FAIK XHANI-Mjeshter i Madh

  • Bashkim Dumani prodhoi verën “MERLOT”, e cila fitoi Medalje Ari në Konkursin Kombëtar te Verërave të organizuar në vitin 1970 në Tirane nga Ministria e Bujqësisë. Po këtë vit fitoi Medalje Ari në Konkursin Ndërkombëtar të mbajtur në Bukuresht të Rumanisë.

E njoha në rininë e tij. Ishte i gjallë me tërë energji. Fliste pak dhe punonte shumë. Ishte këmbëngulës dhe vullnetfortë. Kishte etje të madhe për dije dhe kërkim shkencor.

Lindi në një familje me gen pune dhe menaxhimi, me 16 qershor 1950 në Shtushaj të Dibrës, sot pjesë e Bashkisë Bulqizë.

Quhej Bashkim Hysni Dumani. Mësimet e para e shtatëvjeçaren i mori në vendlindje. Dhe Bashkimi ishte krenar që po i shtonte vendlindjes dhe Dibrës teknologun ushqimor, që në atë kohë numëroheshin me gishta. Nisi me pasion punën si specialist në sektorin e prodhimit të distilatave të alkolit të esencave në Ndërmarrjen Industriale Ushqimore Peshkopi. Në këtë ndërmarrje që gumëzhinte nga qindra punëtorë e veçanërisht nga vajzat e gratë që punonin si bletë punëtore dhe ndrisnin muzaikun e këndshëm të qytetit të bukur të Peshkopisë. Bashkim Dumani, djali serioz me moral kristal, krahas punës në ndërmarrje, ndiqte kërkimin shkencor për zhvillimin e frutikulturës që ti përgjigjej sa më mirë nevojave të furnizimit të asaj ndërmarrje. Ai studim i kushtoi teknologut Dumani 25 vite të jetës së tij.

Pasioni për studimin dhe aplikimin e arritjeve e përvojave më të mira të vendit e më gjerë e shoqëroi tërë jetën teknologun dhe arritjet nuk munguan.

Bashkim Dumani prodhoi verën “MERLOT”, e cila fitoi Medalje Ari në Konkursin Kombëtar te Verërave të organizuar në vitin 1970 në Tirane nga Ministria e Bujqësisë. Po këtë vit fitoi Medalje Ari në Konkursin Ndërkombëtar të mbajtur në Bukuresht të Rumanisë.

Këto arritje ia shtuan pasionin Bashkimit për studime, kërkime dhe aplikimin e teknologjive të reja bashkëkohore, ia përkëdhelën sedrën dhe krenarinë, por nuk ia rritën mendjen. Ai sa më shumë kalonte koha nuk u mjaftua me ç’ka kishte arritur, përkundrazi u përqëndrua gjithnjë e më shumë në studime e aplikimin e teknologjive të reja.

Pas mbarimit të shërbimit ushtarak u rikthye përsëri në Ndërmarrjen Ushqimore Peshkopi. Për gjashtë vite me radhë në këtë ndërmarrje kreu detyrën e specialistit, kontrollorit të cilësisë e deri drejtor, duke e bërë atë nga më të dalluarat në shkallë Republike.  Gjithmonë në kërkim të përvojave më të mira e teknologjive të reja ushqimore edhe në rajon e Europë.

Ishte viti 1979 kur Bashkim Dumani filloi punë si specialist në sektorin e verërave, pijeve alkolike, birrës në Institutin e Kërkimeve të Ushqimit pranë Ministrisë së Industrisë Tiranë, detyrë të cilën e kreu më së miri. I motivuar plotësisht, Bashkimi dha ndihmesën e tij në studimin e projektimin e Fabrikës së Pijeve Alkolike Peshkopi, por edhe te 12 fabrikave të tjera në vend që u ngritën gjatë periudhës 1982-1988. Për tetë vjet Bashkim Dumani kreu detyrën “Kontrollor Cilësie” (kualiteti) e sasie (kuantiteti) i prodhimit  të konjakut, pijeve alkolike, freskuese, esencave për Industrinë Ushqimore, lëngjeve të frutave, verërave e distilateve të alkolit të prodhuara në Kombinatin Ushqimor “Ali Këlmendi”. Etja për dije nuk iu shua kurrë Bashkimit.

Kreu studimet e larta në  Universitetin e Tiranës, dega industri ushqimore. Mbron temën dhe laurohet në fushën e Entologjise. Fiton titullin “Kimist-biolog”. Po ashtu kreu studimet pasuniversitare (SPU) pa shkëputje nga puna dhe diplomohet me mbrojtje teme.

Në vitin 1990 fiton titullin “Kandidat Shkencash”. Studioi edhe për kimi ushqimore. Krahas përgatitjes dhe formimit profesional Bashkim Dumani kreu me nder një sërë detyrash në shkallë vendi e më gjerë. Per gati katër vite kreu detyrën e “Kryekontrollorit” në Qendrën e Referencës dhe Kontrollit Ushqimor në Ministrinë e Bujqësise, Ushqimit e Mbrojtjes së Konsumatorit për prodhimet ushqimore dhe farmaceutike të prodhuara në vend për konsum në tregun e brendshëm e për eksport dhe për produktet e importit.

Gjate periudhës dyvjeçare 1993-1995 ai mbajti detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Bordit Kombëtar të Kontrollit të Ushqimit në Ministrinë e Bujqësise dhe Ushqimit.

Kreu detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Financiare pranë Ministrisë së Financave. Për tre vite 1994-1997 qe përfaqësues Zyrtar i Shqipërise në Komunitetin Europian me seli në Bruksel dhe pranë Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO) me seli në Romë.

Qe anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Kërkimeve të Ushqimit dhe Bujqësisë Tiranë. Gjatë viteve 1995-1998 Bashkim Dumani kreu detyren zv/ Drejtorit të Përgjithshëm, shef i departamentit Teknik dhe më vonë Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Kontrollit të Ushqimit në Ministrinë e Bujqësisë. Ketu, ai demonstroi cilesitë më të larta të nëpunësit shtetëror me përgatitjen e lartë profesionale, i pakomprometueshëm dhe me përgjegjësinë e lartë për garantimin e cilësisë së produkteve ushqimore për popullatën shqiptare.

Në këto detyra të larta dhe me përgjegjësi Bashkimi provoj dhe joshjet për t’u pasuruar. Disa herë i serviren çanta me para që të mbyllte sytë e gojën, por ai nuk u thye e nuk u dorëzua. Jo rrallë pati dhe presione, shantazhe e kërcënime, por nuk u përkul. Vërtetë nuk u pasurua, por shëndriti si nëpunës me integritet të lartë dhe i dha emër jo vetëm vehtes, por edhe Shqipërisë e shqiptarëve. 

Gjatë dy viteve bashkëpunoi me ekspertë italianë në fushën e prodhimit të produkteve ushqimore të gatshme në Romë Itali. Po kështu për shtatë vjet bashkëpunoi në fushën e prodhimit të Litografisë “Multiprint” në Romë dhe po shtatë vjet të tjera dha ndihmesën e tij në programimin, prodhimin, montimin e testimin e aparaturave elektronike dixhidale për përdorim në industri duke lënë një emër të nderuar si shqiptar.

Me 20 Mars 2025 zemra e Bashkim Dumanit pushoi së rrahuri njëherë e përgjithmonë në Vienë të Austrisë. Kjo ndarje e papritur nga jeta e  tij hidhëroi jo vetëm zemrat e familjarëve, gjakut e gjinisë, por e të gjithë atyre që e njohën dhe punuan me të. Iu bënë të gjitha nderimet gjatë ceremonisë së lamtumirës në Vienë të Austrisë. Por nipi i tij Armando Dumani, së bashku me dy vajzat e Bashkimit, me 13 Prill organizuan një ceremoni kujtese te lokal “Ija” në Tiranë ku morën pjesë shumë vendlindas që kujtuan dhe e nderuan jetën dhe veprimtarinë e Bashkimit. Ai me detyrat që ka kryer mund të ishte bërë një nga më të pasurit e Shqipërisë, por nuk u pajtua me korrupsionin. Bashkim Dumani, kudo që shërbeu e punoi dha gjithçka nga vetja për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sa shumë kemi nevojë për të tillë nëpunës e intelektualë me ndershmëri e integritet, kur presim të bëhemi pjesë e families progresiste Europiane!