Poemth  nga Sakip Cami

E moçme sa vetë Arbri

Mbi trupin tënd karvanë pambarim

Kaluan shekuj, emri mbeti

Se mbretërit të çuan në harrim.

Është rrugë e shkurtër për hasmin

Na mbin në derë menjëherë

Prandaj të mbyllet u muar vendimi

Mos hapet asnjëherë.

Rrugën e Arbrit, rrugën e Dibrës

Nuk e bllokoi dot asnjë qeveri

Nëpër ura të larta edhe tunele

Rruga për te zemrat çau çdo kufi.

Hej ju dibranë të përtej Drinit

Për një orë ejani në Tiranë

Dibra u bashkua në dy anët e Drinit

Tunelet dhe urat ja dolën an’e mbanë.

Te Ura e Vashës flet historia

Malin e Murrizit mposhti drita e Diellit

Te Ura e Drinit, zemrën ka Shqipëria

Djathtas në Shehër, lodra në kupë të qiellit.

Te Ura e fshatit drejt në tunel

Nga ura e Vashës prapë në tunel

Nga tuneli në tunel

Vargu i makinave hyn edhe del.

Shkallë e Tujanit, kreshnikja shkallë

Sa shumë karvane përcolle me sy

Sa shumë armiqve u bëre ballë

Por jo rrugës së re, rrugës Arbërisë.

Moj Ura e Vashës

Më e larta në Ballkan

Dikur varri i pashës

Sot na bën krenar.

Moj Ura e Fshatit

S’je më për një fshat

Sot ti lidh dy shtete

Ëndrrat tona zgjat.

Moj Ura e Drinit

Drinit që shëndrrin

Tiranë – Peshkopi

Për një orë mbërrin.

Hej more tunel

Tuneli i Murrizit

Të lodhëm, na lodhe

Ta shtruam kurrizin.

Rruga e Planit Bardhë

Gjarpëron n’luginë

Ca e mbajnë në Tiranë

Ca në Bulqizë, shtëpinë.

Akull, ujë i ftohtë

Gurrat pa mbarim

Shijojeni o njerëz

Pëllëmbë e blerim.

Ta gëzojmë Rrugën e Arbrit

Ta gëzojmë ditën e verës

Mbaroi dimri i ashpër

Shëndrrit lulja e pranverës.