Qëndroi në krah të Qemal Stafës dhe do të njihej si figurë e dytë e rinisë shqiptare

Konferenca e Pezës, 16 Shtator 1942, do ta afirmonte Nako Spirun si politikan modern dhe me bindje perëndimore.  Ai jo vetëm që kontribuoi në organizimin e saj duke u bërë mbështetësi kryesor i Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit, por do të ishte dhe nismëtar për zgjedhjen në organet drejtuese të saj të personaliteteve me alternativë ndryshe.  Ai votoi për përfaqësim balancues dhe të ekuilibruar

  • Nako Spiru me cilësinë e detyrave që kishte mbi supe bëri përpjekje maksimale që Shqipëria të mos rrëshqiste drejt Lindjes dhe aq më pak të bëhej pjesë e Jugosllavisë Titiste. Ky qëndrim dhe devotshmëri e çoi drejt vdekjes nga trysnia e diktatorit dhe veglave të tij Koçi Xoxe e Pandi Kristo, njëri teneqexhi e tjetri marangoz.  Ai gjeti rrugën më të ndershme dhe aktin sublim për të thënë:

Popull kujdes, diktatura u vendos. Historia dallohet nga paralelet e saj por në diktatura të tipit Enverian ka një ngjyrë, vrasje, terror dhe përçudnim….  

Në historinë tonë të re e moderne, vitet ’30 dhe ’40 përfaqësojnë një nga etapat e saj më të qënësishme për afishimin e republikanizmit dhe të një shteti demokratik.  Me gjithë varfërinë e madhe, njëherazi vendi ynë në këtë kohë përfshihet në vorbullën e Luftës së Dytë Botërore, duke pësuar pushtimin nazifashist.

Pikërisht në këtë hapësirë historike do të spikasin politikanë dhe patriotë e mendimtarë demokratë që fatet e atdheut i shqetësojnë dhe, pse këto fate viheshin në diskutim, do të sakrifikojnë gjithçka në emër të këtij ideali.

Kjo gjeneratë paraqiste gjithë biografinë e Atdheut tonë, si Sejfulla Malëshova, Ndoc Çoba, Ymer Dishnica, Kamber Qafmolla, av. Skënder Muço, Mustafa Gjinishi, publicistja Musine Kokalari, Zef Malaj, Qemal Stafa, Abaz Kupi etj.  Në mesin e tyre do të dallohej dhe emri e figura e një politikani të ri, ai i Nako Spirut.  Një erudit dhe poliglot, mbi të gjitha një kronist analitik që, me një periudhë kohe të shkurtër krijoi një portret të besueshëm.  Këtu do të shënoja një paralele me kryerilindasin tonë, filozofin, shkencëtarin Sami Frashëri.

Nako Spiru lindi në Durrës, në një familje me tradita patriotike qytetare.  Mjedisi i qytetit të lindjes dhe njëherazi si portë kryesore e lidhjes me Perëndimin u bë vatra e parë e edukimit dhe formimit të tij patriotik, qytetar e demokrat.

Në përgatitjen e tij profesionale do t’i përshtatej traditës dhe do ishte vazhdues i profilit të tij që dallohej për veprimtari afariste biznesi.

Si mbaroi shkollën fillore në qytetin e lindjes ai ndjek shkollën e mesme tregtare italiane në Korfuz, për t’i vazhduar mbas mbarimit të saj studimet e larta në Torino të Italisë.  (Çdo vizitor, sapo të shikojë bibliotekën e familjes Spiru, megjithëse të shkatërruar nga bastisjet nazifashiste, do të ndeshet aty me një gamë titujsh filozofikë, gjuhëtarë, po në veçanti dallohen ato të shkencave ekonomike dhe biznesit.  Këto datojnë vitet ’36 – ’40.)  Ai, njohës i gjuhëve moderne europiane si italisht, gjermanisht, frëngjisht, njëherazi dallohej dhe në gjuhët klasike greko-latine.

Kjo njohje gjuhësore i dha mundësinë të thithë një shkallë të lartë informacioni, çka e dallonte atë në mes të të rinjve universitarë, duke e vënë atë në rolin e udhëheqësit të tyre.

Këtu, së bashku me Qemal Stafën, do të fillojnë organizimin e rinisë studentore antifashiste, po kështu së bashku shtrinë influencën edhe tek studentët ushtarakë.  Ishin kohë të vështira, fashizmi po përgatitej të pushtonte vendin tonë, veprimtaria revolucionare e Qemalit dhe Nakos ranë në sy të organeve sekrete policore si SIM dhe OVRA, të cilët citonin se studenti shqiptar Nako Spiru është ideatori i kundërshtisë së studentëve universitarë në përgjithësi dhe të studentëve ushtarakë për mosbindje në veçanti.  Kjo gjë u pa kur në Torino po bëheshin përgatitje për një vizitë zyrtare të Duçes atje. 

Në muajt e parë të vitit 1939 shkon disa herë në Paris dhe atje mbështet nismën e Federatës së Studentëve Antifashistë dhe të emigrantëve shqiptarë në Francë për veprimtari patriotike dhe antifashiste në mbrojtje të interesave të vendit tonë kundër pushtimit fashist.

Aty së bashku me organizatorët e Federatës si Ali Kelmendi, doktor Ymer Dishnica, Zai Fundo etj, organizojnë mitingje protestash.  Nako Spiru shpalosi entuziazmin patriotik dhe me fjalimet e mbajtura ngriti peshë masën e pjesëmarrësve në ato mitingje.

Siç pohon Dr. Ymer Dishnica, (fjalën e tij e konfirmon motra e tij Eleonora e datëlindjes 1914) … aty Nako Spiru me përshëndetjen e tij bëri zbërthimin e situatës duke përcaktuar detyrat e lëvizjes.  Të gjithë panë se kishin të bënin me një politikan të kompletuar dhe analist të shquar historiko-shoqëror.

Me qëllim që të ishte më afër shokëve i kërkon familjes mbështetje që të vazhdojë studimet në Francë; familja e përkrahu, i siguroi mjetet financiare dhe ia dërgoi me ndihmën e Dr. Enver Sazani dhe të gruas së zotit Medar Shtylla.

S’qe e thënë, pushtimi fashist i vendit, situata e re politike e kohës e detyruan me ndjenjën e përgjegjësisë qytetare të ndërpriste studimet dhe të kthehej në Shqipëri, aty nga vera e vitit ’39.  Në qytetin e lindjes agjiton në masën e bashkëqytetarëve dhe të punëtorëve si të STAMLES, Portit Detar, Ndërmarrjes Rruga-Ura dhe në veçanti të shkollës qytetëse.  Organizon demonstratat e para ’39 – ’40.  Ky aktivitet ra në sy dhe për të larguar vëmendjen e organeve fashiste nis përsëri në Itali studimet.

Lufta Italo-Greke dhe ndryshimet e reja të situatës politike e bëjnë që të kthehet përsëri në Janarin e vitit ’41.  Meqë familja ishte shpërngulur në Kavajë, në këtë kohë ai ishte i survejuar dhe për organet e pushtimit përbënte rrezikshmëri, arrestohet me motivin e shpërndarjes së trakteve antifashiste në qytetet Kavajë, Durrës, Tiranë.  Nako Spirun e burgosën dhe e mbajtën në burgun e xhandarmërisë së Durrësit.  Me ndërhyrje dhe për mungesë provash ai lirohet me kusht që të shkonte në Torino për të vazhduar studimet, gjë që lehtësonte survejimin e tij atje.  E shfrytëzoi rastin, u largua përkohësisht për t’u kthyer përsëri në verën e vitit ’41, kohë që hidhet plotësisht në ilegalitet.

Mungesa e tij në Itali në universitetin e Torinos, po kështu mungesa e tij në veprimtari legale vuri në lëvizje operative policinë sekrete fashiste dhe për këtë qëllim, me porosi të kryeministrit Mustafa Kruja, i bëjnë presion familjes, thirret në kryeministri i ati, Perikli Spiru dhe i japin ultimatum: “O djalin në Itali në universitet, ose ta dorëzoni atë, ndryshe do t’ju burgosim dhe internojmë familjarisht, ose do t’ju djegim pasuri e shtëpi”.

Perikli Spiru dhe gjithë familja protestuan dhe pas kësaj proteste ata u internuan në Burrel dhe në Krujë.  Edhe këtu presionet nuk munguan, kërkonin dorëzimin e Nako Spirut me ngulm, tashmë e gjithë familja ndjente përgjegjësi dhe e mbështeti veprimtarinë antifashiste patriotike të djalit të saj, që momentalisht ndodhej në Tiranë, tek shtëpia e patriotit Kleanthi Papa (daja i tij në rrugën e Postës së Vjetër, Nr.3).

Në këtë bazë fillon perioda e dytë e veprimtarisë patriotike revolucionare antifashiste për çlirimin e vendit.  Ai merr kontakte me personalitete të vjetër dhe të rinj që ishin vënë në shërbim të Luftës Antifashiste si Spiro Bakalli, doktor Enver Sazani, Silo Bogda, Shefqet Beja, kolonel Kamber Qafmolla, politikanin dhe burrin e shtetit Ndoc Çoba dhe Mustafa Gjinishi, doktor Ymer Dishnica.

Kjo veprimtari dhe ky kontribut falë kapacitetit të tij e vendosën atë dhe e bënë të njohur si figurë drejtuese të luftës në shkallë kombëtare. 

Eshtë koha kur me lëvizjet e tij në mbarë vendin për të agjituar Luftën Antifashiste në masat popullore, në veçanti tek figurat me besim në popull, ai do të njihet me avokat Skënder Muçon, dhe profesorët e Tregtares së Vlorës si prof. Jusuf Luzaj apo me prof. Abaz Ermenjin, gjithashtu ai merr kontakt e bisedon me oficerin e karrierës Hysni Lepenica e të tjerë.  Aty ai gjeti gjuhën e përbashkët për të mbështetur Dr. Ymer Dishnicën e Mustafa Gjinishin për organizimin e një mbledhjeje apo konference vendore për të krijuar një organ qendror të drejtimit të Luftës Antifashiste.

Lëvizja komuniste arriti, si rezultat i nevojës imperative të kohës, të krijojë Partinë Komuniste Shqiptare.  Meritë për këtë kanë personalitetet e lëvizjes si Koço Tashko, Qemal Stafa, Nako Spiru, Tuk Jakova, Sadik Premtja, Ramadan Çitaku, Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica etj.

Ai do të qëndrojë në krah të Qemal Stafës dhe do të njihet si figurë e dytë e rinisë shqiptare.  Pas vrasjes tradhëtisht të Qemal Stafës, Nako Spiru (Deti, pseudonimi i luftës) do të zgjidhet Sekretar Politik i Rinisë dhe po kështu, në muajt e parë të vitit ’42 u kooptua në Komitetin Qendror të PKSH. Falë formimit të tij në gjithë planet dhe si politikan i alternativave të ndryshme, ai bëri të mundur të tërheqë në radhët e Lëvizjes qindra e mijëra të rinj e të reja, pavarësisht nga pikëpamjet kulturore dhe politike ndryshe. Në metodat e punës së tij përgatitja e lartë intelektuale bëri që shumë drejtues të rinisë dhe të luftës ta donin dhe ta nderonin, pse jo dhe ta kishin idhullin e tyre.

QËNDRIMI NË KONFERENCËN E PEZËS

Ai lëvizte shumë në mbarë vendin, por gjithnjë ishte udhëheqës dhe drejtues në Tiranë, ngaqë e kuptonte drejt rolin e qytetit në luftën për çlirimin e vendit.  Për vlerat dhe rolin e qytetit në këtë drejtim, në veçanti të qytetarit, do të gjenden shkrime dhe dokumenta të kohës me firmën “Deti”, si në organet e kohës së luftës, “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, Kushtrimi i Lirisë” dhe në të gjitha dokumentat, traktet, qarkoret dhe në veçanti në rezolucionet e aktivave të ndryshëm.

Konferenca e Pezës, 16 Shtator 1942, do ta afirmonte Nako Spirun si politikan modern dhe me bindje perëndimore.  Ai jo vetëm që kontribuoi në organizimin e saj duke u bërë mbështetësi kryesor i Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit, por do të ishte dhe nismëtar për zgjedhjen në organet drejtuese të saj të personaliteteve me alternativë ndryshe.  Ai votoi për përfaqësim balancues dhe të ekuilibruar.  Për Kryetar të Kuvendit të Konferencës u zgjodh politikani patriot, burrë shteti dhe i çështjes kombëtare Ndoc Çoba.  Kryetar i Këshillit Drejtues u zgjodh kolonel Kamber Qafmolla dhe sekretar i Këshillit publicisti dhe organizatori Mustafa Gjinishi.

Gjatë punimeve të Konferencës dhe më vonë ai punoi me avokat Skënder Muçon dhe shkrimtaren dhe publicisten Musine Kokalari për krijimin e një Alternative të Qendës së Majtë.  Ide që mori zhvillim në ngjitje fill pas kapitullimit të Italisë Fashiste (8 Shtator 1943).  Me pushtimin nazist të vendit ai së bashku me shumë personalitete të tjerë të Luftës ishin të ftuar aty për këtë ngjarje historike madhore për kohën.  Siç shkruan publicistja Musine Kokalari në ditarin e saj “…U mblodhëm në një shtëpi në rrugën e Elbasanit, rreth 60 vetë … Aty avokat Skënder Muço parashtroi pas shumë debatesh dhe pikëpamjesh Partinë Social Demokrate të Shqipërisë.  Kjo ka ngjarë në javën e parë të muajit Tetor të vitit 1943…”.  Për njohjen dhe afishimin e kësaj Alternative të re Social Demokrate u botua organi “Zëri i Lirisë” (u botuan vetëm 6 numra).

Kjo Alternativë e afishoi veten në luftën për çlirim, por në veçanti në vitet e para të pas çlirimit siç është aksioni politik zgjedhor, ai për zgjedhjen e Asamblesë Kushtetuese, 2 Dhjetor 1945.  Në këtë plan u realizuan një sërë veprimtarish me grupet e ndryshme politike nacionaliste që vepronin mjerisht në gjysëm ilegalitet ngaqë në këtë kohë gradualisht po instalohej sistemi diktatorial.  Avokat Skënder Muço u vra tradhëtisht bashkë me shokë të tjerë të kësaj alternative më 15 Gusht 1944 nga bashkëpunëtorët nazistë si prefekti i Vlorës Vizhdan Risilia, ndërsa publicistja Musine Kokalari vdiq e harruar dhe e persekutuar pas burgimit disa vjeçar në internim në qytetin e Rrëshenit, kurse prof. Gjergj Kokoshi u pushkatua nga diktatura dhe diktatori, ngaqë me aktin e tij qytetar “dorëheqje nga posti i Ministrit të Arësimit” i tha popullit dhe politikës shqiptare që diktatura tashmë është vendosur.

Kjo situatë zgjedhore për Asamblenë çoi në satër dhjetra intelektualë, politikanë bile dhe të zgjedhur siç ishin në Konferencën e Pezës Mustafa Gjinishi, Dr. Ymer Dishnica, Sejfulla Malëshova, të cilët i varrosi nën trysninë dhe presionin politik deri në vdekjen e tyre.

MOMENTE TË RËNDËSISHME TË LANÇ KU SPIKAT AFTËSIA DHE QARTËSIA PREJ UDHËHEQËSI

Dy nga momentet e rëndësishme të Luftës Antifashiste ku spikat aftësia dhe qartësia prej udhëheqësi si dhe kuptimi demokratik i situatës janë 1- Operacioni i Dimrit i vitit 1943 – 1944 dhe 2- Veprimtaria e Delegacionit të Frontit Antifashist në Konferencën e Mukjes, Gusht 1943.

Në valën e këtij operacioni Nako Spiru (Deti) qëndroi gjithë kohën në Tiranë, ruajti dhe mobilizoi organizatën dhe mbi këtë bazë besimin e popullit për fitore.  Gjatë këtij operacioni të egër nazist mbijetoi organizata e Tiranës dhe e Korçës.  Në këtë situatë ai jo vetëm që ruajti strukturat e organizatës por, me ndihmën e qytetarëve patriotë të Tiranës, bëri të mundur të kurojë dhe riaftësojë partizanë të Brigadës II dhe III që u goditën rëndë nga nazizmi.  Ata u mjekuan dhe u bënë efektivë për luftë.

Në arkivat qëndrore dhe lokale do të gjenden dhjetra letra me porosi dhe udhëzime të kohës që duhen klasifikuar dhe të bëhen pjesë e dëshmisë së Luftës Antifashiste.  Akademia e Shkencave e Shqipërisë duhet ta ketë parasysh këtë në përgatitjen e librit të Historisë së Shqipërisë.

Humanizmi dhe bindjet e tij prej demokrati dhe “jo idealisti” rrjedhin nga baza dhe origjina e tij shoqërore dhe shkalla e formimit të tij me bindje perëndimore.  Ai, falë vlerave enciklopedike, diti të vlerësojë dhe të bëjë të tijën, së bashku me mendimtarë të tjerë, siç kam thënë më sipër, si dhe të përqafojë e të inicojë alternativat e kohës siç është ajo Social Demokrate.  Ai ishte një politikan human dhe i mendimit ndryshe dhe mbështetej në përcaktimin e aleancave koniunkturale duke pasur parasysh që ato t’i shërbenin strategjisë.  Kjo gjë u pa me largpamësinë në mbrojtjen dhe pranimin e veprimtarisë së delegacionit të Frontit në mbledhjen e Mukjes.  Ai qëndroi përkrah dy njerëzve të mëdhenj, Dr. Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit.

Interpretimi voluntarist nga Enver Hoxha i kësaj veprimtarie që donte t’i dënonte me ashpërsi këta dy persona gjeti kundërshti absolute nga Nako Spiru dhe i tregoi diktatorit se ky qëndrim përfaqëson rrezikshmëri për zhvillimin e mëtejshëm të Luftës Antifashiste.

Me çlirimin e vendit s’qe e thënë që këta njerëz, mendimtarë demokratë t’i gëzohen punës titanike të tyre.  Zhvendosja drejt Lindjes do të shikohet si finish kohe me zgjedhjet e 2 Dhjetorit ’45 për Asamblenë Kushtetuese ku grupi i demokratëve reformatorë me Prof. Sejfulla Malëshovën kërkonin një fushatë zgjedhore demokratike dhe pluraliste.  Kjo kërkesë ra ndesh me grupin e “mballomaxhinjve” dhe fill pas tyre ata do të shkonin drejt asgjësimit.

KOHA KUR GRUPET E NDRYSHME POLITIKE FORMOJNË “FORUMIN DEMOKRAT”

Eshtë koha kur grupet e ndryshme politike formojnë “Forumin Demokrat” dhe nën përkujdesjen direkte të Sejfulla Malëshovës përgatitin “Promemorjen” për një fushatë demokratike drejtuar Misioneve Aleate me detyrë shtyrjen e kohës së zgjedhjeve dhe rishikimin e ligjit zgjedhor.  Këto dy gjëra nuk u pranuan nga qeveria shqiptare. 

Në hartimin e kësaj promemorjeje u angazhuan social-demokratët Musine Kokalari dhe Gjergj Kokoshi.  Nako Spiru në këto vite të para zhvillon një punë organizative e ligjore për ngritjen e shtetit demokratik.  Këtu ai gjen mbështetje nga legjislatorë dhe ekonomistë të kalibrit perëndimor si Riza Dani, Shefqet Beja, Manol Konomi dhe të tjerë.

Nako Spiru me cilësinë e detyrave që kishte mbi supe bëri përpjekje maksimale që Shqipëria të mos rrëshqiste drejt Lindjes dhe aq më pak të bëhej pjesë e Jugosllavisë Titiste.

Ky qëndrim dhe devotshmëri e çoi drejt vdekjes nga trysnia e diktatorit dhe veglave të tij Koçi Xoxe e Pandi Kristo, njëri teneqexhi e tjetri marangoz.  Ai gjeti rrugën më të ndershme dhe aktin sublim për të thënë:

Popull kujdes, diktatura u vendos. Historia dallohet nga paralelet e saj por në diktatura të tipit Enverian ka një ngjyrë, vrasje, terror dhe përçudnim.