Një mal me këngë për luftërat e lirisë, një gjerdan me këngë lirike matjane, që janë të rralla për meloditë dhe vargjet e ndjera, pruri e përcolli viteve Feride Kurti. Në jetën tonë kënga e saj lirike ka vendin e pazëvendësueshëm, që na afron më shumë me sofrën, me të bukurën, me dashurinë, me lirinë e vetvetes. Ajo është motra e studiuesit të talentuar, arkeologut dhe etnologut Dilaver Kurti, ndërsa mbesa e saj Mimoza Kurti – Sekretare por Marrdhëdhëniet Publike të OBVLP po punon intensivisht për jetëzimin e trashëgimisë së tyre, në dokumentarë e veprimtari promovuese

NGA MEVLUD BUCI

Feride Ibrahim Kurti, u lind në Burrel, më 15 shkurt 1935 në një familje autoktone e fisit Kola.Talenti i saj ra në sy që në fëmijëri. Mes prirjeve të moshës ajo-zgjodhi këngën, edhe pse e re, pa i mbushur 10 vjeç. Duket se këtë e mori si ngacmim nga prindërit, Ibrahimi e Ishja dhe xhaxhai Sadiku, por më shumë nga gjyshi i saj, Kurti, i cili thoshte se interpretonte dhe këndonte me lauri e çifteli. Kënga e tërhoqi shumë dhe iu përkushtua tërësisht asaj. U ushqye me ajkën e këngës dhe i dha jetë asaj. Këngët  lirike “Cucë e bukur moj matjane”, “O florini i vogël”, “Rashë në shartashi” etj, u përhapën me shpejtësi në popull dhe u bënë të njohura, aq sa tërhoqën vemendjen dhe interesin e Radio Tiranës. Që nga viti 1968 ajo u bë ndër këngëtaret më të shquara në Mat e në mbarë Shqipërinë, duke pasuruar repertorin aktiv me mbi 60  këngë nga më të bukurat, siç janë: “Cucë e bukur moj  matjane”, “Rashë në shartashi”, “Ditë korriku 31 ,” O florini i vogël”, “A e mban mend o e vogël-o, “Liqeni i Ulzës ” “Më shkon rrugës porsi era”, “Kur fillon dielli me ra”, “Lufton Mati për liri”, “Moj ushtria popullore”, këngë kushtuar Vasil Laçit etj.

Më  2 shtator 2023, kur isha në veprimtarinë “Pena Budiane”, më mbeti peng sesi nuk munda të them dy fjalë për të. Ajo është motra e studiuesit të talentuar, arkeologut dhe etnologut Dilaver Kurti, ndërsa mbesa e saj Mimoza Kurti – Sekretare për Marrëdhëniet Publike të OBVLP po punon intensivisht për jetëzimin e trasheginmisë së tyre, në dokumentarë e veprimtari promovuese.

Të shkruash për këtë artiste nuk është e lehtë pasi ajo ka lënë gjurmë të pashlyera në artin e këngës.Edhe pse është ndarë nga jeta pak kohë më parë kënga e saj nuk ndahet nga zemrat e njerëzve dhe emri i saj gjithashtu.

Feridja bashkë me vëllezërit dhe me motrat,me fisin e saj, ka lënë plot visare në fushë të artit dhe të kulturës.Ajo kishte zërin e kthjellët e të ngrohtë,pasionin e madh dhe të gjitha këto i bëjnë këngët e saj lirike mbresëlënëse.

Që më 1966, ajo u bë një këngëtare e njohur lirike në Mat e në mbarë Shqipërinë. Dhe aktiviteti i saj artistik vijoi duke e pasuruar repertorin me mbi 60 këngë.Duke qenë e preferuara e veprimtarive artistike që zhvilloheshin atëhere në Mat e në treva të tjera të Shqipërisë,Feride Kurti arriti të imponohej si zë i rrallë i këngës popullore.

Kompozitorët e njohur si: Skënder Frashëri,Munir Shehu,Naim Gjoshi,Skënder Alia,Ymer Neli,Xhevat Lishi, Shefqet Merra, i besuan asaj kompozimet e tyre duke e zgjedhur si këngëtare që arrinte të realizonte më bukur krijimet.Sukseset e ansamblit “Mati” në festivalet folklorike kombëtare janë të lidhura edhe me emrin e aktivitetin e saj artistik,ndërsa repertori i  këngëve të saj është në fondin e artë të Radio Tiranës,Radio Prishtinës,Të Radio Kukësit,Radio Korçës e Radio Gjirokastrës.

Nuk është e rastit as fakt i panjohur që ajo është cilësuar “Princeshë e këngës matjane”,një cilësim i merituar për këtë artiste aq të dashur.Ajo ishte një artiste që e këndonte këngën duke bërë një punë profesionale me të,që dinte ta interpretonte mjeshtërisht dhe natyrshëm.

Kujtimet për të nuk kanë mbarim nga artistë dhe ata që e kanë njohur këtë këngëtare zë-bilbil.Kolë Ndreka e Ymer Neli(Artist i Merituar e Mjeshtër i Madh) flasin me nderim për të,nderim që  ajo e mori sa ishte në jetë nga një publik anë e kënd trojeve shqiptare.

Kënga e saj përcjell flladin e Luginës së Matit,rrjedhën e lumit Mat,epikën e malit të Dejës,kohën që jetoi dhe kohërat ,me tekste të thjeshta e të bukura,me meloditë gurgulluese duke emocionuar artdashësit dhe duke shtuar një perlë në gjerdanin e artit të popullit e të artit të këngës me nivel profesional.Si  mbesë e Kadiut në fshatin Fshat të Klosit,si një cucë matjane e rritur në hapësirën e lirisë të kësaj natyre të bukur,zëri i saj u bë mishërim i asaj çka kishte më të bukur kjo natyrë.

Kënga e Feride Kurtit nuk vdes kurrë

Kënga e Feride Kurtit nuk vdes kurrë. Ajo erdhi në tribunën e këngës, kur për këngën shqiptarët kishin shumë uri. Ishte vajza e parë matjane, që merrte atë guxim. Kishte ambicien, që në tempullin e këngës të barazohej me burrat, për të dëshmuar bukurinë dhe fuqinë e zërit të femrës, që njëherësh përfaqëson nënën, motrën, gruan, shqiptaren. Shpërtheu shpirti i saj, zëri që gjer atëherë na kishte munguar. Paralajmëronte ai zë mbërritjen e këngëtares që do ta bënte më të njohur Matin në gjithë Shqipërinë e do të çonte në këmbë qindra e mijëra njerëz në Kalanë e Gjirokastrës, në Pallatin e Kulturës të kryeqytetit, në fshatra e qytete, anembanë vendit. Një mal me këngë për luftërat e lirisë, një gjerdan me këngë lirike matjane, që janë të rralla për meloditë dhe vargjet e ndjera, pruri e përcolli viteve Feride Kurti.

Ajo na bëri më të bindur se në jetën tonë kënga lirike ka vendin e pazëvendësueshëm, që na afron më shumë me sofrën, me të bukurën, me dashurinë, me lirinë e vetvetes. “Çaheshin” radiot kur këndonte Feride Kurti këngën “Cucë e bukur moj matjane”, “A e mban mend e vogëlo”, “Valëzat e Liqenit”, “Ndalu mbret se k’tu s’asht Roma” dhe mbi 60 këngë të tjera që ruhen në fondin e artë të Radio Tiranës dhe TVSH-së. Jeta për Feride Kurtin ishte kënga. Ndryshe ajo nuk do të bëhej aq e kërkuar në katër anët e vendit, madje edhe jashtë atdheut. Do të vinte një ekip nga Radio Televizioni i Prishtinës, të qëndronte disa ditë në Burrel për të regjistruar këngën e Feride Kurtit kushtuar Heroit të Popullit Vasil Laçi dhe disa këngë të tjera folklorike. Ferideja sakrifikonte për këngën, jo në emër të emrit të saj, por për të përfaqësuar Matin në aktivitetet e rëndësishme kombëtare.

Feride Kurti mbetet një nga perlat e këngës popullore të Matit

Feride Kurti i përket plejadës së këngëtarëve, të cilët me këngët e bukura të tyre, plot kuptim e jetë i bënin shqiptarët ta donin jetën dhe të shpresonin për ditë më të mira. Shumica e rinisë shqiptare e asaj të Kosovës e asaj kohe u rriten me këngët e kësaj plejade, të cilat ishin plot gjallëri e jetë. Këngët e kësaj plejade e ishin himne për ne. Feridja, me zërin e saj brilant bëri për vete dëgjues të të gjitha krahinave shqiptare, në jug e në veri.

Feride Kurti mbetet një nga perlat e këngës popullore të Matit.

Artisti i madh, matjan, Ymeri Neli, në kujtimet e tij, për Feriden thotë:

* 1968 Hera e parë që festivali folklorik kombëtar zhvillohej në Gjirokastër. Këtu Ferideja u paraqit me “Këngë kushtuar Shkurte Skurës”, krijim i Sabri Alisë.

* Një nga ato ditë të festivalit ne shkuam në qytetin e Delvinës për të dhënë një shfaqje. Lokali ku ne jepnim shfaqjen ishte mbushur plot. Në momentin kur filloi të këndojë Ferideja, ata që ishin jashtë thyen xhamat duke u futur nga dritaret për të parë nga afër Feriden kur këndonte. Në orët e vona të natës na shpuan gomat e autobuzit që të mos largoheshim nga Delvina.

Kjo ishte Feridja … zëri i saj brilant pëlqehej gjithandej në trojet shqiptare…