80 VJETORI I FITORES MBI NAZIFASHIZMIN – FEDERATA SHQIPTARE E VETERANËVE TË LUFTRAVE PËR LIRI E PAVARËSI – SESION JUBILAR NË GJAKOVË

  • Populli ynë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe kudo në trojet etnike është krenar që u bashkua me luftën në Aleancën e Madhe Antifashiste të popujve. Trojet tona jo vetëm që u çliruan pa ndërhyrjen direkte të forcave aleate, por dhanë një kontribut të çmuar në këtë luftë
  • Kryesia e OBVLP falenderon strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, veçanërisht Drejtorinë e Mirëadministrimit të Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve, që mundësuan pjesëmarrjen  e delegacionit të saj në këtë Aakedemi Jubilare

Nga Tatjana PARLLAKU ÇARKAXHIU* Kryetare e OBVLP

Federata Shqiptare e Veteranëve të Luftrave për Liri e Pavarësi, në përbërje të së cilës janë OBVLP e Shqipërisë dhe Organizata e Veteranëve të LANÇ të Kosovës, 80-vjetorin e fitores mbi Nazifashizmin e shënoi me një Akademi Jubilare që u mbajt në Gjakovë (të premten më 9 maj 2025), me pjesëmarrjen e qindra veteranëve të LANÇ e të UÇK-së dhe pasadhësve të tyre, mes të cilëve dhjetra akademikë nga Prishtina e Tirana.

Këtij eventi mbresëlënës i parapriu vendosja e kurorave me lule të freskëta në varrin e Heroit të Popullit Fadil Hoxha e Vahide Hoxha dhe në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së.

Hapja e eventit u bë nga kryetari i Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Kosovës, dega në Gjakovë, Gazmend Hoxha. Më pas vijuan me fjalët përshëndetëse, kryetari i Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Kosovës, Lekë Hoxha dhe Tatjana Parllaku, kryetare OBVLP Shqipëri .

Akademik Jusuf Bajraktari mbajti referatin : “Idealizmi shqiptar në përthyrjet dramatike të Luftës së Dytë Botërore”,

Akademik. Marenglen Verli referoi mbi “Faktorët që penguan Fuqitë e Boshtit të kryenin rekrutimin masiv në Kosovë” , ndërsa  Prof. Gëzim Ibrahim Prengzi foli mbi Pasojat që ka pas Malësia e Gjakovës pas mohimit të vendimeve të Konferencës së Bujanit. Nënkryetari i OVLANÇ të Kosovës Bashkim Hisari (në fjalën e mbylljes) vlerësoi kontributin e dy organizatave tona në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të LANÇ e të UÇK-së.

Përshëndeta edhe unë në emër të kryesisë së OBVLP të Shqipërisë, si më poshtë:

FITORJA E DYTË MË E MADHE NË HISTORINË TONË KOMBËTARE

Në këtë jubile të 80-vjetorit të fitores së madhe të bllokut antifashist, ne shqiptarët kemi të drejtë të krenohemi për Luftën tonë të lavdishme, për sakrificat mbinjerëzore dhe gjakun e dhjetëra mijëra dëshmorëve që u bënë pjesë e bllokut antifashist të popujve të botës të kryesuar nga Aleanca Anglo – Sovjeto-Amerikane.

Në Luftën Anti-Fashiste në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e kudo, ku jetonin shqiptarët në trojet e tyre etnike, ata ju bashkuan njëzëri forcave të lirisë kundër atyre të errësirës.

Me sakrificat e partizanëve shqiptarë u arrit jo vetëm pavarësia e Shqipërisë, por edhe e drejta e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje dhe e shqiptarëve, kudo që jetonin, për të qëndruar në trojet e tyre etnike.

Kjo ishte fitorja e dytë më e madhe në historinë tonë kombëtare pas shpalljes së pavarësise dhe ngritjes së flamurit në Vlorë.

Në Luftën e Dytë Botërore i gjithë populli shqiptar ishte në rrezik. Shqipëria mund te humbiste pavarësine. Populli shqiptar i Kosovës dhe shqiptaret e tjerë në trojet e tyre etnike mund të shpërnguleshin dhe të pësonin fatin e shqiptarëve që u dëbuan me forcën e armëve nga serbët në vitet 1870 – 1980, nga zonat e Nishit, Vranjes, Prokupjes, Leskocit etj, si edhe te popullit Cam.

MBËSHTETJA DHE NDIHMA E ALEATËVE ANGLO-AMERIKANË

Na fjalën time iu referova librit Testament per Brezat, “Memoria historike e Kombit”, të gjeneral Rrahman Parllakut, Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, I cili deklaron se po të mos kishte filluar dhe të zhvillohej më tej Lufta Nacionalçlirimtare, kombi shqiptar do te kishte shkuar ne humnere bashkë me nazifashistet dhe do të ishin plotësuar lakmitë grabitqare sllavo-greke për copëtimin e shtetit shqiptar, për të cilat punonin fuqishëm qeveritë mbreterore greko-serbe në egzil.

Zhvillimi i Luftës Nacionalçlirimtare e përfshiu të gjithë Shqipërinë dhe brenda vitit 1942 u krijuan 22 çeta prtizane nga Konispoli në jug deri në Malësinë e Gjakovës në Veri. Jehona e kësaj lufte bëri që ministrat e jashtëm të Anglisë – Iden, i Bashkimit Sovjetik – Molotov dhe i SHBA-së – Hill, në dhjetor të vitit 1942, të deklaronin se dëshironin ta shikonin Shqipërinë të çliruar nga zgjedha Italiane dhe të vendosej pavarësia e saj. Forma e regjimit dhe e qeverisë që do të vendosej në Shqipëri do të ishte një çeshtje që do ta vendoste vetë populli shqiptar në mbarim të luftës. Në këtë deklaratë qeveria angleze ishte e rezervuar kur shprehej se e shikonte çeshtjen e kufijve të Shqipërisë pas luftës, si një çeshtje që duhej të merrej në shqyrtim në Konferencën e Paqes. Keshtu kjo deklaratë u bë mbështetje për qeveritë greko-jugosllave në egzil që po përgatisnin plane për copëtimin e Shqipërisë.

Lufta Nacionalçlirimtare mori zhvillim të vrullshem me krjimin e reparteve sulmuese të Ushtrisë Çlirimtare dhe me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm, ne 10 Korrik 1943. Shtabi centralioi veprimet luftarake duke shtuar goditjet kundër pushtuesve dhe duke krijuar zona të lira. Në këtë kohë Aleatët e në rradhë të parë Anglezët dërguan përfaqësuesit e tyre pranë Shtabit të Përgjithshëm, të cilët ndiqnin nga afër Luften tonë Çlirimtare dhe u bindën se e vetmja forcë ushtarake e organizuar në Shqipëri që bënte luftë të vendosur kundër pushtuesve Nazifashiste ishte Ushtria Nacionalçlirimtare. Të bindur për këtë ata i shtuan misionet e tyre në vendin tonë dhe filluan të na ndihmojnë me armatime dhe materiale luftarake, ndonëse të kufizuara për shtimin dhe zgjerimin e ushtrisë sonë gjatë viteve 1943-1944. Nga ana tjetër përfaqësuesit e ushtrive aleate bënë të gjitha përpjekjet e mundshme për të bashkuar dhe futur në luftë forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit por pa sukses.

ZGJERIMI DHE ORGANIZIMI I LANÇ

Me thyerjen e operacionit gjerman të Qershorit ’44, i fundit i ndërmarrë nga nazistët në vendin tonë, në korrik 1944 forcat e Divizionit të Parë kaluan në mësymje për çlirimin e Shqipërisë së Mesme e të Veriut, dhe me çlirimin e Matit, të Dibrës e të Lumës, Brigada e Pestë u shkëput nga varësia e Divizionit të Parë, dhe sëbashku me Brigadën e Tretë morën urdhër të kalojnë në Kosovë për të ndihmuar në çlirimin e saj.

Detyra kryesore që na ngarkonte Shtabi i Përgjithshëm ishte që, në bashkëpunim të ngushtë me forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, të godisnin pa ndërprerë forcat naziste, të shpejtonim çlirimin e Kosovës, të ndihmonim që rinia kosovare të merrte pjesë masive në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare,dhe me qëllim që Kosova të bëhej pjesëtare e aleancës antifashiste të popujve që luftonin kundër nazistëve dhe në këtë mënyrë të fitonte të drejtën për vetëvendosje; si edhe të ndihmonim për ngritjen e Këshillave Nacionalçlirimtare në zonat e çliruara.

Për realizimin e këtyre detyrave dhe drejtimin e veprimeve luftarake u krijua Shtabi i Përbashkët Operativ i dy Brigadave tona dhe Forcave të Kosovës, te kryesuara nga Fadil Hoxha – komandant i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, Shefqet Peçi – komandant i Brigadës së Pestë dhe Hulusi Spahiu – komandant i Brigadës së Tretë.

Megjithë rezistencën e ashpër të forcave naziste dhe të mbeturinave të Divizionit SS Skënderbeg, për të mbajtur qytetet Prizren, Gjakovë dhe Pejë, si dhe për të siguruar tërheqjen e shpejtë dhe të organizuar të reparteve , për në frontin Perëndimor kundër forcave aleate, forcat tona i mundën dhe i shpartalluan nazistët me luftime shumë të ashpra që u zhvilluan në Gjakovë, sidomos në Junik dhe Deçan.

Në këto luftime, Brigada e Tretë ka pasur humbjet më të mëdha në historinë e saj luftarake, me 32 të vrarë dhe shumë të plagosur. Edhe armiku pati humbje të rënda, me shumë të vrarë dhe të plagosur; gjithashtu u zunë rreth 30 robër nga forcat e Divizionit Skënderbeg.

Partizanët tanë, të zemëruar nga humbja e madhe e shokëve te tyre, kërkuan me këmbëngulje pushkatimin e robërve. Por, me shumë vështirësi, ne i bindëm dhe i liruam të gjithë roberit pasi partizanët e Brigadës së 3-të dhe të 5-të nuk kishin shkuar në Kosovë për të vrarë vëllezërit e tyre, por për çlirimin e Kosovës.

Atyre iu morën armët, u liruan dhe u porositën që të mos shkonin përsëri në shërbim të armikut qe të mos vriteshim vëlla me vëlla, siç ndodhi në ato luftime. Duhet të pohojmë se, pas asaj dite, pushkë kosovari nuk qëlloi më kundër partizanëve shqiptarë.

PJESËMARRJA MASIVE E POPULLIT TË KOSOVËS NË LANÇ

Luftimet për çlirimin e Deçanit, Pejës dhe gjithë Rrafshit të Dukagjinit përfunduan më 17 nëntor të vitit 1944. Është e gabuar të thuhet se forcat tona vranë njerëz të pafajshëm në Kosovë. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë rast, dhe këtë e dëshmojnë dëshmitarët e gjallë të asaj kohe. Vrasjet kanë ndodhur vetëm kur forcat kanë qenë ballë për ballë në fushën e luftimit. Kjo e vërtetë u dëshmua edhe shumë vite më vonë nga ata që u liruan dhe mbeten te gjallë nga ato luftime.

Pjesëmarrja masive në Luftën Nacionalçlirimtare e popullit të Kosovës, nën drejtimin e Fadil Hoxhës dhe shokëve të tij, ishte vendimtare. Ajo bëri që të dështojnë planet e Vasa Çubriloviqit, të servirura komandës së ushtrisë jugosllave për spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre.

Arkitekti i mendimit shovinist serb, Vasa Çubriloviq, me elaboratin e tij të dytë të vitit 1944, jepte direktivën politike se kishte ardhur momenti për t’i “larë hesapet” me shqiptarët njëherë e përgjithmonë, duke i dëbuar ata nga trojet e tyre. Ai pohonte se kurrë më parë nuk kishin pasur kushte më të favorshme për këtë veprim. Në elaboratin e tij ai theksonte: “Lufta është momenti më i përshtatshëm për zgjidhjen e këtij problemi.” Çubriloviqi shprehte bindjen se aleatët do të kuptonin dhe do të plotësonin dëshirat e Serbisë, duke pasur një shpresë të madhe te Bashkimi Sovjetik.

Në fund, ideologu shovinist serb jepte direktivën për ushtrinë: “Ushtria gjatë operacioneve luftarake duhet të spastrojë në mënyrë të planifikuar dhe të pamëshirshme pakicat kombëtare shqiptare.”

Konferenca e “Tre të Mëdhenjve” — Churchill, Stalin dhe Roosevelt — i jepte të drejtë shteteve fituese në luftë për shpërnguljen e pakicave kombëtare që ishin bashkuar me bllokun nazist. Një shembull konkret ishte shpërngulja e më shumë se 10 milionë gjermanëve nga Prusia dhe Kracovia.

Megjithatë, platforma politike dhe ushtarake e Çubriloviqit nuk u zbatua plotësisht. Lufta e Brigadave tona për çlirimin e krahinave të Kosovës dha një ndihmesë të madhe për pjesëmarrjen e djemve kosovarë në luftë. Me largimin e brigadave tona nga Kosova drejt Sanxhakut dhe Bosnjë, Forcat serbo-sllave u përpoqën të vinin në zbatim planin e Çubriloviqit, por ishte tepër vonë. Shqiptarët, të armatosur dhe të vendosur, bënë një qëndresë të fortë, duke luftuar për jetë a vdekje për çlirimin e vendit të tyre. Nën komandën e Shaban Polluzhës, shqiptarët arritën të parandalonin realizimin e këtij plani, duke mbetur përgjithmonë në trojet e tyre etnike.

Forcat e dy divizioneve tona vazhduan luftën në tokat jugosllave, duke dhënë ndihmesën e tyre jo vetëm në çlirimin e krahinave të Malit të Zi, Sanxhakut dhe Bosnjës, por edhe duke penguar dhe dëmtuar forcat naziste që përpiqeshin të tërhiqeshin drejt Perëndimit. Luftimet tona në ato vende u zhvilluan në kushte të vështira, të ngjashme me dimrin e vitit 1943-1944 në Shqipëri, me mungesë të theksuar të ushqimeve dhe mjeteve jetësore.

Megjithatë, forcat tona e kryen detyrën me nder. Gjatë këtyre luftimeve ranë rreth 600 dëshmorë të dy divizioneve tona, duke dhënë një kontribut të veçantë në luftën antifashiste.

Populli ynë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe kudo në trojet etnike është krenar që u bashkua me luftën në Aleancën e Madhe Antifashiste të popujve. Trojet tona jo vetëm që u çliruan pa ndërhyrjen direkte të forcave aleate, por dhanë një kontribut të çmuar në këtë luftë.

Në këtë përvjetor, ne shprehim falënderimet tona për ndihmën që na dhanë aleatët e mëdhenj — Anglia, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës — që shkatërruan bishën naziste dhe siguruan lirinë për popujt. Lavdi dëshmorëve të kombit tonë që ranë në të gjitha luftërat për liri!

*Ish këshilltare e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SHT Z. Alfred Moisiu