Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

I LINDUR NË PREHËRIN E TRADITËS LUFTARAKE, DJEPIN E MENÇURISË LABE

Xhezo Proda i lindur në prehërin e traditës luftarake dhe djepin e mençurisë labe
Në djepin e mençurisë dhe trimërisë mes maleve labe është lindur 98 vite më parë Xhezo Dervish Proda. Ai erdhi në jetë në vjeshtën e parë (20 shtator, ditën e hënë) të vitit 1926, në vatrën e Prode në lagjen e Onjere në Fushëbardhë. Xhezo Proda rridhte nga një familje fushëbardhase me tradita luftarake, patriotike e atdhetare. Nga fisi dhe trungu familjar i Xhezos në vijimësi kishin luftuar me pushtuesit sa herë binte kushtrimi i luftës. Ato pak klasë fillore i mori në Fushëbardhë të Gjirokastrës. Çizmja e rëndë e pushtimit kishte pllakosur si në çdo fshat të Labërisë, edhe në vendlindjen e tij, Fushëbardhën. Mjedisi familjar megjithë hallet e kohës ishte një unitet brezash, unitet familjar dhe të përbashkuar me bashkëfshatarët e bashkëkrahinorët e dy krahinave të Kardhiqit dhe të Rrëzomës nëpër shekuj në luftrat për liri, pavarësi dhe çlirim nga pushtuesit osmanë, grekë, italianë, austrohungarezë e deri nazifashistët gjermanë.
Në trungun familjar të oxhakut “Proda” janë të njohur në Fushëbardhë Kapo Proda me katër djemtë Ismaili, Dervishi, Fetani dhe Shemsiu. Kapua ishte martuar me Hatemen nga fisi Logli i Zhulatit. Ismaili Ishte martuar me Hazbije (Bije) Baze nga Peshtani i Tepelenës dhe kishin katër fëmijë dy djem dhe dy vajza: Aliun, Kasëmin, Sheko, Safife, si dhe Hazbon (me gruan e parë).
Dervishi (Xhako i flisnin) ka qenë martuar me Zejnebi Bijo/Proda me të cilën lindën katër djem e dy vajza: Xhezo, Afife, Babuden, Siadete, Ulsi dhe Vehipi. Fetani martuar me Aleme Muçaj/Proda nga Vergoi; lindën dy djem Sherifin dhe Kapo si dhe tri vajza: Gaze, Haxho dhe Bezene. Shemsiu ka qenë martuar me Neko Shalari dhe patën dy djem: Tajarin, Lumanin. Pasi ndërroi jetë Nekua, Shemsiu u martua me Alemen nga Zhulati dhe lindën Xhemalin dhe Barjamin. Në rrethin më të afërt familjar të dëshmorit Xhezo Proda ishin tre vëllezërit dhe dy motrat e tij. Dervish Proda dhe Zejnebi Bijo/Proda i mëkuan bijtë e bijat e tyre me dashurinë për Atdheun dhe me etjen për liri, por edhe pasi ra në fushën e nderit biri i tyre gjithë pasardhësit mbajtën lartë idealet patriotike dhe atdhetare sikurse ishin dhe mbetën atdhetarë: Afifja që u martua me Shefqet Golemin lindën Iblo, Shpëtim, Drita, Sabihe; Babudeni me Bele Cama/Proda lindën Republika, Dervish, Telha, Xhuljeta, Trifon dhe Kristina; Siadetja dhe Dervish Biro lindën Zurhanë dhe Eli; Ulsiu me Xhemo Hoxha/Proda nga Vergoi lindën Agimin, Fatmirin dhe Margaritën; Veipi me Theodhorën lindën Erjonin dhe Rudinën.
Faktet vijnë nga kujtimet e nënës së dëshmorit Xhezo Proda, Zejnebisë që tregonte: “Kur lindi Veipi në shtëpinë tonë ishte gjëmë e madhe sepse 3 muaj e gjysmë më përpara ishte vrarë Xhezua në Labinot…vetëm gjyshja Hatua kujdesej për vëllanë …Xhakua e donte për mendje të kokës…i urtë, punëtor, i zgjuar, i dashur..i pjekur para kohe, i vendosur si Xhakua (i ati) ..lufta mori djem në qemal dhe ajkën e djalërisë edhe për Fushëbardhën e Labërinë”. Një oxhak i madh me rrënjë lisi me vlerë trashëgimie atdhetarie, që i bëjnë nder fshatit, trevës labe. Nga të gjithë fëmijët e Dervish Prodës, vetëm Xhezua “u martua” me lirinë dhe ngeli në përjetësi si meteor ndriçues e frymëzim për brezat. Kur lindi Xhezua Shqipëria jetonte “Republikën e parë”.
Xhezua i etur për dije mësoi shumë që fëmijë për vendin e sapo dalë nga një kompleksitet ngjarjesh të pavarësisë së shtetit të 1912-tës, të luftës me andartët (1913-1914), ku dha jetën edhe komandanti i çetës së Fushëbardhës në Skërficë Halil Huto Sullo/ ose Proda sepse Sullajt dhe Prodajt ishin nga një “vatër-zjarri” të një oxhaku. Xhezua mësoi edhe për Luftën e Madhe (1914-1918), ku shkeli këmba e mbi 250 mijë ushtarëve të 7 ushtrive të huaja, të ngjarjeve madhore të Kongresit të Lusnjës dhe Luftës së Vlorës të 1920-ës, ku nga çeta e Fushëbardhë me 78 jataganë/luftëtarë ishin edhe djemtë e oxhakut “Proda”, luftëtarët e fisit të Xhezos ishin babai i tij Dervish Proda, Xiflo Proda, Jupe Proda etj., për Fushëbardhën e Fushëvërrinë. Familja ku erdhi në jetë Xhezua ishte e nderuar dhe e respektuar në fshat dhe krahinë, por vlerat ja shtoi edhe më shumë gjaku i derdhur për lirinë e Shqipërisë, duke konsoliduar vijimësinë patriotike të fisit.

LUFTËTAR LIRIE QË NË MOSHËN 16 VJEÇARE
Xhezo Proda u bë pjesë e formacioneve partizane që nga fillimi i krijimit të formacioneve partizane. Prushi i zjarrit të luftës partizane ishte ndezur pas pushtimit në të gjithë Shqipërinë. Sikurse në të gjithë vendin në fshatin e Xhezos, në Fushëbardhë më 12.12.1942, u krijua formacioni i parë partizan çeta partizane “Çerçiz Topulli” ndër të para çeta partizane në Shqipëri, kur Xhezo Proda ishte vetëm 16 vjeç.
Kujtimet e shkruara nga Resul Bedo dhe Islam Idriz Poçi janë të gjalla për Xhezon që transmetohen që kur Xhezua u aktivizua me rininë antifashiste, me çetën, batalionin partizan, kur shpërfillën vitetet e pakta të moshës, kur shkoi vullnetar në çetë e në batalionion “Asim Zeneli, kur mori pjesë në të gjithë luftimet e batalionit, kur u shqua për trimëri dhe guxim, kur u përbashkua dhe u rreshtua me forcat e BrVISulmuese”.
Bashkëfshatarët dhe bashkëluftëtarët kanë shkruar epopenë e madhe të luftës, luftimet e përgjakshme, përballjen e Xhezo Prodës dhe luftëtarëve të tjerë me topat e mitralozat, me autoblindat dhe pajisjet më moderne të kohës nga ana e pushtuesve nazifashistë. Në luftën e përgjakshme të tre ditëve të Labinotit ku forcat e tre batalioneve gozhduan autokolonat armike por ndërkohë që pushtuesi la shumë të vrarë (që i ka deklaruar vetë), forcat partizane patën 11 heronj lirie, përfshi dhe djalin 18 vjeçar nga Fushëbardha Xhezo Proda. Në Labinot përfundoi aktivitetin luftarak Xhezo Proda, pjesëmarrës në katër formacione partizane, dhe në të gjitha luftimet nga Fushëbardha në Elbasan. Në luftimet e brigadës së gjashtë sulmuese në Labinot u vranë 11 partizanë meteorë lirie: Xhezo Proda, Balil Peçi, Luto Çani, Sulo Baka, Halil Halilaj, Neki Hasani, Bajram Lalaj, Riza Çani, Tefik Selaj, Jonuz Balilaj, Merdan Kalemaj dhe u plagosën 21 të tjerë. Gjurmët e 11 dëshmorëve të Labinotit zënë një vend nderi në rrugëtimin luftarak dhe historikun e brigadës së gjashtë sulmuese.
Në këtë luftë u plagos për vdekje dhe Arif Bizhga (nga Kaparjeli), që për momentin u përllogarit si “i vdekur”, por lëvizja e gishtave e shpëtoi dhe u mjekua si dhe jetoi gjatë. Arifi që ishte shok i Xhezos, ngeli invalid lufte, pasi e çuan urgjent në shtëpinë e Sami Bahollit, ku shërbente mjeku italian, Mario, i cili e pa “të vrarin” dhe tha: “është shumë rëndë është, por do bëjmë çmos ta shpëtojmë”. Në fakt shok i armëve të Xhezos jetoi për të treguar epopenë e trimërisë së bijëve të Labërisë në betejën e Labinotit. Luftëtarët e rënë u varrosën në Labinot me një ceremoni solemne ku mori pjesë edhe populli i fshatit Labinot. Në xhepin e dëshmorit Xhezo Proda shokët i gjetën një letër që e dërgonte nëna e tij: “Bir i nënës, Xhezo. Po bëhet mjaft kohë që s’të ka parë nëna e shkretë. M’u dogj zemra jemi dit e netë në zjarr, po as unë as nënat e shokëve të tu nuk trembemi.
Bjeruni fashistëve, se na shkretuan vendin, që u shkretofshin dhe një mos mbetë.. ”. Për luftën e Labinotit është folur e shkruar shumë ndërsa ka shkruar edhe ish oficeri nazist gjerman në këtë luftë Herman Frank: “Aty ka më shumë humbje se sa në njësitë e angazhuara në luftë kundër çetave. Spitali në Elbasan është mbushur plot me të plagosur dhe të vrarët nëpër varreza si vijnë dhe shtohen” (Herman Frank, “Bandenkampfe in Albanien”, Heidelberg, 1957, faqe 91). Luftimet në këtë periudhë në Labinot drejtoheshin nga komandant Jaho Gjoliku dhe komisar Haki Toska. Fakt është se lufta antifashiste partizane në Fushëbardhë, në fshatin e Xhezos gjeti shtëpinë e saj të lirisë, pasi Fushëbardha u hodh masivisht në luftë për liri dhe çlirim, me mbi 120 partizanë nga të cilët 15 ranë dëshmorë të pavdekshëm të lirisë. Në Fushëbardhë gjatë luftës u krijuan Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar (10.11.1942), çeta “Çerçiz Topulli”(12.12.1942), Komanda e vendit, depot e ushqimit dhe municionit, Spitali partizan, Këshilli i Gruas Antifashiste (17.1.1943), batalioni teritorial i krahinës së Kardhiqit, me komandant Karafil Bello. birin e krahinës të fshatit Fushëbadhrë (Cepo më 31.7.1943); batalioni “Abaz Shehu” (12.12.1943), pasi ndarjes me batalionin “Asim Zeneli” që ishte krijuar tek rrepet e Kardhiq-Prongjisë (7.8.1943). Pas vrasjes së komandanti të batalionit të rinisë Karafil Bello më 2 shkurt 1944 tek te Çuka e Kuqe në Senicë, batalioni i rinisë u bë pjesë e Grupit të parë partizan të ZIOp dhe u emërtua batalioni “Karafil Bello”. Gjithë zhvillimet në Fushëbardhë Xhezua i ndoqi deri në ditën që u shua, pasi shpirti dhe mendja e tij ishte trupëzuar me vendlindjen.
Fushëbardha me rrënjë të thella të lirisë, e donte Xhezon dhe gjithë dëshmorët e saj në tokën e vet, por vendimet e kohës ngritën varrezat e dëshmorëve të rrethit, ashtu sikurse janë 36 grup-varrezash të dëshmorëve në të gjithë Shqipërinë. Përpjekjet për të marrë seshtrat u bënë nga babai i tij Dervishi që në vitin 1947, që kishte kërkuar të merrte eshtrat e djalit në Labinot të Elbasanit. Kohët kishin ndërruar. Nuk praktikohej më tradita zakonore e varrimit të dëshmorëve, “ku i zinte balta”. Kështu që një vit më vonë, më 1948 i vëllai i dëshmorit, Babudeni shkoi në Elbasan. Katër vite e kishte ruajtur toka të patretur, si duket amaneti i lirisë. Ai shprehej: “unë isha i madhi, megjithëse Xhakua e trajtonte Xhezon si të madh që kur ishte i vogël;…kur e ngritëm nga toka eshtrat e tij m’u duk sikur më tha: “ç’bëni more se më dërmuat! Xhezon e pashë edhe një herë si të gjallë”.

BRIGADA PARTIZANE E XHEZO PRODËS, BRIGADË HEROINË
Në Fushëbardhë në tetë deada për brigadën e gjashtë sulmuese ose “Brigadën e Labërisë”, thuhej “Brigada ku luftoi Xhezua, Alemi, Tahiri, Kutbiu, Latifeja…”, ndërkohë që brigada ishte sikurse është etiketuar, “Brigada që tundi dhenë,/në popull ngriti folenë,/atje jataku dhe shpirti,/lavdinë më lartë e ngriti,/… Brigada e VI-të u themelua nga shkrirja e çetave “Çerçiz Topulli”, “Hajredin Tremishti”, “Avni Rrustemi” dhe “Toto Bolena”, edhe pse fakt është se brigada u krijua mbi bazën e 4 batalioneve.
Me këto çeta u krijua batalioni “Asim Zeneli”. Brigada VI sulmuese ishte formacion lavdie i UNÇSH-së, që gdhendi emrat e partizanëve dhe dëshmorëve në historinë e kombit tonë. Batalioni “Asim Zeneli” i krijuar në rrepet e Kardhiqit e Prongjisë më 7.8.1943, batalioni “Baba Abaz” krijuar në Kalivaç të Tepelenës më 10.8.1943, batalioni “Naim Frashëri” në Garzema të Përmetit më 21.9.1943, batalioni “Abaz Shehu” i krijuar më 12.12.1943 në Fushbardhë, pas ndarjes së batalionit “Asim Zeneli”, si dhe batalioni i pestë ishte batalioni partizan “Zaho Koka”.
Partizanët e këtyre batalioneve kishin marrë pjesë në luftimet kundër forcave fashisto-naziste si në Cepo, Ura e Kardhiqit, Libohovë, Shkallë të Zezë, Tepelenë, Mezhgoran, Kiçok, Rrëzomë, Kurvelesh, Mesaplik etj, u përfshinë në BVI Sulmuese, përveç batalionit “Misto Mame”, i cili u inkuadrua më vonë në brigadën VIII Sulmuese.
Këto batalione kishin përshkuar një rrugë të vështirë e të lavdishme luftarake. Ato i kishin shkaktuar armikut qindra të vrarë, të plagosur e robër, kishin kapur shumë materiale luftarake, armë automatike, pushkë, topa, murtaja e municione të shumta. Formimi i brigadës VI Sulmuese gëzonte jo vetëm partizanët, por edhe popullin e qarkut të Gjirokastrës.
Në thirrjen e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Qarkut thuhej: “Edhe në Gjirokastrën tonë të çeçove të vejtër e të rinj, do të formohet Brigada VI Sulmuese. Ata që përbëjnë këtë brigadë janë djemtë e krahinës dhe të qarkut tonë, që me gjakun e tyre kanë çliruar zona të tëra e do të vazhdojnë për ta shkatërruar armikun plotësisht.”. Brigada e VI Sulmuese “Heroinë e Popullit”, që numëronte 912 partizanë nga të cilët 120 vajza e gra dhe 60 ponierë lufte, ndërkohë që efektivi i saj u rrit në 1700 luftëtarë.
Drejtuesit e brigadës e shkruan biografinë e tyre me luftime të përgjakshme, por të sukseshme. Në kohën e krijimit BrVIS kishte: komandant Tahir Kadareja, nënkomandant Jaho Gjoliku, komisar Mustafa Matohiti, zv/komisar Haki Toska; më seksionin politik Adil Çarçani, Zihni Sako, Sami Gjebero, Siri Çarçani, Vangjelo Sotiriadhi, intedentë Hetem Pogaçe e ndihmës Braho Toto, për shëndetësinë Nedin Kalanxhi, ndihmësmjek, për ndërlidhjen Muhedin Bakiri, komandant batalionesh ishin Riza Veipi, Sadik Buzo, Fejzo Ismaili, Feti Bubsi, Maksut Myrtaj, nënkomandantë batalionesh Astrit Nishani, Musa Daci, Mustafa Asllani, Meleq Gostinishti, zëvendëskomisar batalionesh Ago Çeli, Veledin Zeneli, Petrit Radovicka, Mitro Xhani, Abdul Hakiu, Asaf Dragoti,..e kuadro të tjerë si Sotir Filto, Xhule Çiraku etj, që spikatën në betejat e shumta të kësaj brigade. Lufta e partizanëve të BrVIS çliroi 8 qytete e 32 krahina, që përmes luftimesh të përgjakshme të 5 batalioneve të saj në një rrugëtim historik luftimesh prej 3700 km ndoqi nazistët deri në Vishegrad, por la në fushën e nderit 220 “Dëshmorë të Atdheut” dhe 10 “Heronj të Popullit” që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë, por që pati edhe 540 partizanë të plagosur disa nga të cilët ndërruan jetë nga plagët e marra në luftë dhe që në bazë të ligjit meritojnë titullin e lartë “Dëshmor”. Nga Fushëbardha ka pasur me dhjetra bijë e bija që kanë ngelur emra të gdhendur në historinë kombëtare, ku vetëm nga Fushëbardha kanë rënë dëshmorë nga formacioni i BrVIS: Alem Zano Shehu dhe Tahir Reis Xhuvani (15.4.1944), Kutbi Çelo Gjeçi (25.7.1944), Xhezo Dervish Proda (10.9.1944), Latife Veli Nora (25.3.1945) në Suhagorë të Bosnjë Hercegovinës.
Eshtrat e Xhezo Prodës prehen në Gjirokastër në piedestalin ku nderohen të rënët e kombit shqiptar. Xhezo Dervish Proda është shpallur me titullin e lartë të nderit “Dëshmor i Atdheut” me Vendim të KE të KP të rrethit Gjirokastër nr. 65 datë 2.10.1971 si dhe është njohur në bazë të ligjit dhe Vendimit nr.4 datë 27.11.2002 të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”.