Rajmonda MALEÇKA

5 Maj 2024 – Pikërisht në Ditën e Dëshmorëve, Tahir Sinani, në Bajram Curr, është përjetësuar në bronz. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në zbulimin e shtatores së heroit të kombit, Tahir Sinani, e vendosur në Bajram Curr. Haradinaj ka thënë se Malësia e Gjakovës si vatër e atdhedashurisë rriti luftëtarë trima.
“Malësia e Gjakovës, vatër e atdhedashurisë dhe shqiptarisë ndër breza, përgjatë shekujve rriti luftëtarë trima e sypatrembur, siç ishte bashkëluftëtari im, Heroi i Kombit, Tahir Sinani nga Tropoja. Tahiri i takon brezit të patriotëve shqiptarë të lëvizjeve për liri, brezit të luftëtarëve të cilët ranë me armë në dorë që të jetojë i lirë shqiptari. Me heroizmin e tij në luftërat çlirimtare, nderoi jo vetëm Tropojën por mbarë kombin shqiptar”, ka thënë Haradinaj. Angazhimi i tij jetësor në shërbim të kombit shqiptar do të kujtohet e nderohet përgjithmonë!”, është shprehur Haradinaj

S’di pse një shkrim, i cili ka për qëllimin e vet të parë, të kujtojë një luftëtar të gjithë luftërave të shqiptarëve në fund shekullin e kaluar dhe këtë fillim-shekulli, si Tahir Sinani, të niste kështu. Ndoshta ngaqë duhej një parathënie, pastaj një kronikë e përgjakshme, kumtet e luftërave e pastaj për të ardhë tek njeriu i shquar i luftës. Është një ndërthënie dhe një realitet që lidhet pikërisht me peshën dhe kumtin që la pas Tahir Sinani. Është po ajo nevojë e kuptimësisë, që luftëtarët e lirisë, të kthyer ne dëshmorë, heronj dhe kujtesë, për të cilët gjithmonë duhet të gjesh një vend, një moment dhe realitet për t’i kujtuar, për t’i shpallur dhe për t’i vendosur. Tahir Sinani është njeriu i kësaj peshe dhe vlere. Është njeriu që ka patur një marrdhënie të tillë me historinë e popullit të vet, është një ndërgjegje e krijuar me atë marrdhënie të çuditshme, e cila ishte e lidhur dhe funksiononte maksimalisht me lirinë e shqiptarëve.
Jo vetëm në të gjithë Kosovën, por të gjithë trevat ku shqiptarët kryen luftën e tyre më të drejtë dhe më dinjitoze, shenjat e luftës u mbyllën. Shtëpitë më së shumti u rindërtuan. Të bukura ashtu siç i bëjnë shqiptarët. Po ashtu dhe rrugët përgjatërojnë në maksimumin e tyre. Fëmijët shkojnë në shkollë, me atë dritën që ka sjellë liria e adhurueshme. Në varret e të rënëve asnjëherë nuk harrohet të vendosen lule dhe të thuhen përkushtime. Nuk mungojnë këngët që u ngrihen ditë pas dite trimave. Është një liri që ka historinë e saj, që nuk pranon harresë aspak. Kujtimet për të rënët përherë e më shumë po i afrojnë kohët dhe njerëzit akoma më shumë i kanë bërë ta kuptojnë lirinë në të gjithë dimensionet e saj.
Jeta, të gjithë atë që Tahir Sinani bëri në luftë dhe për luftën, i ngjajnë një epoke dhe janë sa një epokë. Tahir Sinani kishte një gen të lashtë të tokës shqiptare, që kishte pësuar fatin e hidhur të të larguarit nga vendi i vet ashtu siç po ndodhëte në popullsinë shqiptare në Kosovë, kur Tahir Sinani si një njeri i armës e njihte mirë se ç’duhej të bënte. Tahir Sinani kishte në mendje amanetin e babait të tij Mal Sinani, i cili kishte porositur në gjallje të vet:”Unë kam qenë djalë dëshiri dhe kam luftue për çlirimin e Kosovës. Nëse Kosova ngrihet në luftë kundër shkjaut, amanet po ja u lë, që bile njëri prej jush të shkojë atje e të luftojë për të çliruar atë pjesë të robëruar të Shqipërisë.” Është një amanet të cilin nuk e humb as koha e as e tret as dheu. Kuptohet mirë se lufta për Tahir Sinanin kishte flluar që herët, sa herë që i takonte nga Bujani i tij të dilte në kreshtat e Tropojës e t’i hidhte sytë mbi tokën e Kosovës. Kështu ndoshta ditë pas dite qe plotësuar karakteri dhe cikli i një luftëtari. Prandaj Tahir Sinani do të mbetëte një kronikë e plotë e tre luftërave të shqiptarëve.

Në vitin 1998 shumë pak shqiptarë mund të dinin se çdo të ndodhëte në vitin 1999. Askush nuk mendonte se lufta trokiste në portat e pjesës më të madhe të trojeve shqiptare nën-ish-Jugosllavi. Jo se shqiptarët nuk kishin kurajon, porse parimet e unitetit ndërkombëtrë pak mundësi i kishin lënë opsionit të luftës për ta zgjidhur nyjën e Ballkanit. Pikërisht atherë Tahir Sinani bashkë me eksponentët e njohur të UÇK-së dhe të luftës më vendimtare të shqiptarëve, po stërvitnin luftëtarët e ardhshëm të kësaj ushtrije. Njerëzit e njohur të UÇK-së si Azem Syla, Bislim Zyrapi, Agim Çelaj, Xhelal Hajda e të tjerë, bashkë me strategun e ardhshëm të luftës Tahir Sinani, dukeshin se ishin të bindur se do të kishte luftë. Për fatin e mirë luftëtarët dhe të rënët për liri Agim Zeneli, Agush Gjocaj, Ilir Konushevci do ta mësonin artin e luftës nga ky njeri i “prerë” për të luftuar. Dhe koha nuk pati të ndalur. Ndoshta ajo eci më shpejt se çdo herë tjetër.
Në nëntorin e vitit 1998 Tahir Sinani bashkë me trimat e tjerë arrin të kapë majat e Pashtrikut. Ndërkohë emërohet dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pa harruar për asnjë çast përgatitjen e luftëtarëve të ardhshëm të lirisë. Divjaka e Kosovës do të jetë një nga qendrat e rëndësishme të kësaj kohe, ku Tahir Sinani, Bislim Zyrapi, Sali Veseli, Naim Maloku dhe të tjerë do të stërvisnin intensivisht njerëzit e luftës. Është koha kur nga Shqipëria do të vërshonin kuadro të sprovuar ushtarak në ndihmë të luftës. Është koha kur puna e njeriut të luftës do të hidhet në terren. Tahir Sinani është ndër të parët që e realizoi këtë akt madhorë dhe tepër vendimtarë. Është koha kur vetë njerëzit, që Tahir Sinani i kishte shndërruar në luftëtarët e ardhshëm të luftës, e pagëzojnë me emrin kuptimplotë Tahir Tropoja. Një zakon i njohur në kohë luftërash ndër shqiptarët e Veriut ky. A nuk qe quajt kështu dhe Azem Galica!?
Shpejt emri i Tahir Tropojës do të qe kryeradha e komunikatave të UÇK-së si një figurë prej nga merrnin kurajë, guxim dhe motive të gjithë njerëzit e luftës. Në CV. e luftës së Tahir Tropojës shënohet minosja e vendit afër pikave ushtarake të armikut në fshatin Zboc. Dihet mirë se ka patur shumë dëme në këtë rast. Po ashtu nën komandën e tij trupat armike nuk mundën të hyjnë në Blinajë, në Sllupçan, në malet e Zatriqit dhe as në Malishevë. Aksioni i Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm, ku u vranë tre policë serbë, kanë ideator dhe realizues Tahir Sinanin.
Futja e trupave të NATO-s në Kosovë dhe veprimet e mundëshme luftarake, që mund të lindnin në këtë rast, në konflikt me makinerinë ushtarake dhe policore serbe, e vunë në radhën e parë të sigurisë të Zonës Operative të Pashtrikut Tahir Sinanin, ku ndodhej Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Ndërkohë në këtë zonë malesh dhe grykash ishin zhvendosur mbi 100 mijë banorë, të cilët mbroheshin nga luftëtarët e UÇK-së që në muajin prill të 1999, njëri prej komandantëve ishte dhe Tahir Sinani. Ai kishte lëshuar këtë kushtrim:”Me asnjë çmim, qoftë dhe me çmimin e jetës së krejt ushtarëve, serbët nuk do t’i lejojmë të depërtojnë tek popullata.”

Dikurë njeriu famëkeq serbi Sheshel ishte shprehur se shpejt do ta pinte kafenë në Berishë, ndërsa vrastari Ojdaniq, kishte thënë se do të ngrinte fushë futbolli në Berishë. Thirrjet e vrasësve të shqiptarëve për Tahir Sinanin i ngjanin vdekjes dhe ai qe betue për të mos i lanë vrasësit t’i realizonin ëndërrat e tyne. Në Berishë ëndërronte ta pinte kafen i lirë njeriu i lirisë Tahir Sinani, i cili qe bà njësh me andrrën e shqiptarëve.
Gjatë vitit 1999 Tahir Sinani udhëhoqi shumë aksione luftarake në të gjithë Zonën Operative të Pashtrikut, ku ai qe dhe komandant. Operacioni i njohur “Shigjeta” në Pashtrik ka në “mekanizmin” e vet mendjen dhe aftësitë e Tahir Sinanit, bashkë me njerëz të tjerë të aftë për të realizuar të tilla detyra ushtarake.
12 qershori i vitit 1999 gjen fitimtar dhe triumfatorë në qytetin e pizrenit dhe Tahir Sinanin, të cilit i kishte hije ai kthim prej luftëtari dhe njeriu të lidhur me fatet dhe detyrimin ndaj atdheut.
Ndoshta pa i ikur lodhja nga këmbët e shpatullat, ndoshta pa ju ngopur syri me gjumë, Tahir Sinani bër përsëri tutje në luftë. Ai bashkohet me UÇPMB dhe pse pas luftës UÇK-ja e kishte bërë komandant të Qendrës së Stërvitjes dhe të Doktrinës në Nashec, e më pas në TMK. Në këtë ushtri ai u evidentua si njeri lufte në betejat e Konçulit, Dobrosinet dhe të Bujanocit. Me një dashuri luftëtarësh njerëzit e këtyre anëve e quajtën Tahir Presheva. Kujtimet për Tahir Preshevën i sjellin njerëzit e luftës në këto anë si Shefqet Musliu, Ridvan Musliu dhe Jonuz Musliu.
Angazhimi në luftën që Ushtria Çlirimtare Kombëtare zhvilloi si akti i fundit i padrejtësive, që ishin ushtruar dhe po ushtroheshin mbi shqiptarët në Maqedoni, tregoi se Tahir Sinani qe fort i lidhur me fatin historik i trojeve shqiptare. I njohur si një strateg i provuar në luftë, ai vihet në krye të udhëheqjes së kësaj ushtrie në bashkëpunim me njerëzit e njohur të kësaj lufte si Gëzim Ostreni dhe Ali Ahmeti. Thuhet se e ndoqën nga pas të gjithë bashkëpunëtorët dhe luftëtarët me të cilët ai luftoi në të gjithë luftërat e mëparshme. Përmes malit të Korabit, ku thuhet se festoi dhe një ditëlindje, ai hyn në Tanushë të Gostivarit. E quajtën Tahir Tetova. Ku shkeli këmba e Tahir Sinanit armiku pësoi vdekjen, ndërsa njerëzit e nevojshëm për ndihmë fituan sigurinë. Ra më 29 korrik të vitit 2001. U varros në Kukul Zabel të Tanushës dhe me 24 maj të vitit 2002 u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Lladovicë të Prizrenit. Qe dhe mbeti luftëtar, komandant dhe një atdhetar i shkëlqyer.
Është nderuar me të gjithë titujt dhe gradat që institucionet, shoqatat dhe hierarkia ushtarake në Kosovë ka akorduar për luftëtarët e lirisë. Për Tahir Sinanin janë ngritur përmendore, janë thurë balada dhe këngë, prej nga ai ka marrë fatin e të qenit i përjetshëm.
Është fat, kështu e kam njohur unë personalisht Tahir Sinanin.