Gjenerallejtënant Arben Kingji: Themel i rëndësishëm në formimin profesional të brezave pas Luftës së Dytë Botërore

E premte, 28 mars 2025 –80-vjetori i themelimit të ish-Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej” mblodhi në një aktivitet ish-nxënës, pedagogë dhe drejtues të ish-Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”, por edhe oficerë dhe përfaqësues të Forcave të Armatosura. Të pranishëm ishin edhe ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu, zëvendësministri i Mbrojtjes Enkelejd Joti, deputetë të Kuvendit dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjenerallejtënant Arben Kingji….

Aktiviteti nisi me një interpretim emocionues të himnit kombëtar nga kuarteti i harqeve dhe këngëtarët e orkestrës simfonike të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ndërsa për të kujtuar kontributin e këtij institucioni në edukimin e brezave u shfaq për të pranishmit, një dokumentar kushtuar historikut të shkollës.

Ministri i Mbrojtjes, z. Pirro Vengu, nënvizoi vlerat që Shkolla “Skënderbej” ka dhënë për arsimimin ushtarak shqiptar dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura. “Emri Skënderbegas, ende reflekton peshën historike në radhët e Forcave tona të Armatosura. Skënderbegasit apo Beksat, siç ju e përdorni, u shquan dhe shquhen si shembull i përkushtimit, nderit, disiplinës dhe atdhetarisë. Këtë e dëshmon prania juaj sot këtu, punët dhe veprat tuaja ndër dekada. Në këtë kontekst, kjo shkollë mendoj ja ka dalë me krenari të edukojë breza të tërë dhe padyshim si çdo shkollë, ajo lëshon rrënjë të thella edhe nxjerr degë me plot fryte dhe besoj se duhet ta rimarrim patjetër si shembull, shembullin e atyre pedagogëve që me përkushtimin e të cilëve është ndërtuar, jo vetëm një gjeneratë e tërë drejtuesish ushtarakë që sot e kësaj dite vijojnë e mbajnë përgjegjësi shumë të nderuara, por edhe metodat dhe përkushtimin, të cilat duhet t’i rizbulojmë”. – theksoi Ministri Vengu. Ai premtoi që në përvjetorin e ardhshëm, të mblidhen në një sallë më të madhe, e cila do të jetë pjesë e kampusit të ri të Akademisë së Forcave të Armatosura, në Tufinë. Në fjalën e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjenerallejtënant Arben Kingji e cilësoi këtë institucion si një themel të rëndësishëm në formimin profesional të brezave pas Luftës së Dytë Botërore. Nga ana e tij, komandanti i Akademisë së Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Nuredinaj, edhe si një ish-nxënës i Shkollës “Skënderbej” theksoi rëndësinë e saj si vatër edukimi dhe formimi të ushtarakëve dhe qytetarëve të përkushtuar për shoqërinë. Po ashtu, ish-komandanti i kësaj shkolle, Mikali Vaso, shprehu mirënjohjen për kontributin e pedagogëve dhe nxënësve të shkollës.
Në këtë ceremoni u shpërndanë certifikata nderi për katër personalitete të shquara të dala nga kjo shkollë.

Legjenda e arsimimit ushtarak shqiptar

Projekti për hapjen e shkollës “Skënderbej” i takon shkurtit të vitit 1945. Me urdhër të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare (UNÇL) që përkonte me veprimtarine e njësive partizane jashtë kufijve të Shqipërisë, komandat partizane porositeshin të kthenin në Shqipëri partizanët e vegjël për t’u shkolluar. Në urdhër përcaktohej: “Meqënëse së shpejti çelen shkollat, duke patur parasysh se kjo kategori luftetarësh partizanë ka nevojë më shumë se kushdo tjetër për arsimim, kjo komandë ka vendosur që t’i heqë nga ushtria dhe ti caktojë në shkolla të ndryshme’’.

Më 28 mars 1945, në garnizonin e vjetër ushtarak në Laprakë u zgjodhën për herë të parë 200 partizanë të vegjël të moshave 14-16 vjeç, midis tyre dhe 7 vajza, duke krijuar shkollën e parë “të pionierëve të luftës”. Në inagurimin e saj mori pjesë edhe Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL, gjeneral Spiro Moisiu. Vendi sapo kishte dalë nga lufta dhe kushtet për mësim e jetesë ishin të vështira. Si e para shkollë ushtarake, hapja e saj erdhi si rezultat i realizimit të aspiratave madhore të mbare popullit për organizimin dhe zhvillimin e ushtrisë kombëtare menjëherë pas çlirimit të vendit. Ajo ishte e rëndësishme dhe nevojë e ngutshme për shkak të arsimimit të pakët dhe të pamjaftueshëm të një pjesë të luftëtarëve të vegjël partizanë, të cilët ishin të shumtë në radhët e UNÇL, si dhe për hapjen e shkollave të tjera ushtarake në të ardhmen. Ky ishte një objektiv i rëndësishëm në kuadrin e formimit të ushtrisë shqiptare, pas vitit 1944.

eri në vitin 1992 shkolla “Skënderbej” ka marrë pjesë në të gjitha aksionet kombëtare të rinisë shqiptare, duke u dalluar veçanërisht në ndërtimin e hekurudhave Elbasan- Prrenjas, Milot–Reshen–Klos; në rrugën e Malësisë së Madhe, në ndërtimin e hidrocentraleve në Koman e Fierzë; në Kombinatin Metalurgjik Elbasan; në aksionet në ndihmë të bujqësisë në Myzeqe, Ksamil, Bizë, Zall Herr, Mirditë; në likujdimin e pasojave të tërmetit në Dibër (1967) dhe në Shkodër (1979). Skënderbegasit janë dalluar në mjaft koncerte festive, parada, spartakiada, olimpiada të shkollave të mesme, manifestime dhe stërvitje të rëndësishme të ushtrisë, duke underuar kurdoherë me çmime e vlerësime në rang kombëtar. Shkolla “Skënderbej” përfaqësonte ekipet e të rinjve të klubit “Partizani” në të gjitha llojet e sporteve, duke nxjerrë sportiste dhe mjeshtra sporti të rangut kombëtar e ndërkombëtar. Shkolla “Skënderbej” gjatë historisë së saj ka marrë vëmendjen që i takonte nga shteti shqiptar lidhur me kontributet dhe performancën e saj si një institucion cilësor arsimor në koherencë me zhvillimet dhe reformat në Forcat e Armatosura, duke mbajtur gjallë dashurinë për ushtrinë dhe popullin shqiptar. Ajo krijoi një tradite historike, e cila ka lënë gjurmë në ushtrinë tonë dje, sot dhe për të ardhmen, duke krijuar oficerin e ri shqiptar. Ajo pati meritën e përgatitjes së kontigjenteve për shkollat e tjera ushtarake, për rritjn e standarteve të larta për arsimimin ushtarak, duke u bërë terreni i provës dhe garancisë për suksese arsimore dhe profesionale të kuadrove të ushtrisë. Me dijet e përfituara në të gjithë hierarkinë e shkollave ushtarake, ish- skënderbegasit kanë bërë karrierë të shkëlqyer në radhët e ushtrisë, duke u bërë gjeneralë e ushtarakë madhorë, komandantë, specialistë, pilotë e detarë të shquar, ministra, profesorë e shkencetarë, deputetë e artistë të mëdhenj, sportistë e mjeshtra sporti, ambasadorë, poetë e shkrimtarë, gazetarë, biznesmenë, politikanë etj.

Për vlerat dhe meritat e saj shkolla “Skënderbej” është dekoruar me urdhëra dhe medalje, në krye të të cilave qëndron “Urdhëri i Lartë i Skënderbeut”, duke u bërë shembull frymëzimi për gjithë rininë shqiptare. Edhe sot, shkollat ushtarake kanë se çfarë të mësojnë nga historia dhe vlerat e kësaj shkolle. Akademia “Skënderbej”, që trashëgon emrin e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, është duke i çuar më përpara traditat e përgatitjes së oficerëve të FA Shqiptare në të gjitha fushat, si në ato të dijeve teorike, shkencore dhe tekniko-profesionale në baze të përvojës sonë dhe standarteve të NATO-s.

Oficëret e sotëm ish-skënderbegas vazhdojnë të shkëlqejnë jo vetëm në akademitë tona, por edhe në ato të ushtrive perëndimore. Shumë prej tyre janë duke punuar në misione ushtarake jashtë Shqipërisë, në organizmat e sigurisë në Europe dhe në strukturat e NATO-s.

Shkolla u krijua si domosdoshmëri objektive dhe nevojë permanente e ushtrisë shqiptare për kuadro të aftë e të përgatitur me arsimimin përkatës dhe me formimin demokratik. Në vitin 1992 shkolla “Skënderbej” u mbyll, duke ndërprerë veprimtarinë e saj, duke humbur statusin si vatër kombëtare për edukimin patriotik, atdhetar e ushtarak, si fidanishte e kuadrove të ushtrisë. Sot mund të rishikohet kërkesa e përsëritur për ta rihapur këtë shkollë legjendare. Tradita dhe historia e saj, ndonëse kanë kaluar 28 vjet nga mbyllja, nuk do të harrohen e anashkalohen kurrë. Sot e në vazhdimësi, jo vetëm ajo pjesë e “pionierëve të luftës”, por edhe e brezat pasardhës janë krenarë që militojnë në organizatën e veteranëve të LNÇL dhe sidomos në shoqatën kombëtare “Skënderbegasi”, e krijuar në vitin 1996. Kjo shoqatë ka në gjirin e saj rreth 30 mijë skënderbegas. Ajo është kthyer në një vatër të ngrohte atdhetare për kryerjen e aktiviteteve promovuese të shkollës dhe të ushtrisë, të historisë së luftrave të popullit shqiptar ndër shekuj, të plejadës së skënderbegasve të kudondodhur, për të përjetsuar Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”.