Brigada 19-të Sulmuese Partizane u krijua në Theollogo të Sarandës më 30 gusht të vitit 1944. Nga përbërja e partizanëve; shqiptarë e minoritarë dhe qëllimi i përbashkët, kjo është quajtur “Brigada e vëllazërimit”, midis popullit shqiptar dhe minoritetit grek. Në Brigadën XIX u rreshtuan partizanë të batalioneve “Pandeli Boçari”, Thoma Lulo”, “Meteoti” (partizanë italianë) e ‘Thanas Ziko”, me një efektiv rreth 800 vetë të organizuar në 3 batalione. Komanda e Brigadës ditën e formimit të saj përbëhej nga këta kuadro: Komandant Andrea Nasi; komisar në fillim Vango Mitrojorgji e me pas Thoma Xhixho, zv/komandant Mehmet Dusha; zv/komisar Lefter Kasneci etj.
Populli i minoritetit grek, duke pasur besim në platformën e Frontit NÇL të udhëhequr nga PKSH mori pjesë masive e aktive në LANÇ, luftoi për një jetë demokratike se do çlirohej nga robëria fashiste, nga regjimi antipopullor i Zogut, se do të siguronin lirinë e demokracinë dhe do t’i zgjidhnin drejt problemet e tij sociale. Dhe ky besim u justifikua mbas çlirimit.
Brigada që nga dita e parë e formimit e deri në fund, ka zhvilluar luftime të ashpra kundër nazistëve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre ballistë e zervistë, duke u shkaktuar atyre humbje të mëdha. Të tilla qenë luftimet në Konispol, Delvinë, Qafë Bot, Muzinë, Pec, Zminec, Stugar, Dhrjovjan, Libohovë, Qafë e Kiçokut e shumë luftime të tjera.
Të paharruar do të mbetet lufta frontale e 55 ditëve për mbrojtjen e Konispolit nga forcat gjermane. Luftime të ashpra kreu Brigada 19 mbi garnizonin e Delvinës ku ishin përqendruar rreth 500 gjermanë dhe 300 ballistë. Në momentet e para u zunë rob 50 ballistë. Por në këtë luftë ranë heroikisht 21 partizanë e kuadro dhe u plagosën 22 të tjerë. Në këto luftime gjermanët bënë barbarizma dhe vandalizma nga më të ashprat mbi trupat e vrarë.
Brigada 19-të S mori pjesë në çlirimin e qyteteve Delvinë, Sarandë, Gjirokastër. Ajo u angazhua në veprimet luftarake për goditjen e asgjësimin e garnizoneve të veçuara te pushtuesit gjerman në zonën përreth kreu goditje të njëpasnjëshme ndaj autokolonave gjermane në rrugët lëvizëse drejt veriut, si dhe shpartalloi bandat e xhandarmërisë dhe të ballisto-legalistëve në këtë zonë të bregdetit jugor të vendit.
Më 1 tetor 1944, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ANÇSH Brigada e 19-të kaloi në përbërje të Divizionit III së bashku me brigadat 12 dhe 14. Që nga 10 tetori i vitit 1944, iu ngarkua detyra e sigurimit të kufirit bregdetar Vlorë-Konispol dhe konsolidimit të pushtetit popullor. Miqësia që u gatua dhe u kalit në llogoret e luftës për liri u çimentua me gjakun e Polo Bezhanit, Llambro Nikës, Veliko Rexhës e Lejla Malos, Selfo Abedinit, Llambro Llambraqit, Petro Anagnostit, Urani Bari, Jani Papa, Theodhori Mastora, Lefter Talo, Qirjako Dhroso e shume të tjerë që dhanë jetën në përpjekje me armiqtë. Në luftimet kundër nazistëve e bashkëpunëtorëve të tyre ranë heroikisht 73 partizanë e partizane dhe u plagosën 70 të tjerë ku mbetën invalidë një pjesë prej tyre.
Si për çdo njësi e brigadë partizane që u krijua gjatë LANÇ, edhe për Brigadën e 19-të Sulmuese, dita e formimit të saj mbetet një ngjarje e shënuar për popullin e zonës e rrethit ku ajo lindi, shqiptarë e minoritarë grekë, për Ushtrinë Nacionalçlirimtare dhe për historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në tërësi.
Është krijuar tashmë tradita e kthimit të kësaj date në një festë popullore, ku edhe një herë, shpaloset historia e lavdishme e LANÇ, ku kujtohen aksionet e luftërat e kësaj brigade kundër armiqve nazifashistë e bashkëpunëtorëve të tyre, kujtohen e nderohen me respekt ata që ranë në beteja për çlirimin e Shqipërisë, që mbetën yje të pashuar në panteonin e lavdisë, kujtohen gjithë luftëtarët e saj, sakrificat e panumërta të popullit. Dhe nga përkujtimi i kësaj date historike, përcillet mesazhi i madh: mos e prekni epopenë e madhe të LANÇ, të ruhet e të forcohet vëllazërimi mes popullit shqiptar e minoritetit grek, që u çelikos në zjarrin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për çlirimin e Shqipërisë.