25 vjetori i përfundimit të luftës në Kosovë dhe i përfundimit të ndërhyrjes së forcave të NATO-s

Rreth 1600 persona konsiderohen ende të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Ndonëse çështja e hapjes së arkivave për të pagjeturit është ngritur në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ende nuk ka lëvizje që do të sjell shpresë të re. Nëse Serbia do t’i hapte ato arkiva, do të duhej të përballej me faktin se është përgjegjëse për shumë krime që kanë ndodhur në Kosovë dhe në trojet tjera të ish Jugosllavisë nën ombrellën e ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve të tyre

Bashkim Hisari
Nënryetar i Org.Veteranëve të LANÇ të Kosovës

Banorët e fshatrave Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël, nga viti në vit dhe nga dekada në dekadë jetën e vazhdojnë pa u ndalur, të pasionuar në punën e tyre të bereqetshme bujqësore ndonëse, me zemra të thyera, me vuajtje shpirtrore dhe dhembje të përhershme. Mbase të kaluarën e hidhur e bartin në shpirt. Por, krushjanët e që të dy këtyre vendbanimeve që shtrihen në të djathtë të rrugës Prizren-Gjakovë, jetojnë me krenarinë se themelet e lirisë së Atdheut i ujitën me gjakun e më të dashurve, të cilët i kujtojnë me nderim të veçantë dhe nuk do ti harrojnë kurrë.
Në këto dy fshtara, më 25 e 26 mars të vitit 1999, forcat policore kriminale serbe kryen masakër duke vrarë e zhdukur 357 civilë shqiptarë, përfshirë 7 fëmijë dhe 5 gra. Në mesin e tyre ishte edhe Ukshin Hoti, intelektuali, atdhetari dhe veprimtari i shquar i çështjes kombëtare në Kosovë. Në Krushë të Madhe u vranë 243 persona, në Krushë të Vogël u pushkatuan 114 të tjerë, trupat e të cilëve më pas u dogjën dhe sipas dëshmitarëve okularë, u hodhën me ekskavator në lumin Drini i Bardhë. Trupat e disa dhjetëra viktimave nuk janë gjetur ende. Nuk dihet fati i tyre ndonëse janë në listën e personave të zhdukur me dhunë. Dyshohet se trupat e tyre kanë përfunduar në varreza masive në të gjithë Serbinë.
Nga takimet dhe bashkëbisedimi me të mbijetuarit që pothuaj çdo ditë qëndrojnë tek Kompleksi i ngritur në shenjë përkujtimi të viktimave të masakrës në këto fshatra, njeriu nxjer përfundime që lënë të kuptohet se të gjithë këta jetojnë me shpresën se një ditë do ti gjejnë të dashurit, bijtë, baballarët, vëllezërit dhe miqtë pa të cilët, jeta e tyre është e zymtë.
Në fytyrat e molisura të tyre pranë varrezave, ndjehet malli, dhimbja dhe pikëllimi. Edhe në zërin e tyre, vetëdijen e mprehtë dhe në presionin e emocionave shihet shpresa se një ditë do ti gjejnë më të dashurit e tyre dhe ndjenjat i shprehin me fjalët që rrëqethin: “Të gjesh një djal, baba, vëlla apo bashkëshort të zhdukur, do të thotë të nxjerrësh të vdekurit nga anonimiteti në të cilin i kanë shtyrë vrasësit e tyre”. Theksojnë se për ta, krimet e kryera nuk do të vjetërsohen kurrë dhe se nuk do të ndalen për të zbardhur fatin e të zhdukurve dhe për të kërkuar që autorët e krimeve të vihen para drejtësisë.
Kjo është tablloja e parë dhe atmosfera e rrethanave të jetës në fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël, në 25 vjetorin e përfundimit të luftës në Kosovë dhe të përfundimit të ndërhyrjes së forcave ndërkombëtre të NATO-s.

SERBIA E SOTME ZYRTARE SI AJO E VITEVE ‘’90-të

Pas 25 vjetëve në politikën e Serbisë nuk ka ndryshime të dukshme. Serbia e sotme të kujton atë të viteve nëntëdhjetë. Etnonacionalizmi, kleronacionalizmi dhe politika e urretjës janë narrativa dominuese që përhapin idetë e tyre helmuese. Qeveria vendos një politikë që kryesisht është e dhunshme. Në establishmentin e qeverisjes janë trashëgimtarë të një politike që ka bërë shumë të këqija. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ishte ministër i propagandës në pushtetin e Slobodan Millosheviqit dhe pasardhës i kriminelit të luftës, Vojislav Sheshelj.
Në postin e zëvëndës kryeministrit dhe ministrit për punë të Brendëshme është Ivica Daçiç, dikur zëdhënës i kriminelit Millosheviç. Sipas shkrimeve në media të pavarura, ish-drejtor i Agjencisë së Intelegjencës dhe Sigurisë, Aleksandar Vulin, tani nënkryetar në Qeverinë e Serbisë, ishte deputet i Mirjana Markoviqit, gruas së Millosheviçit dhe oficer ndërlidhës me Rusinë, i përfshirë në krimin e organizuar transnacional, në operacione të paligjëshme narkotike dhe në aktivitete korruptive që avancojnë axhendat e tyre politike dhe interesat personale në dëm të paqes dhe stabilitetit. Bozhur Joviçiç, gjyshi nga nëna i Kryetares së Kuvendit të Serbisë Ana Brnabië, ka qenë çetnik, bashkëpunëtor i fashistëve bullgarë dhe një nga xhelatët më të mëdhenj që vrau qindra njerëz.
Ata nuk lejojnë qasje në të gjitha dokumentet në posedim të institucioneve të tyre, nuk tregojnë gatishmëri për hapjen e arkivave ushtarake dhe policore që mund të ndihmonin shumë në ndriçimin e fatit të shqiptarëve të zhdukur me dhunë.
Rreth 1600 persona konsiderohen ende të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Ndonëse çështja e hapjes së arkivave për të pagjeturit është ngritur në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ende nuk ka lëvizje që do të sjell shpresë të re. Nëse Serbia do t’i hapte ato arkiva, do të duhej të përballej me faktin se është përgjegjëse për shumë krime që kanë ndodhur në Kosovë dhe në trojet tjera të ish Jugosllavisë nën ombrellën e ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve të tyre.

Në Serbi ekzistojnë lidhjet e forta mes strukturave politike dhe kriminale

Pushteti rehabiliton kriminelët e luftës dhe nuk bën asgjë që të tillët të japin llogari para drejtësisë. Përkundërazi, ata kanë ndikim të rëndësishëm në ngjarjet politike. Me militantët e Partisë Progresiste Serbe të Aleksandar Vuçiçit kanë pushtuar dhe vendosur sistemin e tyre në drejtësi, financa, univeristete, organet rregullatore, komisone zgjedhore, ndikojnë në politikën kadrovike, mbikëqyrin shërbimet e sigurisë etj. Bukvalisht, kontrollojnë çdo segment të shoqërisë dhe tregojnë arrogancë, pamaturi, ndjenjën se kanë sundimin politik pa kufi dhe nuk mbajnë përgjegjësi për çfardo parregullsi që bëjnë.
Beogradi dhe Vuçiçi përgatisin opinionin e tyre për të kryer veprime kriminale. Përhapin lajme të rrejshme. Me retorikën luftënxitëse pa etikë e moral, fyejnë shqiptarët dhe kërcnojnë me luftë. Hapur sulmojnë individë dhe organizata që duan drejtësi, demokraci dhe integrime evroatlantike. Në këtë drejtim, regjimi i Vuçiçit, prej 12 vitesh krijon konfuzione dhe kërcënon paqen në rajon. Manipulon me serbët lokale, të cilët janë bërë pengje të politikës serbomadhe në Kosovë. Në enklavat serbe përhapin urretje, frikë e intolerancë, prekin dhimbjet dhe plagët e tyre. Informojnë se në çfarë lartësie flutorojnë dronët “Bajraktar” të Ushtrisë së Kosovës dhe bëjnë premtime të rreme se ushtria serbe do të kthehet në Kosovë, se Kosova është Serbi dhe krekosen me baza ushtarake të ndërtuara rreth kufirit me Kosovën, ku sërbët kryejnë stërvitje që, pas sulmeve në Banjëskë, le të kuptohet se planifikojnë të aneksojnë veriun e Kosovës. Asgjë nuk bëjnë për uljen e tensioneve dhe për zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhinieve Kosovë-Serbi. Tensionet në veri të Kosovës cilësohen si rrezik kryesor për sigurinë në rajon, ku nuk përjashtohet mundësia e përdorimit të forcës për zgjidhjen e çështjeve.
Autoritetet në Kosovë paralajmërojnë se kërcimet e Serbisë ndaj sigurisë së Kosovës janë në rritje dhe se ato mund të rrezikojnë paqen. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ndër të tjera thotë: “Serbia është angazhuar në luftë hibride dhe po zhvillon trajnime ushtarake në bazat që i ka pranë kufirit me Kosovën”.
Sipas Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Serbia po përpiqet të luajë “lojërat e presidentit rus, Putin, duke hapur një front të ri ndaj perëndimit”. Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca thekson se: “në Serbi një grup prej qindra ushtarësh po përgatitet për sulm të mundshëm ndaj Kosovës”. Edhe disidenti më i njohur serb Boban Bogdanoviç, paralajmëron një skenar të keq në Kosovë. Sipas tij, prapa kësaj qëndron presidentit serb Vuçië.“Kam frikë se do të ketë gjakderdhje. Lufta është e vetmja rrugëdalje për Vuçiçin. Për të qëndruar në pushtet ai nuk e ndal dot veten, duhet të shkaktojë konflikte.”.
Mirëpo, Kosova është përcaktuar qartë për paqe, barazi, demokraci dhe për integrime evroatlantike. Dallimet, konfrontimet, interesat dhe mospajtimet brenda partive politike, fare nuk paraqesin pengesë për të qenë bashkë për çështjet nacionale dhe shtetin e Kosovës.
Që kur Kosova fitoi pavarësinë, institucionet e saja të sigurisë janë vigjilente, koordinojnë me aleatët ndërkombëtarë dhe janë në gjendje të përballen me çka do që vjen nga Serbia. Ndaj, mjegullat e kërcnimeve për luftë dhe të ëndrrave për një Serbi të Madhe janë zhdukur në erë. Shqiptarët tanimë kanë mësuar se çfarë është liria dhe do të bëjnë çmos për ta mbrojtur atë.