Për çdo shtet dhe komb të qytetëruar dëshmorët janë lavdia e krenaria e tij
Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshme se ka vetëm një rrugë nëpër të cilën ecën historia e lirisë. Ajo është rruga e gjakut të dëshmorëve, të cilët në momentet e mëdha historike, ishin të gatshëm të falin gjakun për ardhjen e lirisë dhe ndërtimin e konsolidimin e shtetit shqiptar, pas shpalljes së Pavarësisë e gjer në ditët tona.
MSc. Bilbil DERVISHI* Sefer Pasha*
“Dëshmorët nuk janë statistika dhe nuk maten me emra, por me vlera”. Ky ishte konkluzioni i Konferencës së X-të Shkencore të Akademisë së Sigurisë, “Policia e Shtetit në 80-vjetorin e çlirimit të atdheut, arritje dhe sfida”.
Dëshmorët nuk janë statistika dhe nuk maten me emra, por me vlera. Megjithatë sipas statistikave, nëse llogarisim dëshmorët e Policisë së Shtetit në tetëdhjetë vitet e fundit, nga përfundimi i Luftës së II Botërore e deri më sot, do të shohim se mesatarja është më shumë se tre të rënë në vit e ndoshta edhe më shumë. Ky është një numër i lartë, por po të mendosh se ky nuk është një numër përfundimtar, atëherë, strukturat përgjegjëse shtetërore dhe jo vetëm, kanë detyrimin e madh për seriozitet më të madh për bijtë e bijat e popullit që kanë rënë në emër të ligjit. Pothuajse çdo vit shtohen emra të rinj në altarin e të rënëve të policisë, që në fakt natyra e profesionit e pranon me dhimbje edhe këtë realitet, pasi të jesh punonjës policie është në vetvete një mision fisnik, por edhe i vështirë dhe mjaft i përgjegjshëm. Këtë mision e përsërisin në heshtje brez pas brezi emrat e të rënëve në krye të detyrës. Këtë mision e mbajnë dhe transmetojnë në dekada brezat, si shenjtëri për shtetin. Përkujtimi, nderimi dhe shenjtëria e vlerave qëndron fort në unitetin institucional të misionit të Policisë së Shtetit. Të rënët ndër vite e dekada janë simbol i rregullit, ligjit, sigurisë së brendshme shqiptare, janë e vërteta për të rënët në detyrë, për ata që gjakun e tyre e derdhën për shtetin dhe në themelet e tij.
Për çdo shtet dhe komb të qytetëruar Dëshmorët janë lavdia e krenaria e tij, një ndër vlerat më të çmuara, që nderohen e respektohen nga të gjithë. Në librat e historisë, enciklopeditë e botime të ndryshme, kudo atyre ju kushtohet vëmendje e veçantë. Për ta janë shkruar e vazhdojnë të shkruhen libra, monografi e artikuj pafund, të bëhen dokumentar e filma, të krijohen e vjersha e këngë që recitohen e këndohen pa fund në festa e ditë përkujtimore, ngrihen monumente, buste, përmendore e memorialë në nderim të tyre, emrat e tyre të përjetësohen në rrugët e sheshet e qendrave të banuara, në institucione publike, shkolla etj.
Në shumë institucione, shkolla e universitete janë të shkruar me germa të arta emrat e dëshmorëve të dalë prej tyre. Po kështu edhe në reparte ushtarake, posta kufitare apo stacione policie janë të shënuar emrat e atyre ish efektivëve të tyre që kanë rënë në krye të detyrës dhe që janë shpallur dëshmor të atdheut, e disa nga këto institucione mbajnë edhe emrat e tyre.
Për nderimin e dëshmorëve në qytetet kryesore të Shqipërisë janë ndërtuar varrezat e tyre dhe në Tiranë Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut “Nëna Shqipëri”, varreza që mbajnë statusin e “Varrezave monumentale”. Por, pavarësisht çfarë është shkruar në ligje për ndërtimin e mirëmbajtjen varrezave të dëshmorëve, ndërtimin e monumenteve, bustet apo vendosjen e pllakateve në nderim të tyre, nuk është vështirë të konstatohet se mirëmbajtja e varrezave të dëshmorëve apo e veprave të artit në nderim të tyre lë shumë për të dëshiruar. Përveç faktit se në jo pak raste flitet e shkruhet kundër tyre dhe aktivitetet që zhvillohet në nderim e kujtim të veprës së tyre janë formale dhe shpesh herë të vakta. Respekti ndaj dëshmorëve është i përbotshme, pasi kudo nëpër sheshet e kryeqyteteve dhe qyteteve të botës, sheh monumente, buste e pllakate në nderim të tyre dhe rrugë e sheshe, shkolla e institucione me emrat e tyre. Ne shqiptarët e nderojmë vdekjen, si pak kush në botë. Respekti që kemi për të afërmit tanë që nuk jetojnë më, sidomos në ditën e varrimit, pak kund mund të ndeshet ndër popujt e tjerë. Por, në të vërtetë ne shqiptarët, a e kemi respektin e nderimin e duhur për Dëshmorët!? Krahas fjalëve të mira që duhen thënë, më shumë për t’i bërë qejfin vetes, në të vërtetë jemi larg, ndoshta edhe tepër larg në raport me sjelljet e popujve e vendeve të tjera ndaj dëshmorëve. Në raport me popujt e tjerët e kemi më të lartë numri i të rënëve dhe jo vetëm për atdheun tonë, por edhe si kontribut ndaj popujve të tjerë. Realiteti e faktet flasin vetë. Ne ose jemi shumë trima dhe luftën e kemi si punë ose jemi naiv!? Shqiptarët vetëm në shekullin e kaluar, kur nuk kishte ndonjë organizatë ndërkombëtare të mbrojtës, siç është NATO tani apo edhe të tjera, por vullnetarisht kanë marrë pjesë në luftëra jashtë territorit të shtetit dhe atdheut të tyre, si në Luftën Civile të Spanjës (1936 – 1939) apo edhe në ish Jugosllavi me disa Brigada Partizane të inkuadruar në Divizioni e V-të dhe VI-të të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku janë vrarë apo kanë humbur jetën mbi 700 partizanë të cilët janë shpallur dëshmorë dhe eshtrat e tyre janë kthyer në atdhe në disa periudha të ndryshme nga viti1945 deri në vitin 1975.
Të gjithë themi dhe jemi familjarizuar me faktin që Shqipëria ka 28 mijë Dëshmorë dhe këta kryesisht të Luftës Nacionalçlirimtare. Shifër që përmendet kudo, në fjalime, në libra, gazeta e revista, por pa pasur ndonjë statistikë apo referencë të shkruar diku. Në fakt, pothuajse në të gjithë dokumente zyrtare dhe në disa botime serioze e të përgjegjshme të periudhë 1945 – 1990, nuk flitet për 28 mijë Dëshmorë, por për 28 mijë të vrarë ose nganjëherë të rënë në luftë dhe kjo shoqërohej edhe me faktin që Shqipëria ka 28 mijë km2 sipërfaqe, për të konkluduar se kemi një dëshmor për një km2. Sigurisht që strukturat shtetërore vitet e fundit po hartojnë një regjistër të posaçëm ku të përfshihen të gjithë dëshmorët e atdheut, që me ligjin aktual “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, përfshin jo vetëm shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, por edhe ato të trojeve shqiptare dhe madje edhe shtetas të huaj që kanë dhënë jetën në mbrojtje të shtetit shqiptar, si gjeneral Telini dhe me siguri në të ardhmen do të ketë një numër të saktë të dëshmorëve.
Edhe Policia e Shtetit në kuadër të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të forcave të rendit (13 janar 1913) hartoi dhe botoi një Album mbi historikun e Policisë si edhe ngriti një muze që ndodhet në ambientet e Akademisë së Sigurisë. Në Album dhe Muze ka faqe dhe stenda që iu kushtohen dëshmorëve. Policia nuk trashëgonte ndonjë listë të veçantë për dëshmorët nga radhët e saj, por gjatë punës u gjetën disa të dhëna në Departamentin e Veteranëve dhe Dëshmorëve, në ministrinë e Mbrojtjes, për periudhën 1944 – 1989, ku u evidentuan 52 dëshmorë që fillojnë me Bajram Poshnjarin, rënë në vitin 1945 dhe mbyllet me Bashkim Tahiraj, rënë me datë 24 prill 1988 dhe në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore në ministrinë e Brendshme për periudhën 1990 e në vijim, ku evidentohen 229 të rënë në krye ose për shkak të detyrës, nga të cilët 172 të shpallur dëshmor të atdheut.
Në një vështrim të thjeshtë të listës dhe të viteve të rënies së tyre, konstatohet që për një periudhë 45 vjeçare (1944-1989) kanë humbur jetën në krye të detyrës 52 punonjës, me një mesatare prej 1.15 persona/vit, një shifër e pranueshme dhe brenda normave mesatare të shteteve më të zhvilluara dhe më të qëndrueshme të botës. Ndërkohë që duhet theksuar se ishin vitet e para të pasluftës dhe deri në vitin 1951 kishte më shumë të rënë: 1946 (7), 1947 dhe 1948 (5), 1949 (4), 1950 (5), 1951 (4), por ka edhe periudha që s’ka asnjë humbje jete si: 1965 – 1966, 1969 – 1973 (3 vite), 1974 – 1980 (7 vite), 1984 – 1987 (4 vite).
Ndërsa në periudhën 1990 – 2024 (35 vjet) janë gjithsej 229 të rënë në krye të detyrës, nga të cilët 172 dëshmor nga radhët e Policisë, që fillon me Fatmir Latifin, rënë me datë 13 maj 1990 dhe përfundon me Naim Çoban Hyska, plagosur në një atentat me 24 dhjetor 2012 dhe vdekur për shkak të plagëve me datë 30 gusht 2023, me një mesatare vjetore prej 5.05 persona/vit. Krahasuar me periudhën e mëparshme ka një dispropocion shumë të madh rreth 4.4 herë më shumë!?
Gjithsej në total, për 80 vjet (1944 – 2024) kanë rënë në krye të detyrës, sipas dokumenteve që aktualisht disponohen, 281 punonjës policie, shumica e të cilëve nga shërbimet e rendit dhe të kufirit, me një mesatare vjetore prej 3,5 punonjës/vit. Sigurisht që për periudhën 1990-2024 kjo mesatare është më e lartë, 6,5 punonjës/vit, që është gati 2 fishi i mesatares së përgjithshme. Këtu duhet thënë se në këtë periudhë përfshihet edhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, që është pothuajse gjendje lufte!? Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është bërë me vendim të Kuvendit Popullor dhe ka filluar nga ora 1735e datës 2 mars 1997 dhe ka vazhduar deri në orën 16të datës 24 korrik 1997, gjithsej 145 ditë. Në këtë periudhë kanë humbur jetën 41 punonjës policie, duke filluar nga oficeri Gjergj Mehmeti, që në ditën e dytë të gjendjes së jashtëzakonshme, me 3 mars në Sarandë dhe i fundit Fran Murrizi, me 23 korrik në Shkodër, me një mesatare një rënë në 2 në javë. Ndërsa gjatë këtij viti të mbrapsht kanë humbur jetën gjithsej 60 punonjës policie, duke filluar me Shezai Zanaj, me 12 shkurt në Vlorë dhe përfunduar me Ismet Laçin, me 31 dhjetor në Pogradec, me një mesatare një i rënë në 6 ditë. Shifrat flasin vetë, është pothuajse bilanc lufte!?
Në periudhën e pas viteve 1990 veçohen:
– ngjarja e 10 prillit 1994 në postën e Kufirit Peshkëpi, Gjirokastër, ku me një akt terrorist u vranë në mes të natës, brenda në godinën e postës oficeri Fatmir Shehu dhe ushtari Arsen Gjini, si edhe u plagosën 3 ushtarë të tjerë,
– Vrasja në krye të detyrës e policit Allaman Dervishi më 24 maj 2004 nga një gardist me armën e një punonjësi policie, pra është një vrasje brenda organizatës,
– ngjarja e datës 7 gusht 2009, ku në një operacion policor për kapjen e një të shumëkërkuari nga drejtësia humbën jetën 4 punonjës policie: oficeri Fatos Xhani dhe policët Kastriot Feska, Alket Dizdari dhe Saimir Duçkollari. Për të tri këto raste në kuadër të veprimtarive përkujtimore këtë vit në nderim të tyre u nderuan vepra arti: përmendore në Peshkëpi, bust për Allaman Dervishin dhe memorial për dëshmorët e 7 gushtit.
Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshme se ka vetëm një rrugë nëpër të cilën ecën historia e lirisë. Ajo është rruga e gjakut të dëshmorëve, të cilët në momentet e mëdha historike, ishin të gatshëm të falin gjakun për ardhjen e lirisë dhe ndërtimin e konsolidimin e shtetit shqiptar, pas shpalljes së Pavarësisë e gjer në ditët tona.
Kalojnë vite, kalojnë edhe shekuj e kujtimi për dëshmorët mbetet i freskët përherë në mendjet tona, në kujtesën tonë historike. Brezat që vijnë do t’i mbajnë në zemër dëshmorët, për t’i bërë ata flamuj që valëviten rrugëve e shesheve të atdheut tonë.
Liria ndërtohet me jetë të ndërprera në mes, me gjak, me dëshmorë. Kurse, dëshmorët janë nderi dhe krenaria e çdo popullit dhe e popullit tonë martir. E atij populli që synoi ta fitojë lirinë në shekuj me radhë dhe që donë e din ta ndërtojë jetën e lirë.
Dëshmorët janë ndërgjegjja më sublime dhe vetëdija e ngritur lart deri në piedestalin e vetëflijimit. Dëshmorët ringjallën çdo përvjetor dhe festojnë bashkë me ne Ditën e Lirisë.
Kujtimet e vetme që mbeten nga dëshmoret janë përmendoret, lapidarët, bustet, memorialët, emrat e rrugëve e shesheve, emrat e shkollave apo institucioneve publike dhe shpesh herë duhet të meditojmë: sikur ata të ishin gjallë dhe të shikonin si ka ecur atdheu për të cilin ata u flijuan dhe mbase do të mund të reflektojmë për ato gjëra që s’janë bërë mirë dhe që amanetin e tyre në saj të politikave jo fort të gjetura qeverisës nuk e kemi çuar atje ku ëndërronin ata. *Përmbledhje e kumtesës së mbajtur në Konferencën e X-të Shkencore të Akademisë së Sigurisë, “Policia e Shtetit në 80-vjetorin e çlirimit të atdheut, arritje dhe sfida”, organizuar në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të 80 – të vjetorit të Çlirimit”.