Simbol i dijes, përkushtimit qytetar, paqes dhe dashurisë

• Ajo që vihet re tek ky personalitet që punoi në heshtje, është riogoroziteti shkencor dhe ftesa për debat për mjaft probleme të historisë, me qëllimin që historia të mos shkruhej mbi bazë oreksesh ose nga politika e ditës. Ishte në një farë mënyre një historian që të hidhte dorashkën për debat shkencor dhe pranonte vetëm vërtetësinë e faktit dhe këtë të mbështetur mirë jo mbi sajesa, por mbi dokumenta të besueshme dhe origjinale

BAJRAM CANAMETI

Që kur ngriti grupin artistik të valleve në shkollën e Bruçit e deri sa mbylli sytë në moshë të shtyrë, Ferit Këputa nuk iu nda punës së palodhur në dobi të arsimit, kulturës dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Mësues i dalluar, studiues, hululmtues, aktivist dhe masovik i kulturës, skenarist dhe njëherit regjisor, ai do të lërë gjurmë të pashlyera duke kryer disa punë si përgjegjës i Vatrës së Kulturës, duke ngritur ansamble artistike të cilat me programet e tyre të pasura do të regjistrohen në RTVSH. Ai do të krijojë edhe këngë të cilat do të futen në repeertorin e Festivaleve Folklorike Kombëtare.
Njeri i interesave të gjera dhe i kontakteve të gjalla me njerëzit, i dëgjueshëm dhe debatues me argumenta kokëkforta, kështu do të mbahet mend ai, një personalitet që ia kushtoi jetën studimit të historisë duke ftuar disa historianë të Akademisë së Shkencave dhe duke i çuar nëpër vende në Mat ku ishin gjurmët e Skënderbeut. Këto vende ishin topose, kështjella, të cilat shoqëroheshin me legjenda e tregime për Skënderbeun.
Por Feriti nuk ishte vetëm një gjurmues i arkivit të gjallë, por edhe studiues dhe sistemues i arkivit të dokumentuar.
Studiues dhe i vëmendshëm ndaj debatateve të kohës mbi origjinën e Skënderbeut ai dha dëshmi se Skënderbeu është me origjinë nga Mati dhe këtë e provoi me librin e tij “Origjina e Skënderbeut është Mati”. Në këtë libër me dokumente arkivore, Feriti provon se origjina e Kastriotëve është Mati, një libër që doli jo si tendencë për të përmbysur teoritë e tjera as hamendësimet amatoreske, që nuk bazohen mbi të dhëna, por mbi qëllime të tjera. Me këtë libër, krahas historianit tjetër matjan Qamil Alushi, i cili shkroi librin “Skënderbeu nga Barleti tek Oliver Shmid”, Ferit Këputa vendos dhe përçon një rrjedhë arsyetuese që nuk pranon të notohet kundër saj.
Dashuria për vendlindjen shprehet tek ky njeri së pari në njohjen e historisë së saj sidomos kur është fjala pëer Matin, këtë trevë të njohur ,ndaj do ta thellonte këtë punë dhe do t`i jepte krah kësaj dashurie me librin mjaft të rëndësishëm “Mati në kulmet e historisë kombëtare”, ku autori evidenton disa ngjarje të rëndësishme në historinë e Matit, që rezonojnë në historinë klombëtare dhe anasjlltas. Ai e shikon historinë e Matit si pjesë integrale e historisë kombëtare dhe evidenton pikërisht ato ngjarje të cilat përbëjnë pikën kulmore të ekzistencës së kësaj krahine dhe të kombit në tërësi, ku pasqyron më së miri me dokumenta ato figura dhe ngjarje sa dramatike aq edhe burrërore, duke sjellë kështu në mënyrë bindëse dhe me metoda shkencore që përvijohen nga fakti tek argumenti dhe nga argumenti te dokumenti ose nga e treta drejt së parës.
I dashuruar me figurën e Skënderbeut, ai vijon librin tjetër “Mati dhe Skënderbeu” ku dokumenton të dhëna arkivore dhe i përqas ato me dëshmi gojore, natyrisht një punë e dobishme ku spikat edhe ana tjetër e tiparit të punës së tij shkencore: etnologjia dhe folkloristika, etnografia dhe burime të tjera kulturore që dalin nga kujtesa popullore dhe që përbëjnë një argument më vete.
Më tutje, vijojnë librat e tij: “Mati në shekullin XX”, “Matjanët në Luftën e Dytë Botërore”, “Ismail Terziu shqipe mali”, “Laçi- Bruçi dhe Uraka”.
Duke qenë një mësues i përkushtuar e duke punuar në këtë zonë deri në Martaneshin e largët, Ferit Këputa la gjurmë të pashlyera dhe fitoi mirënjohjen e brezave që edukoi me dashurinë për dijen, për atdheun dhe me virtyte qytetare.
Libri i tij “Arsimi dhe klultura e Matit – vështrim historik”, është një kujtesë e saktë që përcjell nivelet kohore të zhvillimit arsimor në këtë trevë, vështirësitë e para por edhe pasionin e madh për dije.
Formimi i tij si malësor me tradita dhe shkollimi i lartë, plus pasioni dhe këmbëngulja në hulumtimin shkencor, përbëjnë tri tipare të arrira të këtij njeriu të dalluar në fushë të dijes, të cilat gjenden sot në librat e tij, por edhe në punimet shkencore – artikujt që botoi te gazeta “Bashkimi” në krye të herës e më vonë te gazetat Republika”, “Atdheu”, “Standard”, “Mati”, “55”, “Tirana Observer” etj.
Një personalitet shumëdimensional me interesa të gjera dhe me njohje të madhe që vinte nga puna studimore, ai herë – herë i tejkalon interesat historike, ndërsa shkruan librin “Shërbimi shëndëtësor në Mat”, një libër analitik, por edhe me informacion të detajuar dhe të saktë. Ky libër jep një rrugë të gjatë dhe të vështirë të shërbimit shëndëtësor në rrethin e Matit, duke sjellë edhe ato risi të zhvillimit të institucioneve shëndetësore dhe të kulturës shëndetësore, pa e shkëputur atë nga reformat politike dhe sociale.
Ajo që vihet re tek ky personalitet që punoi në heshtje, është riogoroziteti shkencor dhe ftesa për debat për mjaft probleme të historisë, me qëllimin që historia të mos shkruhej mbi bazë oreksesh ose nga politika e ditës. Ishte në një farë mënyre një historian që të hidhte dorashkën për debat shkencor dhe pranonte vetëm vërtetësinë e faktit dhe këtë të mbështetur mirë jo mbi sajesa, por mbi dokumenta të besueshme dhe origjinale.
Dashuria për historinë krahinore, por edhe kombëtare duhej mbështetur patjetër edhe në aftësinë në përvetësimin e dijes dhe kësaj ia doli me sukses, ashtu si dhe kjo nismë e vijimësi prej punëtori të madh të dijes, kërkonte edhe aktivizimin e tij në veprimtari sociale,kulturore dhe për këtë formon shoqatën: “Ahmet Zogu”, ku, duke bërë disa kërkesa të argumentuara, bindi instancat e pushtetit që sheshi në Burrel të merrte emrin “Ahmet Zogu”, ndërsa në Tiranë Bulevardi te Stacioni i Trenit të merrte emrin”Zogu I”.
Kjo punë nuk ishte diçka e thjeshtë, por ai ia doli mbi bazën e kërkesave dhe argumetimeve të bazuara, sepse qëllimi i tij nuk ishte përdorimi i historisë për politika të caktuara, as evidentimi i saj në gjëra të njohura si ripërsëritje, por plotësimi i historisë dhe hulumtimi i saj në mënyrë që ajo të riformatohet në të gjitha dimensionet e saj duke nënvizuar luhatjet apo kontrastet e sajuara.
Një punë e tillë fitoi në radhë të parë simpatinë e lexuesit të interesauar për historinë, por edhe vlerësimin e instancave shoqërore e shtetërore, ku Ferit Këputa do të vlerësohet me “Mirënjohja” nga komuna Martanesh e me çmimin “Pena Budi” nga revista “Emathia”, e kjo do të kulmojë me dhënien e titullit “Qytetar Nderi” nga Bashkia Burrel.
Këputa është një studiues i shquar që do të mbahet mend gjatë për librat që la, të cilat janë burim i pashtershëm informacioni, pasuruar me të dhëna të reja, po kështu edhe për aktivitetin e tij në dobi të shoqërisë, duke përcjellë shembullin e një burri të ndershëm, shkencëtari serioz në rrjedhën e krijimtarisë së tij. Ai nuk u nis të plottësonte ndonjë boshësi që kishin lënë të tjerë studiues, por me punën e tij arriti ta bënte këtë dhe ia doli. Të tjerë studiues do të mbushin boshësi të pritshme, me qëllim që historia jonë kombëtare të shkruhet dhe të kuptohet drejt pa ngjyriime dhe orekse të njërit apo tjetrit.