MEVLUD BUCI
Hoxhë Brunga ishte i thjeshtë si e vërteta. Kurdoherë me praninë e tij në popull, ai e shfaqte madhështinë e thjeshtësisë së tij me virtyte të rralla, si njeri i mirëpritur. Për Hoxhë Brungën, birin e Gur-Lurës, kanë shkruar e kënduar: Nikolin Guri-autor teksti virtuoz, Gëzim Ahmetaj -po kështu këngëtar, si dhe Alfred Qemalja-orkestrant virtuoz.
Figura e tij si legjendë dhe emblemë shqiptarie nderohet nga vendlindja-Dibra dhe më gjerë.
Një këngë për të këndohet me vargjet: “Burra në za ka rrit vatani/ Hoxhë Brunga -ky imami/ për Hoxhë Brugën sa t`jetë jeta/ kënga do këndohet nëpër breza”.
Nikolin Guri është autor i tekstit dhe kënga këndohet nga Gëzim Ahmetaj.
Po kush është Hoxhë Brunga?
Ai u shkollua në Stamboll u kthye në vendlindje dhe shërbeu me devotshmëri. “Njeri me dije e culture/ Caktohet imam në Lurë../ Atje në Dibër në Gur Lurë/ Na ka rrit shtat ky burrë…”
Këtu në Lurë Hoxhë Bruka dha prova të shërbimit ndaj vëllazërisë dhe të unitetit duke kultivuar te njerëzit besim, paqe e urtësi.
Kënga na pasqyron besimin dhe urtësinë, dhe vazhdon me vargjet: “Krenari të ka Gur Lura/ Hoxha jonë Sulejman Brunga”
Hoxha ishte jo vetëm fetar, por edhe doktor, edhe projektues, dhe mbi të gjitha atdhetar i flaktë, ndaj kënga e ngre atë në lartësinë e nderimit të njeriut të punës.
Hoxha nuk u përkul nga komunizmi edhe pse në rrethana të vështira ai diti ta përballojë çdo kufizim pa harruar shërbesat e tij fetare, as mësimet e tij morale të urtësisë që kishin lidhje me mësimet e fesë..Ai diti të bëjë mirë edhe të ruajë vlerat e tij dhe të mesazheve të fjalëve të tij të urta.
Hoxhë Brunga jo vetëm ishte fetar, por ai diti edhe në ditë të vështira të ruajë fenë, të ruajë urtësinë dhe shpresën, si dhe besimin e palëkundur në Zot.
Ndaj vendlindja e tij krenohet me të, si njeri zemër madh, doktor e inxhinier, projektues i Sharrave me ujë. Ai punoi në Sharra të Dibrës, Pukës, Burrelit e në Kukës. Ai është fetari që u vinte në ndihmë njerëzve jo vetëm për shërbesat shpirtërore , por edhe për dobitë praktike.
Hoxhë Sulejman Bruka është veteran i qëndresës morale- njeriu i mirësisë dhe i dashurisë për atdheun, për njerëzit, njeriu i sakrificave të mëdha në dobi të komunitetit, prandaj kënga për të gjëmon e ndihet nëpër breza me vargjet: “Për Hoxhë Brungën sa të jetë jeta/ Kënga këndohet nëpër breza…”
Këto janë gjurmët që le në jetë një njeri i përkushtuar ndaj atdheut të tij, që meriton vlerësimin jo vetëm të bashkëkohësve, por edhe të brezave më pas.