Neki ÇAKO
Historia e LANÇ është e shkruar jo me penë, por me bajonetë, bajonetë të larë me gjak. Ajo është shkruar, jo në letër, por në shkëmbinj, atje ku luftëtari vallen dridhte, në çdo breg, a në çdo ledh, ku era ballin j’ua flladiste e mbrëmja hapte bukuritë, atje ku kënga për Atdheun jehonte, e bridhte nëpër kodra e përrenj, atje ku fitorja nisi të buzëqeshë, ku vendi skuqej me gjak dëshmorësh!
Atje nën dritën e Hënës, shkruhej histori, me fjalë për nënën, të madhen Shqipëri! “Kombi që nuk harron bijtë e tij të rënë në luftë, nuk ka vdekje kurrë”. Dëshmorët janë të pranishëm në sofrat familjare, në kuvënde popullore, në ditë me furtunë, në ditë të qeta e në festa, përherë në krahë me të gjallët, në jetë, në luftë e në punë. Dhe kudo e kurdoherë na frymëzojnë atdhedashuri, trimëri, vendosmëri, përkushtim, urtësi, fisnikëri, drejtësi, dashuri njerëzore. Jeta ka dallgët e saj, tallazet e saj. Por jeta dhe vepra e dëshmorëve kanë për tipar dallues: unitetin e kompaktësinë, vendosmërinë, atdhedashurinë, luftën për kapërcimin e vështirësive. Duke luftuar për çlirimin e vendit, ata mbillnin farën e madhe të lirisë, embrioni i së cilës rritej në zemrat e shqiptarëve atdhetarë. Dhe shembullin e jepnin vetë të parët, me jetën dhe gjakun e tyre. Në thelbin e zemrës së dëshmorëve qëndronte krenar e i pamposhtur atdheu. Në sytë e bukur të tyre ishte vizatuar qielli i kaltër i lirisë, në emër të së cilës, ata ranë për të mos vdekur kurrë: Njeri nga të cilët është edhe Dëshmori Sinan Lame Liza.
Sinani ka lindur në Nivicë të Kurveleshit në vitin 1906, në një familje të varfër fshatare. Që në moshë fare të re mbeti jetim nga ana e babait dhe u rrit nga xhaxhai i tij Nebi Liza. Rininë e tij e kaloi në fshatin e tij të lindjes. Merrej me bujqësi si e vetmja mënyrë për të mbijetuar. Me shumë vullnet, arriti të mësojë shkrim e këndim. Më, 1925 kreu shërbimin ushtarak duke kryer detyrën e guzhinjerit, të cilën me këmbëngulje arriti ta mësojë dhe ta profeksionoi edhe më shumë aty. Pas përfundimit të ushtrisë ai do të punonte në një ndërmarrje që merrej me sipërmarrjen e rrugëve në qytetin e Burrelit. Paskëtej ai, do të shkonte të punonte në një shoqëri të huaj që merrej me kërkimin dhe nxjerrjen e arit të zi shqiptar (naftës), në katundin Vllahinë të Vlorës. Aty, njohu shfytëzimin më të egër që u bëhej puntorëve të krahut të cilët punonin me orë të zgjatura dhe merrnin një pagë qesharake. Ai do të kuptonte se regjimi që kishte pllakosur vëndin ishte i egër. Kështu që vendosi të largohej andej duke ushqyer edhe urrejtjen për pushtuesin. Ai do të kthehej në Nivicë dhe në vitin 1942, ai do të merrte pjesë në kshillin e fshatit dhe formimin e njësitit gueril. U bë promotor i lëvizjes duke marrë pjesë në shumë aksione të ndryshme kundër pushtuesve italianë, duke e dëmtuar atë në disa sektorë të ndryshëm. Familja e tij do të kthehej në një bazë të luftës e lëvizjes. Ka qënë efektiv i çetës partizane “Avni Rustemi” e cila më vonë do të merrte emrin “Demo Fejzo” dhe do të inkuadrohej në batalionin “Asim Zeneli”. Në gusht të 1943 do të rreshtohej në radhët e brigades VI duke u bërë efektiv i saj. Për të kaluar më vonë në brigadën e VIII- sulmuese. Shtëpia e tij do të digjej, e bëhej shkrumb e hi, nga fashistët italianë në operacionin e prillit të vitit 1943. Sinani mori pjesë në shumë luftime, duke treguar një trimëri të pa shoq. I vendosur për kauzën e popullit për çlirimin e Atdheut, sepse gurin e vëndlindjes nuk e ndante kurrë nga mëndja. Më, 27 Gusht të vitit 1944, ra me armë në dorë, në luftë për çlirimin e Konispolit. Për merita të veçanta, Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka dekoruar me medaljen e Kujtimit, Timërisë dhe të Ҫlirimit. Lapidarë të lirisë ishin vetë ata, që u bënë flakadanë të përjetësuar. Lapidar lirie është dhe Sinani ynë, për të cilin kemi mall, por edhe jemi krenarë. Atë sot dhe gjithmonë, Familja Liza, fshati Nivicë, Krahina e Kurveleshit, dhe tërë Kombi Shqiptarë, e kanë dhe do ta kenë, Diell Lirie, me rreze të lira, sepse Sinani me shokë, na e sollën lirinë. Ata janë vetë liria jonë. Dhe kur flasim për atdhetarët, të parët janë dëshmorët! Lavdi jetës dhe veprës së lavdishme të dëshmorëve! Ata rrojnë dhe janë të pa vdekshëm në altarin e Lirisë!