Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Luftoi nga Shijaku në Kosovë
Bahri H. Shaqiri lindi në Shijak më 22 prill 1922. Aty kreu dhe shkollën fillore. Studimet i vazhdoi në Shkodër, në Tiranë në gjimnaz më 1938, ku u njoh me Qemal Stafën, Manush Alimanin etj. Ishte djalë shtatgjatë e truphollë, me sy të zjarrtë e të qeshur, kishte temperament të gjallë, merrte pjesë në lojerat sportive dhe aktivitetet kulturore-artistike që zhvilloheshin në shkolla, i binte bukur violinës dhe shkruante vargje.
Në Shijak u lidh me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku si agjitator, shpërndarës i shtypit të Partisë, pjesëmarrës me guerilasit për prerjen e telave telefonike në korrik 1942, spikati kudo gjakftohtesia, guximi dhe gatishmëria për të bërë çdo sakrificë për çështjen e lirisë së atdheut. Veprimtaria e tij ra në sy të armikut dhe më 5 korrik 1943 hidhet në rreshtat partizane në forcat e Pezës, në çetën që vepronte në zonën e Shijakut, ku zgjidhet përgjegjës i rinisë në çetë. Në batalionin e parë të Grupit të Pezës, Bahriu u caktua komisar politik kompanie, ku mori pjesë në luftimet në Karpën e në Pezën e Vogël. Në dhjetor 1943 kaloi me detyrë pranë shtabit të Grupit Partizan të Pezës. Në fund të dhjetorit 1943 Bahri Shaqiri u dërgua me detyre partie në Kosovë. Aty për 10 muaj bëri një punë të madhe me rininë shkollore e me rininë punonjëse në Prishtinë e në Gjakovë.
Në tetor-nëntor 1944 forcat e DVS të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, në bashkëpunim me forcat partizane vendase, zhvilluan luftime të ashpra kundër forcave hitleriane e tradhtare në Kosovë. Brigadat shqiptare e ndoqën këmba-këmbës armikun gjatë muajit dhjetor 1944. Në një nga luftimet që zhvilloi kundër armiqve, batalioni ku bënte pjesë Bahriu, u gjend i rrethuar. Duke çarë rrethimin, Bahriu as u tremb, as u tërhoq dhe e vazhdoi luftimin… po nuk kaloi shumë dhe u godit për vdekje. Populli kosovar i bëri nderimet e merituara birit që dha jetën për çlirimin e tij. Eshtrat e tij në vitin 1976 u prunë në Tiranë dhe janë vendosur në varret e dëshmorëve.
Ja zbardhe faqen plakut…
Hasan Hysen Bardhoshi ishte nga fshati Qarr i Krumës së Hasit të Thatë, i lindur në vitin 1920. Shumë kujtime të sjell ky vend. Malet që e rrethojnë në shekuj kanë shërbyer si çerdhe të luftëtarëve të lirise dhe të pavarësisë. Nga fshati Qarr qenë nisur forcat e Bajram Currit në maj të vitit 1924 për të sulmuar qendrën e prefekturës së Kosovës, Krumën. Në luftimet që u zhvilluan për marrjen e Krumës e deri në Kala të Dodës, krah për krah me Bajram Currin mori pjesë dhe i ati i Hasanit, Hyseni, i cili e pat shoqëruar plakun e maleve në çdo betejë. Hasani i vogël, u rrit me jehonën e krismave të armëve në ato vite të stuhishme… Shkollën fillore e kreu në fshatin Golaj, pastaj vazhdoi mësimet në internatin “Kosova” të Krumës dhe në gjimnazin e qytetit të Shkodrës. Këtu Hasani u njoh me gjimnazistë dhe me idetë revolucionare, si me Emin Durakun, Nazmi Rushitin etj. Hasani u aktivizua dhe shpejt veprimtaria e tij ra në sy të autoriteteve, të cilët e përjashtuan nga shkolla. Ai u kthye në Qarr dhe kapi shatin për të punuar si bujk pa e ndërprerë asnjë çast veprimtarinë e tij revolucionare. Kështu në krahinën e largët dhe të izoluar të Hasit, punoi me ngulm në dobi të Luftës Nacionalçlirimtare. Hasani ishte një nga partizanët e parë të asaj krahine që hodhi pushkën krahut dhe doli malit për liri. Me formimin e BrXXVS, ai u radhit në rreshtat e saj dhe në të gjitha luftimet u shqua për trimëri të rrallë. Për këto merita shtabi i brigadës e caktoi atë zëvendëskomandant batalioni, për anën ekonomike, detyrë të cilën e kreu deri në fund. Çlirimi i vendit tonë nga pushtuesit nazistë dhe tradhtarët e vendit, për të cilin ëndërronte gjithnjë Hasani, e gjeti atë jashtë kufijve të atdheut duke luftuar në Kosovë dhe në tokat e Jugosllavisë. Ai mori pjesë në të gjitha luftimet e ashpra që zhvilluan partizanët e BrXXVS si në Kosovë, Ferizaj, Pripolje e deri në Sanxhak.
…Ishte janari i vitit 1945. Bënte ftohtë dhe acar i madh. Dëbora e kalonte metrin, megjithatë partizanët çanin përpara. Së bashku me ta luftonte edhe Hasani, i cili sulej me furi duke lëshuar me pushkën e tij plumba mbi kokat e armikut. Në ato ditë të janarit në Sanxhakun malor u zhvilluan shumë luftime, të cilat u kurorëzuan me sukses nga partizanët tanë trima. Në këto luftime të ashpra ra me armë në dorë partizani Hasan Qarri.
Gazeta e xhepit e BrXXVS “Luftëtari i malësisë” shkroi: “Një predhë gjakatare vërshëlleu dhe krisma e saj ushtoi në grykat e Sanxhakut të mbulue me dëborë. Trupin e partizanit Hasan Hyseni Qarri e kishin dërmue copat e murtajës… Ja edhe nji martir i ri. Hasani ra dëshmor në fushën e betejës, këtu në tokat e Sanxhakut, larg atdheut”. Kur i shkoi lajmi nënës së Hasanit për vrasjen e të birit, ajo ligjëroi: “Ti ja zbardhe faqen Plakut,/ Ylli i kuq me pika të gjakut…”. Është shpallur Dëshmor i Atdheut më vendim nr. 104, datë 13.11.1969 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit Tropojë.
Kudo luftoi me trimëri
Mushak Kadri Rustemaj kishte lindur në vitin 1921 në fshatin Koçanaj të rrethit të Tropojës. Shkollën fillore e kreu në fshatin Kolgecaj dhe deri në vitin 1941 qëndroi pranë familjes në fshat. Në vitin 1942, gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak, ra në kontakt me shokë të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe së bashku me një grup shokësh u arratis nga ushtria. Kur u kthye në shtëpi, u bashkua menjëherë me çetën territoriale të Lumit të Gashit. Armiku për aktivitetin e tij revolucionar u përpoq ta zhdukte dhe familjen t’ia persekutonte. Familjarët u detyruan të jetonin për një kohë në Brodozhnicë. Mushaku mori pjesë në disa aksione: si në aksionin në rrugën Pejë-Gjakovë, në Krumë, ku u shkatërrua posta e xhandarmërisë, në Zherkë, ku luftoi trimërisht kundër forcave të shumta të Pashuk Bibës etj. Kudo ai luftoi me trimëri. Në korrik të vitit 1944 u pranua në radhët e PKSH dhe me krijimin e BrXXVS u emërua komisar kompanie. Në këtë periudhë në zonat e Veriut reaksioni vendes grumbullonte forca dhe kërkonte t’i mbante këto nën ndikimin e vet.
Partizanët e BrXXVS zhvilluan luftime të shpeshta me forcat reaksionare të grumbulluara në Veri si në Theth, Nikaj e Mertur. Në këto përpjekje në rreshtat e para ishte dhe komisari i kompanisë Mushak Rustemaj. Në dhjetorin e vitit 1944 mori pjesë në luftimet e ashpra që zhvilloi brigada jashtë kufijve të Atdheut si në Ferizaj e Judovnik. Vdiq në spitalin partizan të Ivanës, në shkurt të vitit 1945. Është shpallur Dëshmor i Atdheut më vendim nr. 52, datë 04.11.1969 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit Tropojë.
Mos më qani…vazhdoni luftën
Qazim Maliq Shehu lindi në Shtiqën të Kukësit më 1918, në një familje patriote. Kreu shkollën fillore dhe vështirësitë ekonomike të familjes e detyruan të marrë rrugën e kurbetit… e kaliti puna, vuajtjet dhe jeta prej punëtori në Kosovë e Maqedoni. Në dhjetor 1941 pranohet në Partinë Komuniste dhe nisi aktivitetin luftarak. Në Tetovë punonte dhe bëri jetën e një militant dhe pjesëtari të njësitit gueril. Ai ka marrë pjesë në aksionet e njësitit në marrjen e armëve, në likuidimin e spiunëve, në djegien e depove armike, në marrjen e dokumenteve të komandës gjermane etj. Në kushtet e luftës ilegale, kreu një aktivitet dhe si ndërlidhës i njësiteve partizane të krahinës së Lumës me Kosovën etj.
Në vitin 1943 Qazimi kalon në radhët e brigadave partizane në Kosovë, ku zgjidhet zëvendëskomandant kompanie dhe pas komandant kompanie. Në vitin 1944 kryen detyrën e komandantit të batalionit duke shfaqur aftësi, trimëri, shkathtësi dhe mprehtësi në luftime. Në betejë e fundit mars 1945, duke sulmuar e treguar si gjithnjë shembull të lartë heroizmi e guximi prej militanti komunist, fjalët e fundit ishin “Mos më qani. Vazhdoni luftën”! Është shpallur Dëshmor i Atdheut më vendim nr. 104, datë 13.9.1969 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit Kukës.
Mos u shqetësoni, jam plagosur lehtë
Prek Mani lindi në fshatin Tetaj të Lekbibajt në vitin 1922. Familjen e tij shquhej për ndjenja patriotike, ndaj regjimi zogist e persekutoi, ndaj familja u detyruan të largoheshin nga fshati dhe nisi jetën e kaçakëve, maleve e shpellave të Tropojës e të Kosovës. Preka jetoi për disa vjet në Romoc të Gjakovës. Aty vazhdoi klasën e katërt të fillores, ku u dallua për zgjuarsi e urtësi. Por atë e përjashtuan nga shkolla, mbasi xhaxhai i tij ishte i arratisur. Vuajtjet e burrëruan para kohe, e bënë më të fortë. Më 1937 u kthye në vendlindje së bashku me të afërmit e tij. Në tetor 1944 u bashkua me forcat e BrXXVS. Ky ishte një gëzim për Prekën. Në luftimet në Qafë të Kolpit ashtu dhe në luftimet e tjera për çlirimin e asaj zone u tregua i zgjuar e trim. Në nëntor 1944, mbas çlirimit të Tropojës, BrXXVS, vazhdoi luftën përtej kufirit për çlirimin e popujve të Jugosllavisë. Në luftimet që zhvilluan forcat partizane kundër gjermanëve dhe çetnikëve në territorin e Jugosllavisë Preka u shqua për guxim. Vdiq në duart e shokëve partizanë, në spitalin e Ivanës, nga plagët e rënda që mori në luftimet e zhvilluara në malin Judovnik në janar 1945.
Është shpallur Dëshmor i Atdheut më vendim nr. 52, datë 04.11.1969 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit Tropojë.
Jam mirë, vazhdoni rrugën…
Oso Cakraj ishte 17 vjeç, kur në mëngjesin e 28 gushtit 1943, shkonte drejt Valbonës për të marrë pjesë në kuvendin historik të Malësisë. Ai ishte lindur në vitin 1926 në një familje të varfër, por Oso, por i kuptonte problemet e mëdha të popullit dhe kishte pjekurinë e një burri të rrahur në jetë. Mori pjesë në mbledhjet e formimit të batalionit territorial “Rinia” më 27 nëntor 1943, në fshatin Tplan. Ndërsa më 6 nëntor 1944, me krijimin e BrXXVS u radhit në batalionin e dytë të brigadës. Luftëtarët kishin parë tek Oso tipare të karakterit të tij, humor të këndshëm, besim në fitoren dhe të ardhme të lumtur.
Në dimrin e ashpër Oso me luftëtarë po i ngjiteshin malit të ashpër për të ndjekur nazismin dhe përtej kufijve të atdheut. Oso kishte zënë një pozicion luftimi, kur një predhë mortaje gjermane qëlloi pranë tij. Luftëtarin e ri e mbuloi dheu e bora. Oso u ngrit dhe duke shkundur dheun e borën, pa shokë të shqetësuar që e shikonin dhe u tha “Nuk kam gjë, jam mirë”. Pastaj u përkul, zuri vend në pozicion dhe filloi të shtjerë pa pushim mbi fashistët. Kështu, me vetëmohim luftoi Oso në të gjitha betejat ku mori pjesë. Por në rrugën dimërore plot ngrica e të ftohtë jashtë atdheut përveç gjermanëve e reaksionarëve vendas, u shfaq dhe një armik i ri, sëmundja e tifos. Pikërisht në një “spital” me të sëmurë të tillë, u nda nga shokët dhe djaloshi 19-vjeçar nga fshati Lugaj, Oso Daut Cakraj, në fillimin e muajt prill 1945. Ai është shpallur Dëshmor i Atdheut më vendim nr. 52, datë 04.11.1969 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit Tropojë.
(Marrë ngaGazeta Destinacioni, 14/04/2025)