Në 80-vjetorin e çliririmit të Atdheut nga pushtetuesit nazfashistë u nderua nga Bashkia Mat.
Nga Mimoza CACA
Rifat Vani, i lindur më 12 janar 1935 në fshatin Urakë të rrethit Mat, ishte një nga mësuesit më të njohur dhe të respektuar të këtij rajoni. Gjatë karrierës së tij të gjatë dhe frymëzuese, ai ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në formimin e qindra nxënësve që më vonë u bënë intelektual e kuadro të rëndësishëm të shoqërisë.
Kontributi i tij në fushën e arsimit ishte i jashtëzakonshëm, ku veç të tjerash bashkë me disa koleg të tij krijuan shkollën 8 vjeçare të natës, ku jepnin mësim vullnetarisht për punëtorët dhe fshatarët që ishin me arsim fillor.
Përveç mësimdhënies së përkushtuar, Rifat Vani krijoi grupin e parë artistik të fshatit Urakë, një grup që fitoi famë gjatë viteve 1970-1980. Ky grup artistik u bë një platformë e rëndësishme për zhvillimin dhe promovimin e talenteve të reja, duke e pasuruar kulturën lokale dhe duke e bërë Urakën një qendër të gjallë të veprimtarisë artistike, ku zbuloj edhe dy talentë të rinjë të shkëlqyer siç ishin Fatime Cakoni dhe Ded Gjoni të cilët u bënë shumë të njohur në atë kohë, si në rrethet e Matit dhe Mirditës e më gjërë. Ai thoshte gjithmonë, se i kishte ngelur peng që nuk i dërgoi në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, megjithëse fituan në konkurim, konjukturat e kohës i lane jashtë festivalit. Ndërsa mësuesi i nderuar kishte shumë miq, nuk i shfrytëzoj asnjë here për interesa personale, sepse ai gjithmonë kërkonte dhe respektonte vetëm të drejtën dhe të vërtetën.
Një moment historik në jetën e tij ishte edhe viti 1967 siç na e kujton një nga ish nxënsit e tij Luan Gjonaj, një ushtarak i lartë i cili mori mësimet e para nga mësues Rifati. Komandant Luani na kujton se, mësues Rifat Vani kontribuoi vullnetarisht në elektrifikimin e fshatit. Bile me buxhetin e tij personal, ai ndriçoi rrugën kryesore të fshatit, duke sjellë dritë dhe shpresë në jetën e përditshme të banorëve. Ky akt bujarie dhe përkushtimi pasqyron më së miri shpirtin e tij altruist dhe dashurinë për komunitetin e tij.
Rifat Vani ishte gjithashtu një dizenjator i shkëlqyer dhe një dashamirës i madh i kultivimit të luleve. Kopshtet dhe ambientet e tij ishin gjithmonë të zbukuruara me lule të mrekullueshme, duke sjellë një ndjenjë qetësie dhe bukurie në fshat dhe në shkollë. Përkushtimi i tij ndaj edukimit të brezave dhe shpërndarjes së dijes ishte i palëkundur. Ai veç të tjerash ishte edhe një inisiator dhe organizator i shkëlqyer. Falë intelegjencës dhe formimit të tij intelektual, ai referoi në shumë konferenca shkencore dhe profesionale, duke ndarë njohuritë dhe përvojat e tij me kolegë dhe të rinj të tjerë. Rifat Vani, ka botuar një sërë artikujsh në shtypin e kohës, si dhe ka një krijimtari të gjërë, ku spikat teksti dhe muzika e këngës për liqenin e Ulzës, “Përkundu përkundu ti moj varka ime” etj.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsimimin, zhvillimin dhe përhapjen e kulturës e dijes, si dhe për qytetërimin e Urakës, Rifat Vani u dekorua me urdhërin e lartë “Naim Frashëri”. Ky nderim është një vlersim i punës dhe kontributit të tij, një dëshmi e respektit dhe mirënjohjes që komuniteti dhe institucionet kishin për të.
Rifat Vani ndërroi jetë më 30 tetor 2023, duke lënë pas një trashëgimi të pasur dhe një shembull frymëzues për brezat e ardhshëm. Ai do të kujtohet gjithmonë si një mësues i përkushtuar, një drejtues i artit e kulturës i talentuar, dhe një qytetar i jashtëzakonshëm që dha gjithçka për zhvillimin dhe përparimin e komunitetit të tij. Në kujtesën e popullit të Urakës dhe më gjerë, Rifat Vani do të mbetet një figurë ndriçuese, një simbol i kulturës dhe i dashurisë për dijen dhe artin.
Pak ditë më pare, në 80-vjetorin e çliririmit të Atdheut nga pushtetuesit nazfashistë u nderua nga Bashkia Mat.