Nga Sakip CAMI

Ky libër, i teti së bashku me publiçistin e shquar Mjeshtrin e Madh Halil Rama, i teti në zhanrin e monografive, përveç librave që kemi shkruar në mëvetësinë tonë, i kushtohet dhe pasqyron veprimtarinë e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve e të Pasardhësve të Luftës Antifashiste të Popullit Shqiptar në këto 30 vjet.
Baza e këtyre shkrimeve është e vërteta, kronika reale e ngjarjeve, e pasqyruar në kohë reale në gazetën “Veterani”, me kryeredaktor Halil Ramën, njëkohësisht sekretar i përgjithshëm i OBVL dhe zv kryeredaktor Sakip Camin, sekretar për mardhëniet me organizatat homologe në Europë dhe Botë, përzgjedhur për botim në libër. Përveç veprimtarisë së drejtuesve të OBVL Ymer Dishnica, Rrahman Parllaku, Myfit Guxholli e Sotir Budina si dhe të drejtuesve të tjerë në kryesi e në rrethe, në këtë libër gjen jetën e veprimtarinë e drejtuesve të LANÇ , të dënuar nga diktatura si Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Rrahman Parllaku, Dali Ndreu, Nexhip Vinçani, Gjin Marku etj, të drejtuesve të tjerë si Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica, Tuk Jakova, Liri Belishova etj.
Në kuptimin e plotë të fjalës ky libër është kujtesë kombëtare për vitet e LANÇ që do tu nevojitet brezave.
Një falenderim i veçantë shkon për zonjën Tatjana Parllaku, të bijën e Gjeneralit legjendar Rrahman Parllaku, e cila i grumbulloi të gjitha fjalimet e gjeneralit si kryetar i OBVLP në ceremonitë mortore të shokëve të luftës, i korektoi nga ana gjuhësore dhe dha ndihmesën e saj.
Ju falenderoj nga zemra për pjesëmarrjen tuaj, duke sfiduar vapën e nxehtë të korrikut.
Së bashku do t’a ruajmë fort trashëgiminë tonë atdhetare dhe do tua transmetojmë brezave.