TE KULLA E GJONIT
“Te kulla e Gjonit!”, një arkeolog,
Në vite, gërmoi shumë gjatë;
Hodhi plot gjurmë në katalog
Nga ky toponim i lashtë….
Një ditë si i marrë sa s’fluturoi:
Tha, këtu është vendlindja e Gjergjit,
Atë që kërkonte më në fund zbuloi,
Përkrenaren, gjeti në rrënojat e Gardhit.
“Ta dini se gjyshi i Zotit Skënderbe,
Veç këto dy fshatra kish në zotërim”;
Nga këtu shtegtoi në shekuj kjo legjendë,
Nga vendlindja ime, Gardh e Sinjë…..
VENDLINDJA IME…
Mal në “Nandë Malet” e Dibrës,
Jo vetëm për lartësi,
Muhurri ynë, perlë e natyrës
Me shumë bëma në histori.
Skënderbeu këtu i ka trojet,
Në Gardh, Sinë e Mazreka,
Këtu lindën dhe gjeneralët,
Nikoll e Dhimitër Berisha.
Këtu i kam legjendat dhe këngët
Për besëlidhjen e trimave muhurrakë,
Kur hasmit ia rrëmbyen pushkët
Vatanit me i dalë hak..
Kur n’beteja Dan Leka u printe,
Me e shporrë shkjaun nga votra
Kur n’kuvende Nuz Lala i mblidhte,
Të keqes me i dalë përpara…
Këtu lindi Dine Hoxha,
Më i miri i të mirëve të Dibrës,
Që ligjëroi n’kuvende e oda,
Gjithnjë projeksion i së mirës.
Këtu ka trojet Gjon Kastrioti,
Këtu ka hedh rrënjë liria.
Muhurri im bukuri nga Zoti, Mbi të ulur historia.