Nexhbedin Basha

Me datë 26 korrik 2024, në ambjentet e Bibliotekës së Akademisë së Shkencave, Tiranë u mbajt Akademia Solemne me rastin e 30 vjetorit të krijimit të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ dhe Pasardhësve.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë anëtarë të OBVLP, akademistë, gazetarë, historianë dhe pasardhës të veteranëve të LANÇL. Me këtë rast u prezantua dhe u promovua librin “30 VJET OBVL, HISTORI SUKSESI”, i bashkëautorëve Halil Rama dhe Sakip Cami, të cilët pas shtatë monografive të botuara në harkun kohor të 15 viteve, vijnë për lexuesin me këtë enciklopedi, me portrete të më shumë se 100 personaliteteve të shquara, ish komandantë e drejtues të LANÇ, Ushtrisë shqiptare dhe OBVLP. Pas fjalës së hapjes nga shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Halil Rama, pjesëmarrësit ndoqën me interesim të veçantë dokumentarin e përgatitur mjaftë mirë artistikisht nga Sekretarja e Marrëdhënieve me Punlikun e kësaj organizate, znj.Mimoza Kurti. Në këtë dokumentar, përveç vlerave të librit, evidentohej më së miri aktiviteti i organizatës dhe personalitetet e saj.
Ishte iniciativa e dhjetra miqve të botës akademike, letrave e publicistikës, politikanë e ushtarakë që i mbijetuan sistemit të diktaturës, të cilët me 27 korrik të vitit 1994, me shumë vështirësi, themeluan 30 vjet më parë Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të LANÇL (OBVL) dhe Pasardhësve. Në grupin e themeluesve prej 64 personalitetesh të ndritura të historisë sonë kombëtare, gjeneralë dhe luftëtarë, figura politike të respektuara, por të dënuara nga regjimi komunist i sistemit të diktaturës, ishin Dr.Ymer Dishnica, gjeneral Rrahman Parllaku “Nderi i Kombit”, gjeneral Nexhip Vinçani, Liri Belishova, legjenda e aviacionit shqiptar Edip Ohri, etj, etj, emrat e të cilëve gjenden në libër dhe në historikun e kësaj organizate.
Madhështinë kësaj feste jubilare ja shtoj padyshim, me pjesëmarrjen dhe përshëndetjen e saj të ngrohtë e miqësore, Gjeneralmajor Manushaqe Shehu, Zv.Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, e cila vlerësoi kontributin e kësaj organizate në këto 30 vjet, si dhe për antarësimin e ushtrisë shqiptare në NATO, integrimin në BE dhe aderimin e saj në organizata homologe në Europe, Kosovë etj.
Për rrugëtimin e OBVL, folën gazetarë, historianë dhe pasues të veteranëve të luftës, dhe konkretisht: Isuf Ymeraj, veterani më i vjetër i kësaj organizate, gazetari e shkrimtari Shpendi Topollaj, gazetari Bashkim Hisari, Nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të ĹANÇ të Kosovës, prof. Tatjana Dishnica, e bija Dr.Ymer Dishnicës, studiuesi i historisë Mark Palnikaj, veterani i arsimit Mevlud Buci etj. Për vlerat e librit folën bashkëautorët, shkrimtarët dhe gazetarët Sakip Cami e Halil Rama.
Në mbyllje u bënë zgjedhjet në forumet drejtuese. Kryetare e OBVLP, u zgjodh Tatjana Parllaku, e bija e të ndjerit, Gjeneral Parllaku, e cila si pasuese veterani lufte, garantoi se, “do ta ngrejë në një nivel më të lartë aktivitetin e OBVLP dhe do të punojë për rritjen aktivitetit të saj dhe shtimin e anëtarësisë me pasardhës të rinj të veteranëve të LANÇL…”.
Sekretar i Përgjithshëm u rizgjodh z.Halil Rama, “Mjeshtër i Madh”, autor i 26 librave me monografi, publicistikë e kritika letrare, njëherësh prej 22 vitesh edhe Kryeredaktor i gazetës “Veterani”.
Si pasardhës veterani lufte i uroj OBVLP dhe organizatorëve, suksese të mëtejshme.
Tiranë, 26 korrik 2024.