Nga Bashkim Hisari

Fehmi Agani ishte një intelektual, politikan dhe sociolog i shquar shqiptar nga Kosova. Ai luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen për pavarësinë e Kosovës gjatë viteve 1980 dhe 1990. Agani ishte një ndër themeluesit kryesorë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike pluraliste në Kosovë, dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Ibrahim Rugovës. Ai dha kontribut të madh në zhvillimin e mendimit sociologjik shqiptar dhe punoi si profesor në Universitetin e Prishtinës. Agani shkroi shumë libra dhe artikuj shkencorë për tema si shoqëria, identiteti kombëtar dhe raportet ndëretnike. Kosovën e shihte si pjesë e natyrshme të Evropës dhe argumentonte për nevojën e një angazhimi më të madh me perendimin.
Gjatë viteve 1998-1990, kur Kosova po përballej me represionin e regjimit serb, Fehmi Agani ishte një prej figurave kryesore të lëvizjes politike shqiptare i cili mbështeste dialogun dhe zgjidhjen politike të çështjes së Kosovës. Aktivisht u angazhuat në procesin e dialogut dhe diplomacisë për zgjidhje politike të çështjes së Kosovës. Mori pjesë në negociatat dhe dialogun me faktorin ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje paqësore. Ai ishte një nga antarët kryesor në delegacionin kosovar në Rambuje në vitin 1999 ku u diskutua e ardhmje e Kosovës. Pranimi i marrëveshjes në Rambuje rezultoi me ndërhyrjen ajrore të NATO-së, kundër forcave serbe, me pranimin e Serbisë që të tërheqet nga Kosova, të pranoj marrëveshjen e Kumanovës dhe pastaj edhe me çlirimin e vendit, përfundimin e luftës dhe pavarsinë e Kosovës.
Fehmi Agani u vra më 6 maj 1999 gjatë luftës në Kosovë. vetëm disa javë para se Kosova të çlirohej përfundimisht nga Serbia. U ekzekutua barbarisht nga forcat serbe që kryenin spastrim etnik ndaj shqiptarëve.
Me rastin e 25-vjetorit të ekzekutimit të Fehmi Aganit, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës organizoi tryezën shkencore me temën: Akademik Fehmi Agani-figurë shumëdimenzionale e shekullit XX. Historiani dhe akademiku i shquar shqiptar, Jusuf Bajraktari, i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në historiografinë shqiptare përmes studimeve, botimeve dhe pjesëmarrjes në konferenca shkencore, që ishte student i dikurshëm dhe bashkëpuntor i ngusht i profesor Aganit, për gazetën “Veterani” thotë: “Në plejadën e dijetarëve të shquar, me emrin e të cilëve është i lidhur ngusht zhvillimi i gjithëmbarshëm i periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, padyshim spikatë figura e Akademik Fehmi Aganit. Ai zë vend të dalluar në pijadestalen e kësaj plejade e të të merituarëve. Ishte simbol i një intelektuali të afirmuar në suaza kombëtare dhe ndërkombëtare nga i cili priste jo vetëm populli i Kosovës por edhe opinioni liridashës e demokratik evropian, Akademik Fehmi Agani e përmbushi katërciprisht detyrën e tij prej patrioti dhe e mbylli jetën me nderë e admirim prej një misionari të devotshëm në shërbim të Lirisë dhe të Pavarësisë së Kosovës” thekson Akademik Jusuf Bajraktari.
Fehmi Agani lindi ne Gjakovë më 23 janar 1932, në një kohë kur varfëria dhe terrori serb mbi popullin shqiptar kishin bërë kërdi. Ai vinte nga një familje patriotike, nga Plava e cila si pasojë e dhunës dhe gjenocidit militarist serb, ka qenë e detyruar ta lëshonte disa herë vatrën familjare e të bëjë jetë jabanxhiu në tokën e vetë. Njëri nga paraardhësit e tij të shquar, Mulla Agani ishte vrarë e masakruar nga serbët si pjestarë i “Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Akademik Agani qysh në moshën e re, u rreshtua në anën e LNÇ-së dhe të Aleancës Antifashiste të cilat i vlersonte, në aspektin teorik e shkencor.
Fehmi Agani shkollën fillore e mbaroi në Gjakovë, ndërsa të mesmen e kreu në Prishtinë. Studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit. Studimet Pasuniversitare në Shkencat Politike i mbaroi poashtu në Universitetin e Beogradit,
Gradën Doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës me 1973 me tezën “Partitë dhe Grupet Politike në Shqipëri”. Më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent, ndërsa me 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës
Akademik Agani, në 10 vitet e fundit të shekullit XX ishte njeriu më aktiv në Lëvizjen e Përgjithshme për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Me formimin e LDK-së si partia e parë me orientim demokratik perendimor Fehmi, Agani u zgjodh nënkryetar i kësaj partie politike, si njëri ndër kryesorët dhe më të merituarit për hartimin e dokumenteve të rëndësishme në rrugëtimin politik të Kosovës. Ai ishte dora e djathtë e Prsidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili duke kujtuar shembëlltyren e Profesor Agani do të shkruante: “ Kosova krenohet me Profesor Aganin, veprën dhe figurën e tij. Profesor Agani ishte një burrë i madh i Kosovës, një njeri me mendje dhe zemër të madhe, siç e njohim ne, si dhe siç e dinë të gjithë miqët tanë, ishte dhe do të mbetet përjetësisht Heroi i Kosovës dhe figura më markante e vendit”. Akademik Jusuf Bajraktari shton se këto tipare të personalitetit të veçantë ndikuan që Profesor Agani, në planin e brendshëm të “gëzonte simpatinë dhe adhurimin e studentëve dhe qytetarëve të Kosovës, duke qenë shembulli i maturisë politike dhe këmbnguljes për veprim të përbashkët për sendërtimin e rrugës së lirisë. Ai, padyshim, ishte njeriu më i shquar për bashkimin e qasjeve divergjente në skenën tonë politike prandaj gëzonte autoritet të pakontestueshëm si në mesin e bashkëpuntorëve të tij edhe në mesin e atyre që nuk pajtoheshin me të”.
Kujtimi dhe respekti i qytetarëve të Kosovës, veçmas të ish studentëve të Profesorit Fehmi Agani. është jo thjeshtë një simbolikë kohe por është mesazh për opinionin kosovar që në këto kohë të antagonizmave dhe polarizimeve të thella të shoqërinë kosovare, të rigjejnë modelin e traditës aganiane në kapërcimin e pengesave drejtë synimeve të vlerave madhore për forcimin, zhvillimin e Republikës së Kosovës.
Akademik Fehmi Agani, për meritat dhe kontributet e tij intelektuale dhe politike ishte bartës i shumë dekoratave. Ai mbetet një figurë e respektuar në historinë e Kosovës për vizionin e tij intelektual dhe angazhimin e tij të palodhur për liri dhe drejtësi.