencat si zjarret duhen sinjalizuar dhe ndalur që në fazën fillestare për të shmangur kalimin në përmasa më të mëdha.
“Ne nuk jemi një vend pa kapacitete opreacionale. Kemi 1600 punonjës zjarrfikës në të gjithë vendin, 182 mjete zjarrfikëse, 80 autobute uji, kemi personelin dhe mjetet e FA që siç e dini që në çdo emergjencë janë në ballë të aksionit, të gjitha strukturat e policisë që janë në dispozicion dhe me të cilët punojnë shumë mirë, urgjencën shëndetësore, rrjetin e vullnetarëve, etj.“, – u shpreh z.Peleshi.
Sipas tij, që prej një viti Shqipëria ka edhe mbështetje shumë të madhe nga anëtarësimi me të drejta të plota në Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile. “Kjo do të thotë që nëse në të gjitha nivelet vendore e qendore shterojnë burimet, ne kemi edhe një suport nga ky mekanizëm që na ka funksionuar dhe është një nga më efiçentët. Teknologjia është shtuar. Kemi dronët për rikonjicionet, kemi dronët ‘Puma që janë vënë në punë nga viti i kaluar e që na japin informacion shumë të dobishëm dhe në kohë shumë të shpejtë. Gjithashtu edhe imazhet satelitore janë tani një ndihmë dhe një vlerë e shtuar.”, – u shpreh Peleshi.
Sipas këtyre të dhënave satelitore, ministri Peleshi tha se janë evidentuar 125 vatra zjarrit në muajt qershor-korrik, vatra të cilat janë menaxhuar shumë mirë nga njësitë vendore. Ndërkohë ai foli dhe pë masat ër situatën aktuale në dy vatrat aktive, në pyllin e fshatit Peshatn në Fier dhe fushën e mbetjeve në Vlorë. Peleshi vlerësoi punën e bërë vitet e fundit sa i përket monitorimit, vëzhgimit dhe reagimit ndaj emergjencave, por shtoi se ka disa bashki apo rajone, kur kjo nuk funksionon.