Shënime kritike për antologjinë me poezi të zgjedhura “ Shqipëri, zemra jonë” të Trandafile Molla Baja, Lenagrafik, Prishtinë, 2024

Fatmir Minguli

Antologjia me poezi të zgjedhura e përgatitur nga poetja Trandafile Molla Baja është një risi në vargun e pafund të antologjive poetike që botohën në mbarë trojet shqiptare dhe në diasporë.
Por me këtë antologji vështrimet marrin një ndriçim tjetër, një ndriçim që nuk gjindet kaq bukur dhe në antologji të ndryshme. Ky ndriçim është i shoqëruar me një fakt sa të dhimbshëm aq dhe të bukur. Eshtë dhimbja e poetëve për atdheun, është shpalosja e shpirtit të tyre për të shprehur atë dashuri që është mbi të gjitha dashuritë, atë dashuri që ecën paralel edhe me dashuritë e jetës njerëzore.
Por poetja e palodhur Trandafile Molla Baja është tejet e bindur për sa ka pasur idetë në projektin e saj për të prurë në duart e shqiptarëve kudo që ndodhen një vademekum që flet për dashurinë ndaj tokës mëmë.
“Shqipëri, zemra jonë” është titulli që e shpjegon fare lakonisht, fare bukur, fare kuptueshëm përmbajtjen e poezive dhe rrahjet e zemrave të poetëvë që janë përfshirë në këtë enciklopedi të dashurisë për atdheun.
Edhe kur lexon një nëntitull të shkruar me germa të vogla në kapakun e këtij libri “Poezi të zgjedhura” merret me mend se sa punë kolosale është bërë për të seleksionuar, dalluar, sistemuar poezitë që kanë marrë “lejen” e autores për t’u futur në këtë antologji. Janë 80 poetë që janë përfshirë në këtë antologji kozmogonike.
Pse e quaj antologjinë e Trandafile Molla Bajës “kozmogonike”!? Në të vërtetë është e vështirë të përgjigjem, por tek lexon emraT e poeteve dhe poetëve, kur leXon poezitë e tyre aq të ndryshme por aq shumë afër shprehjes së dashurisë për tokën amë, mendoj se kam të drejtë.
Autorët që marrin pjesë janë nga shumë vende të ndryshme. Edhe po të them se shumica janë emigrantë, nuk gaboj, edhe po të them se shumica janë nga Kosova, nuk gaboj, edhe po të them se shumica janë poete, prap nuk gaboj. Po, ky ështe dhe thelbi i kozmogonizmit të kësaj antologjie me vlera optimale në përcaktimin klasifikues të një antologjie me përmasa të tilla.
Shumë antologji janë botuar kryesisht për dashurinë, dhe nuk është keq, përkundrazi. Por brenda dashurisë për tokën mëmë janë të gjitha dashuritë. Është si të thuash një thirrje që vjen që nga “Këngët e Solomonit “ të Biblës ku flitet që para lindjes se Krishtit mbi dashurinë universale dhe që ky titull shoqërohet herë pas here me titullin tjetër domethënës ” Kantikum Kantikum” ose “Kënga e këngëve” që aq bukur e ka shqipëruar poeti i madh Moikom Zeqo!
Raporti mes dashurive është i çuditshëm dhe lidhet me ndjenjat njerëzore por dashuria për atdheun, për Shqipërinë, zemrën, jo vetëm të poetëve, është universale. Dhe ky atdheu është nëpër poezitë që poetët i kushtojnë Shqipërisë, Kosovës, Camërisë, Preshevës, Reçakut, dhe pastaj vendeve emblema si Tomorri, Rozafa dhe heroNjve që nga Skëndërbeu e deri te Ҫerçiz Topulli.
Shumë kush do të kuptojë se shumë poezi të kësaj antologjie janë të shkruar nga poetë që janë në emigracion. Eshtë dhe nuk është e vërtetë.
Kozmogonizmi i kësaj antologjie lidhet drejt për së drejti me guximin e poetes Trandafile Molla Baja në përzgjedhjen e poezive dhe pas tyre të autorëve.
Le të sjell dhe mendimin e studjuesit mirditas Ndue Dedaj për vlerat e kësaj antologjie të shprehura në parathënien e librit dhe që e titullon me të drejtë “Gjeografi e poezisë shqiptare”
Guximi i autores është për më tepër mbi hapësirat ku ajo ka shëtitur të mbledhë nektarin e sa më shumë luleve të forta me aroma poetike për atdheun.
Ajo shkon te Dhimitër Nica në Selanik e kthehet te Robert Shkurti e Myftar Gjonbalaj në Itali, autorë që kanë botuar në studion durrsake shtëpi botuese 2M, pjesë e së cilës ka qenë dhe vetë Trandafile Molla Baja apo dhe Pranvera Belba në Gjermani, pjestare të kësaj antologjie.
Por Trandafilja ka meritën e madhe që është përqëndruar shumë bukur në poetët kosovarë që dashje pa dashje zenë edhe numrin më të madh në këtë antologji. Ka meritën se nuk ka bërë dallime të sistemit klasifikues, por renditjen e ka bërë sipas orientimit të vet personal dhe ka të drejtë.
Në poezinë e saj që e ka futur në antologji “Duaje tokën ku u linde” duket sikur i këndon paralelisht atdheut dhe vetë punë së saj për përgatitjen e kësaj antologjie:

Një tokë e ashpër duhet me kujdes punura,
Edhe pse ajo është e egër, e fortë,
Djepi i saj të ka përkundur, s’duhet harruar
Të tjetët të lakmojnë, ruaje e mos derdh lot.
Natyrisht paralelizmi është metaforik, por dua të theksoj se sa vështirësi ka përgatitja e një antologjie, ku post botimi mund të ketë dhe vrejtje…
Por është ajo që përmenda që në titull të këtij shkrimi kritik, është guximi i një femre poete të suksesshme që nderon vendin e saj dhe vrejtjet ajo do i presë me armën e guximit të saj proverbial.
Trandafile Molla Baja sjell në këtë antologji emra të njohur të poezisë shqipe si Myrteza Mara, Përparim Hysi, Faik Xhani, Iliaz Bobaj, Flora Brovina, Viron Kona, Kujtim Stana, Hamdi Hysuka, Shyqri Galica, Petraq Risto, Ndue Lazri, Zhuljeta Grabocka (Çina), Tyran Prizren Spahiu, Lumo Kolleshi, Polo Çipa, Xheladin Mjeku, Xhemile Ademi, Lulzim Hajdari, Migena Arllati, etj, etj.
Të më falni që përmenda vetëm këta emra të cilë i preferoj personalisht por janë me dhjetra e dhjetra të tjerë që autorja e antologjisë i ka futur për secilin me tre apo katër poezi. Eshtë kjo një risi e Trandafile Mollës e cila e ka për herë të parë përpilimin e një antologjie poetike veçanarisht për tokën amë.
Por edhe kritikët më të famshëm amerikanë apo europianë e kanë të vështirë të hartojnë antologji poetike, sespe çdo gjë është fakultative, është si të thuash që antologjia ndërtohet sipas shijeve letrare të autorit të saj. Por kjo nuk ndodh me antologjinë e Trandafiles sepse ajo e njeh këtë lloj difekti por ashtu e mençur si e ka bërë zoti ka përzgjedhur autorë që I këndojnë atdheut. Kjo është ajo metafora e “Këngës së këngëvë” që përmenda në krye të kësaj analize.
Nësë kjo autore do shohë se antologjia e saj ka nevojë që t’i bëhen vrejtje, mendoj se nuk ia vlen t’I bësh vrejtje.
Ndoshta do të shtonte një poet që është në emigracion dhe mjaft i sukseshëm si Kujtim Hajdari apo një poet që i këndon parreshtur vendlindjes së tij Ҫamërisë, Hekuran Halili.
Aspak nuk ia prishin bukurinë kësaj antologjie magjike emrat që nuk janë përfshirë sepse antologjitë janë si lastaret e pranverës, shtohen dhe rilindin dhe antologjitë ndjekin njera tjetrën.
Kjo antologji sikur e ka metaforën e saj te një strofë e poetit Kasem Shaqirvela marë nga poezia “Gjithka tretet”, pjesë e antologjisë :

Sa herë që ndjek mbarësi
Dhe uron për miqtë e tu
Shkurton largësinë me mirësi,
Endjen tënde, tutje e tëhu.

Bukur e ka shkruar, është dhe transkripti poetik i antologjisë së Trandafile Mollës Baja. “shkurton largësinë me mirësi …”