Forcat partizane, duke shmangur luftën ballore, kur ato viheshin në rrezik, arritën të dalin me sukses nga rrethimi

Situata e përgjithshme në prag të operacionit

Kongresi i Përmetit analizoi dhe mori vendime të rëndësishme për ecurinë e LANÇ-it deri në çlirimin e plotë të vendit. Në fushën ushtarake me rëndësi ishin vendimet për forcimin e mëtejshëm dhe zgjerimin e UNÇSH, njësimi i Komandës së Përgjithshme, vendosja e gradave në ushtri, si dhe gërshetimin e shërbimit vullnetar dhe të detyrave ushtarake që do të realizoheshin nga LANÇ. Kongresi i Përmetit dha orientimin që Ushtria Nacionalçlirimtare të kthehej në ushtri të rregullt duke organizuar batalionet e grupet në brigada, brigadat në divizione dhe divizionet në korparmata. U shtrua detyrë para Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar të kërkohej ardhja pranë Shtabit të Përgjithshëm i misioneve ushtarake amerikane dhe përfaqësues nga BS.

Shtabi i Përgjithshëm, që gjatë zhvillimit të Kundërmësymjes Pranverore të UNÇSH-it, me qëllim që të mos lëshonte nismën operative, kishte hedhur idenë e kalimit në mësymje të përgjithshme për realizimin e objektivave vendimtare e strategjikë për çlirimin e gjithë vendit. Vendimet e Kongresit të Përmetit në fushën ushtarake mundësonin një detyrë të tillë që do të materializohej me çlirimin e krahinave të gjera, si dhe të qyteteve kryesore, duke kaluar në çlirimin e gjithë vendit. Kjo, sikurse u theksua edhe në Kongresin e Përmetit, mundësohej edhe nga zhvillimi i luftës në frontin e Lindjes e të Perëndimit, ku forcat gjermane kërcënoheshin të rrethoheshin në Ballkan (dalja e Frontit të Lindjes në kufijtë e Ballkanit dhe mundësitë e zbarkimit të aleatëve në këtë hapësirë). Nisur nga këta faktorë, u konceptua dhe u përgatit plani i mësymjes së përgjithshme. Por fillimi i saj u shty për më vonë, sepse komanda gjermane ndërmori një tjetër operacion të madh mësymës, si ai i dimrit për asgjësimin e UNÇSH-it, shkatërrimin e pushtetit të Këshillave NÇ dhe asgjësimin e shpinës së forcave në vijën bregdetare, por edhe për të liruar forca për t’i përdorur në Frontin e Lindjes.

Thelbi i idesë së komandës gjermane ishte që, duke dhënë goditjen fillestare me forca të kufizuara për bllokimin, shtyrjen në drejtim të jugut e perëndimit të forcave partizane, kryesisht me grupet e luftimit “Shatjer” dhe “Burgmaester”, t’u krijonte kushte forcave kryesore, për të kaluar në mësymje, por dhe me drejtime e me kolona (hapësira në mes të kolonave do ta mbulonin forcat xhandaro-balliste), të shtynte më tej forcat partizane, t’i detyronte ato të kalonin në krahun e majtë të lumit Vjosa dhe, në të pastajmen, me goditje bashkëqendrore nga drejtime të ndryshme, t’i asgjësonte ato në hapësirën Mesaplik-Kurvelesh-Bregdet. Në themel të operacionit u vu taktika kundërpartizane me metodën e fshirjes dhe të asgjësimit pjesë-pjesë.

Në këtë operacion, komanda gjermane, për arritjen e objektivave të caktuar, parashikonte të mbante një qëndrim të ashpër edhe ndaj “popullsisë paqësore” në qendrat e krahinat e pushtuara prej tyre. Prandaj, në pjesët e vendet ku janë pikat nevralgjike të çetave partizane, e gjithë popullsia duhet të konsiderohet e trajtohet si armike.

Mësymja gjermane

Komanda gjermane, për të garantuar suksesin e goditjes vendimtare për copëtimin e asgjësimin e forcave partizane, vendosi që para fillimit të mësymjes përfundimtare të ndërmerrte disa veprime paraprake për të mbledhur në një zonë gjithnjë e më të ngushtë forcat partizane në zonën Mesaplik-Kurvelesh-Bregdet. Komanda e Br.VIII S dhe ZIOp. manovruan forcat e veta në krahë e në shpinë të armikut duke mos i dhënë atij beteja ballore në drejtimet e lëvizjes së tyre. Një pjesë e forcave të Br.VIII S ishte në territorin grek për të bashkëvepruar me Regj.15 të ELAS-it në dhënien e goditjes në shpinë të armikut. Forcat gjermane mësynë në mënyrë koncentrike nga disa drejtime për të dalë në Kurvelesh si epiqendër e operacionit.

Sulmi i forcave gjermane u ndërmor fillimisht në luginën e Shushicës. Forcat gjermane i detyruan forcat partizane të tërhiqeshin në thellësi, në një zonë gjithnjë e më të ngushtë në Kurvelesh dhe në Kuç. Forcat gjermane arritën të ngjiten në Kurvelesh, duke thyer kështu qëndresën e forcave partizane. Kishin ngelur ende të papushtuara nga gjermanët: një rrip i ngushtë malor, vargmali në lindje të Bolenës-Çipini-Vërmikut dhe mali i Këndrevicës, gjithsej vetëm rreth 70 km2.

Gjendja e forcave partizane paraqitej shumë kritike. Faktikisht komanda gjermane kishte arritur të realizonte idenë e përqendrimit të forcave të shumta partizane në një hapësirë të ngushtë. Mbetej të jepej goditja vendimtare për copëtimin dhe asgjësimin e tyre. Në këtë hapësirë të vogël, forcat partizane nuk e kishin të lehtë të manovronin. Komandat e njësive partizane, në këshillim me njëra-tjetrën, morën vendimin më të drejtë të mundshëm për gjendjen: të shkëpusin kontaktin luftarak me armikun duke dalë në krahë e në shpinë të tij e më pas nëpër rajonet e tyre të veprimeve luftarake. U përcaktuan edhe sektorët e drejtimet nga mund të dilej nga rrethimi për çdo formacion. Br. VI S të çante rrethimin në drejtimin e Gjirokastrës dhe pasi të kalonte në prapavijë, të përqendrohej me batalione në rajonin mali i Kocunit, Babrushit, Kaparjelit dhe të Zhulatit; Br.XII S të çante në verilindje dhe të dilte në Golem e Cepo. Po kështu u caktuan hapësirat edhe për forcat e pakta të njësive të tjera. Forcat u vunë në lëvizje për të dalë nga rrethimi, por vetëm Br.III S mundi të dalë pa u ndeshur me forca armike dhe u përqendrua në Progjëri. Forcat e ZIOp manovruan në malet e Kurveleshit.

Përballimi i operacionit dhe rivendosja e gjendjes

Me gjithë situatën e vështirë të krijuar në zonën e Kurveleshit e në Shur, forcat partizane, mbështetur në parimet e taktikës së luftës partizane dhe duke shmangur luftën ballore, kur ato viheshin në rrezik, arritën të dalin me sukses nga rrethimi. Por kishte edhe faktorë të tjerë, si ruajtja e qetësisë, njohja dhe shfrytëzimi me mjeshtëri i terrenit etj., që kushtëzuan daljen nga rrethimi.

Me daljen e forcave partizane nga rrethimi në grykën e Shurit, në fakt mbaroi edhe mësymja e përgjithshme gjermane. Forcat partizane të ZIOp dhe ato të UNÇSH në këtë zonë, nën trysninë e epërsisë së madhe të armikut dhe për ruajtjen e forcave të veta nga asgjësimi, lanë hapësira të konsiderueshme. Komanda e Përgjithshme dhe ZIOp, mbështetur në konceptet e taktikës së luftës partizane e duke i zbatuar ato në fushat e betejave, në zhvillimet konkrete të veprimeve luftarake, vlerësuan e realizuan, si një element të pandarë të veprimeve mbrojtëse, sulmet, kundërsulmet e kundërgoditjet deri në kundërmësymje. Pikërisht nëpërmjet këtyre veprimeve aktive dhe të pandërprera, komandat partizane rimerrnin hapësirat që pushtonte armiku gjatë mësymjes së përgjithshme. Në këtë kuadër forcat e ZIOp dhe të brigadave që vepronin në Zonë, ndërmorën një sërë goditjesh kundër forcave gjermane, që vepronin në Kurvelesh, Mesapli e Bregdet, veçanërisht kundër atyre që lëviznin gjatë luginës së Drinos dhe në grykën e Këlcyrës. Br.VIII S dhe forca të ZIOp kaluan në mësymje në drejtimin Përmet-Këlcyrë dhe Çajup-Gjirokastër; Br.III S dhe forcat territoriale në Dangëlli. Forcat e tjera të ZIOp dhe të njësive të UNÇ, që gjendeshin në zonë, vijonin veprimet luftarake kundër grupimit të forcave armike në Mesapli-Kurvelesh e Bregdet. Në këtë mënyrë, ndërsa në këto hapësira luftohej me këmbëngulje për përballimin e mësymjes së forcave kryesore gjermane në çastet më kritike, forcat e tjera të UNÇSH, të ZIOp dhe ato territoriale, me veprime aktive çliruan krahinat e Përmetit, Zagorisë, Lunxhërisë, Pogonit dhe dolën në front të gjerë nga Libohova në Dragot të Tepelenës.

Komanda gjermane, duke mos u pajtuar me gjendjen e forcave të veta që vepronin në Mesaplik-Kurvelesh e Bregdet që kërcënoheshin nga shpina, urdhëroi Div.1 Malor që, me forca të Regj.99 Gjuajtës dhe bat.3Regj.27, të viheshin në gatishmëri për të spastruar rishtas vargun malor në mes të lumenjve Drino e Vjosa. Terreni, vihej detyrë nga komanda eprore të spastrohej nga Veriu në Jug. Në kushtet e epërsisë së armikut, forcat e Br.VIII S si dhe ato të ZIOp dhe bat.3Br.III S, edhe pse përparuan me vështirësi në drejtimet e mësymjes të armikut, ai mundi të dalë në Zagori. Gjithsesi nuk mundi të asgjësonte forcat partizane, spitalet, depot e punëtoritë e ZIOp. Pasi shkelën territoret, forcat gjermane u tërhoqën dhe kaluan në tërësi në Greqinë e Veriut, ku do të merrnin pjesë në një operacion spastrimi në pjesën veriore të saj. Në hapësirën e ZIOp në qendër të objektivit të operacionit u vu krahina e Mallakastrës, e cila u sulmua nga tre drejtime (Sinanaj, Drashovicë nga një kolonë dhe dy kolona nga Fieri) për në thellësi të krahinës së Mallakastrës. Në dispozicion të forcave në operacion u caktuan vetën tri ditë. Për të dalë në vijat e caktuara, forcat gjermane lëvizën me kolona dhe pa u përpjekur të ndeshen me forcat partizane. Forcat partizane, në kushtet e epërsisë së armikut, manovruan në krahë të forcave gjermane. Në këtë mënyrë forcat partizane nuk u dëmtuan. Me largimin e forcave gjermane ato dolën sërish në rajonet e tyre. Në drejtimin e Sarandës, forca të Br.VI S, në bashkëveprim me forca të ZIOp dhe forcat territoriale, spastruan zonën e Rrëzomës së Delvinës nga mbeturinat e armikut. Po kështu forca të Br.VI S, ZIOp dhanë disa goditje kundër forcave gjermane në rrugën Sarandë-Himarë.

Gjatë të zhvillimit të veprimeve luftarake të forcave gjermane në Kurvelesh-Mesaplik-Bregdet u angazhuan mbi 4.000 forca. Veprimet luftarake aktive të forcave partizane në këtë zonë, si dhe veprimet e mëparshme luftarake të ZIOp që vonuan 10-15 ditë ecurinë e operacionit armik, ishin të një ndihmese të vyer për Komandën e Përgjithshme, për të zgjeruar mësymjen e përgjithshme. Në urdhrin përkatës për D1S të UNÇSH, duke kërkuar të kalohej me shpejtësi në veri të lumit Shkumbin, evidentonte faktin që duhej përfituar nga angazhimi i forcave të shumta gjermane në Kurvelesh. Madje armiku u detyrua të organizonte dhe operacione plotësuese, duke mos lejuar atë të rigruponte forcat në drejtime të tjera.

Herman Frank, oficer gjerman pjesëmarrës në këto luftime, në librin e tij kujton: Forcat partizane mundohen përherë t’i shmangen luftës së hapur ballore kur mbi ta sulmojnë forca superiore gjermane… Ata dinë të mbrohen me zgjuarsi të madhe dhe të dalin nga situata të vështira, sepse i ndihmon njohja e mirë e vendeve.