Zef Rrozhani

Për miqtë tanë na merr shpesh malli për tu takuar. Kur kalojnë disa ditë mendojmë për to bile dhe të shqetësuar. Vendosa të kaloja njëherë nga puna e djemve të tij, atje ku shpesh e gjeja.  Sapo këmba më shkeli në pragun e dyqanit vura re dy djemtë dhe një grua veshur në zi. 

I përshëndeta me dorën në zemër, sepse Covid-19 sëmundja e mallkuar nuk na lejonte të takoheshim si dikur. I pyeta për mikun tim të shtrenjtë, Fatbardhin, sepse kisha kohë pa e parë. Djemve Tanit dhe Sajmirit, me ato fytyra burrërore, shkëlqen si kristal loti i pathyeshëm dhe iu bashkëngjit fraza : Babai na la !  Nuk u besoja dot veshëve dhe doja t’i ngushëlloja siç i ka hije shqiptarit, por flama kishte ligjet e saj, distancimin social. U ula në karrige për të marrë vehten, por edhe për të mësuar më shumë.  Ndërkohë djemtë dhe bashkëshortja Drita më tregonin unë kujtoja si e njoha këtë burrë fisnik, malësor jugu. Ne gazetarët, jemi kronikanët e pasazheve jetësore, kemi fatin të bëhemi pjesë e jetës e shoqërisë sonë.

Fatbardh Musabelliun e kam njohur në një tavolinë të ëmbël mes miqsh. Tek ai dallohej pamja e njeriut me prezencë mbresëlënëse, ku sytë e çiltër, vetulla fisnike, mustaqet e trashëguara nga i ati Vesel bej Ujaniku nga Skrapari, i kollarisur aq sa edhe pikturë të ishte, nuk do të kishte kombinim më perfekt.

Fatbardh Vesel Ujaniku lindi më 10 prill të vitit 1950 të shekullit të kaluar, fëmija i nëntë nga dhjetë fëmijët e Vesel Ujanikut. Ishte 12 vjeç kur u shpërngul nga ai fshat i bekuar për t’u vendosur në fshatin pashalli të Beratit.  I mbetun jetim nga nëna, vendosi t’i bëhej krah babait të tij të mrekullueshëm. U vendos aty në ndërmarrjen e bonifikimit me punë të ndryshme. Ishte i dashuruar pas asaj pune mekanike ku eskavatorët e buldozerët ato mjete të fuqishme, hapnin kanale, thanin këneta dhe pas gjithë asaj pune lulzon jeta, ku parcelat e pafundme gjelbëronin. Nga dashuria për punën dhe profesionin që në moshë të re u bë ndihmës e skavatorist. Duke parë aftësitë e tij profesionale atij djali tashmë gjigand iu besua drejtimi i një eskavatori. Tashmë ajo makineri me bigën e sajë drejt qiellit gërmonte dheun e baltosur për të çelur kanale kulluese dhe vaditëse. Dhe emri i tij, puna e palodhur bënë që ai të dallohej mes të tjerëve. 17 vjet fotografia e tij qëndroi në tabelën e njerëzve pararojë të punës mes qytetit të Beratit. Ai ishte i të gjithëve ishte vetë mirësia, ishte vetë shembulli.

Fatbardh Musabelliu ishte kryetar i Bashkimeve profesionale, organizatë që me zërin e tij ishte pranë halleve dhe problemeve të ndryshme të punonjësve . E për këto ai ishte zgjedhur në presidiumin e këtij forumi në rrethin e Beratit. Zëri i tij tingëllonte fuqishëm kurdo e kudo për nevojat e punonjësve. Gjurmët e tij në punë dhe në jetë ishin kudo. 

Eskavatoristi i talentuar ku nuk ka punuar në Rehovë Belesovë, Buz të Tepelenës në Pash Aliman të Vlorës e gjetkë. Kudo që punoi shkëlqeu si mjeshtër i punës, vetëm një fakt të bind. Në bilancin e punës së këtij del që në vitin 1985 të shekullit të kaluar, ai kishte realizuar projektet e vitit 2000. E kjo nuk do asnjë koment. Fatbardhin përveç punëtor i parajsës, e gjejmë edhe si politikbërës. Ai ishte një ndër delegatët dhe folësit në podiumin e Kongresit të 10-të të Partisë të asaj kohe.  Ish delegatët e të tjerë e kujtojnë atë fjalim të tij plot kritika dhe sugjerime që për kohën ishin të vështira. I thjeshtë si Ai dhe kurajoz vetëm të vërtetën. Edhe me ndrrimin e sistemeve ai nuk u nda nga njerëzit. Atij kurdo dhe nga të gjithë i dëgjohet fjala, sepse ai ishte i thjeshtë si e vërteta.  I devotshëm dhe trim ai nuk nguroi të mbronte votën në vitin e mbrapshtë 1997 si pjesë e komisionit të zgjedhjeve në Uznovë të Beratit. Ai nuk dinte të bënte dallim në asnjë krah politik. Në tryezat e Partisë Socialiste të Beratit ai ngrinte zërin fuqishëm për drejtësi, pa dallime. E koha e solli që në vitin 2000 të vendosej në Tiranë. Por ai nuk ndenji duar kryq, por ju përvesh punës e ku nuk e gjeje atë si drejtues ndërtimesh nga Jugu në Veri e në Mal të Zi e Maqedoni, së fundi në Klos të Matit, kudo e kurdo ai la gjurmë jete plot mirësi. Përveç punës ai pëlqente këngën. I pari në punë, i pari në këngë. Po bëhen dy vjet që djalin e Sajmirit e kanë pagëzuar me emrin e gjyshit të tij. Mes nipërve e mbesave të dy djemve e vajzës së Fatbardhit do të jetë edhe Fatbardhi i vogël i cili plot ëmbëlsi përpara fotografisë së gjyshit shqipton o gjysi. E ai burrë plot dinjitet prehet i qetë dhe jeton në kujtimet e të vetëve të Dritës  asaj bashkëshorteje të mrekullueshme. Ai që nuk harrohet nuk vdes kurrë.

Më 5 janar 2021 pushoi ajo zemër e atij njeriu të mrekullueshëm.