Shkrimtari dhe luftëtari nga Kurveleshi, që erdhi nga lufta

Nga Sakip  Cami

  • Vepra e tij dallonte për temën që trajtonte. Xhaferi shkroi për heronjtë e luftës, për Selam Musain e Luftës së Vlorës dhe për heronjtë e Luftës Antifashiste nacional clirimtare si për Memo Meton, Mustafa Matohitin, Meleq Gosnishtin dhe për shokët e tij të luftës

Libra të autorit Xhafer Matuka

  1. “Bateria e kepit të largët”, roman, 1973
  2.  “Ai ishte tigri” , tregime, 1969
  3.  “Meleq Gosnishti”, monografi, 1977
  4. “Selam Musa Salaria”,  monografi, 1975
  5. “Mustafa Matohiti”, monografi, 2008
  6. “Takim në luftë”, tregime, 1971
  7. “Vidohovë, 2 gusht 1949, kronika dhe kujtime për provokacionet e gushtit 1949,  botuar në vitin 1968
  8. “Kurvelesh zemra ime”, kushtuar Memo Metos, 1972
  9. “Obelisk përjetësie”,  shënime për jetën e Xhafer Matukës, 2008

Xhafer Matuka, shkrimtari dhe luftëtari nga Kurveleshi, që erdhi nga lufta dhe që shkroi për luftën, për heronjtë  dhe për ushtrinë,  ka lindur në Nivicë të Tepelenës. Që në moshë të re 15 vjeçare i bashkohet Luftës Antifashiste të popullit Shqiptar.

Pas mbarimit të Shkollës Ushtarake “Skënderbej” shkon për Studime në Ish – Bashkimin Sovjetik për artileri bregdetare.

Pas mbarimit të Akademisë Ushtarake në B.S. emërohet në Forcat Detare dhe punon fort për ngritjen e armës së Artilerisë Bregdetare.

“Xhaferin e njoha në ditët e zjarrta të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur ai ishte partizan 13 – 14 vjeçar”, tregon Gjeneral Rrahman Parllaku[1], Heroi i Popullit.

Mbas mbarimit të luftës, Xhaferi, vetëm 14 vjeç pranohet në Shkollën e Mesme Ushtarake  “Skënderbej” dhe me mbarimin e saj së bashku me Rustem Peçin dhe Gjergj Titanin studiojnë në Riga të Letonisë (Ish Bashkimi Sovjetik),  për artileri bregdetare. Pas ardhjes në atdhe ata ishin oficerët më kontributorë të armës së artilerisë bregdetare në ushtrinë e re shqiptare të pasluftës.

          Xhaferi ngjiti shkallët e hierarkisë ushtarake me meritë deri sa arriti të bëhej zv.komandant i Forcave Ushtarake Detare për Artilerinë Bregdetare.

“Njohja me Xhaferin, vijon Gjeneral Rrahman Parllaku,  u përsërit pas 17 vitesh, më 1961 kur u krijua Komanda e Forcave Ushtarako – Detare (FUD). Unë u emërova komandant i këtyre forcave dhe kisha në vartësi edhe Flotën Detare dhe Artilerinë Bregdetare). Zëvëndëskomandant për Artilerinë Bregdetare u emërua Xhafer Matuka.

Tani po takohesha me një Xhafer, burrë të pjekur, oficer i kualifikuar, me një horizontë të gjërë  kulturor, studiues jo vetëm i literaturës ushtarake, por edhe asaj historike e artistike. Madje ai kishte filluar të shkruante e të botonte libra.

Xhaferi  në komunikim me shokët  kishte një humor të këndshëm, me një ironi të holle dhe herë-herë qësendisëse për servilët e të pasinqertët. Aftësitë profesionale, niveli kulturor dhe personaliteti i tij, i mundësuan Xhaferit pranimin edhe në shoqerinë ushtarake.

Por njerëzit me kulturë e personalitet në atë kohë viheshin në dyshim dhe cmirëzitë në shërbim të sigurimit të shtetit sajonin shpifje, përgjonin e intrigonin. Dhe për fat të keq, të tillë u gjetën edhe në rrethin ushtarak e krahinor të Xhaferit. Ata ja sajuan kurthin edhe këtij personaliteti të njohur”.

          Edhe pse i shpëtoi ndëshkimit e përjashtimit nga partia, ai mori masë nga Ministria e Mbrojtjes, duke e transferuar në detyrë më të ulët, komandant grupi i Artilerisë  Bregdetare në Durrës. Pa marrë parasysh qëndrimin që mbante, Xhaferi survejohej e ndiqej nga organet e sigurimit, por ai qe i kujdesshëm e diti t’u shmangej provokimeve të tyre.

          Komanda, duke vlerësuar aftësite profesionale, përkushtimin në punë  dhe si studiues, i propozoi Ministrisë  dhe ajo e transferoi Xhaferin me detyrë në Institutin e Studimeve Ushtarake.

Krahas punës studimore në fushën ushtarake Xhafer Matuka ishte edhe një shkrimtar i vlerësuar me cmime kombëtare.

Vepra e tij dallonte për temën që trajtonte. Xhaferi shkroi për heronjtë e luftës, për Selam Musain e Luftës së Vlorës dhe për heronjtë e Luftës Antifashiste nacional clirimtare si për Memo Meton, Mustafa Matohitin, Meleq Gosnishtin dhe për shokët e tij të luftës.

Vecanërisht me vlerë është libri “Vidohovë, 2 gusht 1949” që është një ditar lufte.

Është kuptimplotë deponimi në kujtimet e ish komandantit të postës kufitare në Vidohovë. Xhafer Matuka (Vidohova 2 Gusht 1949, Tiranë 1968 faqe 84), ku ndër të tjera thuhet se trupat greke lanë të vrarë në tokën shqiptare rreth 300 ushtarë e oficerë, rreth 590 të plagosur dhe 270 robër, ndërsa nga forcat tona për 10-12 ditë luftime të përgjakshme deri në bajonetë me bajonetë, mbetën të vrarë 29 ushtarë e oficerë dhe 127 vetë të plagosur si dhe dëme të ndjeshme materiale.

Libri me tregime “Takim në luftë” trajton kryesisht temën e luftës dhe u kushtohet shokëve të luftës.

Tema e mbrojtjes së Atdheut dhe e ushtrisë trajtohej te romani “Bateria e kepit të largët”, “Vidohovë, 2 gusht 1949, kronika dhe kujtime” dhe në librat e tij me tregime.

Shoqata Atdhetare Kulturore “Nivica” e ka nderuar me Çertifikatë Mirënjohje për veprimtarinë e tij ushtarake dhe letrare në vitin 2009.

Më 20 tetor 2012 Komuna e Kurveleshit e ka nderuar birin e saj, Xhafer Matuka, me titullin “Qytetar Nderi”.


[1] Nga fjala e Gjeneral Rrahman Parllakut në ShQUP me rastin e shpalljes Qytetar Nderi të Kurveleshit, 20.10.2012