Rrallë ndodh që një pedagog të ishte kaq i kulturuar, i urtë dhe fisnik njëkohësisht                 

Në vitin 1971 fitoi titullin “Docent” dhe 1995 titullin “Profesor”.   Prof. dr. Nexhmedin Misiri është vlerësuar nga Qëndra Ndërkombëtare e Biografive Kembrixhit në Angli , si njeriu i shquar i vitit 2000.

Dr.Hasan DOMI

Me 5 nëntor 2024 prof. dr. Nexhmedin Misiri mbushi plot nëntëdhjetë e nëntë vjeç dhe ashtu i qetë si gjithmonë është nisur tek të njëqintat dhe urojmë që Zoti t’i dhurojë akoma jetë të gjatë, të shëndetshme dhe të lumtur, këtij korifeu të dijes e të shkencës, këtij burri kaq të urtë e të thjeshtë, këtij edukatori të tërë brezash, këtij kontributori të papërsëritshëm  në fushën e farmakologjisë dhe toksikologjisë veterinare dhe humane në Shqipëri,  këtij burri të madh të kombit tone.

Në fushën e mjekësisë veterinare kombi ynë ka nxjerrë figura të spikatura me kontribute si në Shqipëri dhe jashtë saj, mund të përmendim këtu Mehmet Akifin, Sejfi Vllamasin, Bilal Golemin, Vasfi Samimin(Visoka), Dhimitër Vavakon, Medar Shtyllën etj.

Profesor Nexhmedin Misiri ishte njëri prej tyre që për fatin e mire jeton akoma e që të gjithë ato të cilët kanë patur fatin ta njohin e ta dëgjojnë janë në një mendje, se rrallë mund të kombinohen tek një person kaq vyrtyte bashkë.

Po kush është profesor Nexhmedini, ku studjoi dhe çfarë veprimtarie jetësore pati në këto nëntëdhjetë e nëntë vjet ?

Shqipëria e varfër e gjysmës së dytë të shekullit XIX e pikërisht në vitin 1876 pati barnatoren e parë hapur në Elbasan nga Sulejman Misiri, gjyshi i profesor Nexhmedinit. Një e dytë barnatore,  po këtë periudhe ishte hapur në Shkodër nga Mozalët (e pikërisht nga kjo familje do të vinte  vite më vonë një figure tjetër e madhe në fushën e veterinarisë prof. Moisi Mozali). Kështu gjyshi Sulejman dhe më vonë i ati Hasani do të ishin farmacistët më të shquar të vendit dhe pikërisht në këto amiente, Dini (kështu e thirrin në Elbasan) do të rritej me barnat, me shqetësimet e problemet e farmacisë dhe me kuriozitetin e fëmijës për efektin çudibërës të shumë barnave. Këtu u njoh me ilaçet, me përgatitjen e shumë e shumë tretësirave dhe melhemeve, ai u bë një farmacist i vogël që ndiente kënaqësinë e punës, e cila do ta shoqëronte gjithë jetën. I ati shikonte zgjuarsinë e të birit, vëmendshmërinë e tij dhe shpresonte në të ardhmen e tij. Nuk gaboi Hasani, pasi Dini i tij do të ishte një trashëgimtar i denjë i barnatores së Misirëve dhe njëkohësisht i vetmi pedagog që qëndroi në identitetin e tij ,që vazhdoi të merret me studime në këtë fushë dhe aktivitet farmaceutik. Pak kush e din, që “MILIFAR”distributor, me aktivitetin më të madh të preparateve veterinare me president dr. Albert Metani, është emërtim i ideuar nga profesori  Nexhmedin Misiri.

Mësimet e para i mori në shkollën ushtrimore të normales, ku mësues pati një intelektual të arsimuar në Austri e që quhej Karl Ljarja, një Shkodran, i cili kontribuoi në arsimimin në normalen e Elbasanit , më vonë në Ministrinë e Arsimit e më vonë pedagog.

Mësimet i vazhdoi në Liceun e Shtetit në Tiranë dhe me fillimin e luftës italo-greke kthehet në  Elbasan dhe përfundon Shkollën Normale.

Në vitin 1947 shkon për studime në San Petersburg (ish Leningradi) në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare deri në vitin 1952 duke përfunduar me diplomën “Shkëlqyeshëm”dhe menjëherë pas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri,  emërohet në “ Shkollën e Mesme Bujqësore” Kamëz – Tiranë. Pas dy vitesh transferohet pedagog i lëndës së Farmakologjisë në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në Institutin e Lartë Bujqësor.                                                                                                                                                 Nga viti 1963 deri në vitin 1968, profesor Nexhmedin Misiri ishte pedagog edhe i Fakultetit të mjekësisë për lëndën e Farmakologjisë.                                                                                                                                                     

Si pedagog, profesor Nexhmedini zhvillonte leksione të një niveli shumë të lartë , zotëronte më së miri auditorin, i bënte leksionet shumë interesante sidomos kur argumentonte e interpretonte në mënyre thellësisht shkencore farmakokinetikën, farmakoterapeutikën, farmkodinamikën e barnave, korelacionin dhe ndikimin reciprok ilaç-organizëm, veprimin aktiv në metabolizmin qelizor, dhe gjithë sistemet e organizmit, në klinikën deri në shërimin e organizmit. Ishte kënaqësi të dëgjoje leksionet e tij, mënyra si lidhte lëndën e farmakologjisë me disiplinat e tjera si biokimia, fiziologjia normale dhe patologjike, diagnostikën dhe terapinë. Kush ka mbaruar një fakultet mjekësie, e din më së miri se Farmakologjia është lëndë e vështirë, por është pedagogu ai se si e shpjegon, si argumenton dhe sa të kuptueshme e bën atë. Leksionet ishin të përkryera, komunikimi  me studentët ishte shembullor. Rrallë ndodh që një pedagog të ishte kaq i kulturuar, i urtë dhe fisnik njëkohësisht.  Nuk kishte si  të ndodhte ndryshe kur profesor Nexhmedini punonte gjithmonë për të qenë një pedagog i kompletuar në të gjitha drejtimet. Ai merrte informacionet më të reja si nga vendet e Lindjes dhe të Përendimit, falë njohurive në gjuhët e huaja anglisht, rusisht, frëngjisht, italisht.                                                                                                                                

Në vitin 1972 kreu një specializim gjashtë mujor në Institutin e Farmakologjisë dhe Terapisë Eksperimentale të Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit  Milanos. Kështu profesor Nexhmedini do të ishte një toksikolog me njohuri të thella. Si i tillë do të punonte shef i sektorit të toksikologjisë në Institutin e Kerkimeve Veterinare nga viti 1974 deri në vitin 1983, vit kur doli në pension. Por leksionet në fakultetin e Mjekësisë Veterinare do të ishin pjesë e punës dhe kënaqësisë së tij. Si udhëheqës shkencor ka udhëhequr 10 doktorantë në farmakologji dhe toksikologji veterinare dhe 15 tema për mbrojtje. Gjithashtu ka bërë oponenca dezertacionesh, tekste , monografi, broshura etj.                                               

Si shkencëtar, është shquar në metodat e eksperimentimit dhe kërkimit e interpretimit shkencor në punën dhe veprimtarinë e tij. Kështu, më 1967 mbrojti dezertacionin me temë: “Studime eksperimentale mbi farmakodinamikën e glikozideve kardiotonike të shpendrës në vendin ton”. Ka kryer studimet: “Efekti fashiolocid i një preparati tjetër të tetraklorurit të karbonit”, “Veprimi konservues dhe hemogjenizues i Na EDTA dhe përqëndrimi i plazmës në proteinoterapi” dhe   “Harta ekotoksikologjike e vendit tonë” etj.

Por profesori nuk ishte njeri vetëm i auditorit dhe laboratorit, ai dha një ndihmesë të pashoqe në përcaktimin e rasteve të helmimeve masive në begtori, në të gjithë vendin tonë nga kullotat fushore deri ato alpine.

Problemet  e organizimit të farmacive veterinare ishin një preukupim i profesorit në kushtet e reja të ekonomisë vendit tone. Kështu, jo vetëm hartoi programet, por organizoi edhe kurset e para për përgatitjen e mjekëve veterinarë dhe ndihmoi drejtpërdrejtë në hapjen dhe funksionimin e farmacive veterinare, mbi prodhimin e barnave veterinare, mbi regjistrimin dhe importimin e tyre.                                                                     

Nga dora e profesor Nexhmedinit, kanë dale dhjetra tekste shkollore si: “Farmakologjia veterinare” për shkollën e mesme dhe fakultetin, “Farmakologjia për Fakultetin e Mjekësisë”, “Farmakologjia stomatologjike”, “Higjena e kafshëve bujqësore” etj. Artikuj shkencorë, një seri artikujsh divulgativë.  Referime shkencore në sesione të ndryshme në Institutin e Lartë Bujqësor, Institutin e Kërkimeve Veterinare, Fakultetin e Mjekësisë. Botimet e herepashershme për preparatet veterinare janë pjesë e aktivitetit të tij botues.  Librat  “550 receta të mjekësisë popullore”, “ Fjali dhe Proverba Latine” janë një pjesë e botimeve të tij.

Në vitin 1971 fitoi titullin “Docent” dhe 1995 titullin “Profesor”.                                                                                 

Profesor dr. Nexhmedin Misiri është vlerësuar nga Qëndra Ndërkombëtare e Biografive Kembrixhit në Angli , si njeriu i shquar i vitit 2000.                                                                                                                                                                      

Unë e konsideroj veten me fat që kam patur mundësi të rri nga afër me profesorin, të bisedoj me të, të mësoj nga profesori, të fitoj sado pak nga metodat e tij studimore. Ai, padyshim është një nga intelektualët me kulturë të gjërë, ka njohuri në shumë fusha të dijes, është një enciklopedist. Teksa po bisedonim një ditë nga viti 2003 për probleme të feve dhe sidomos asaj islame, më befasoi sa njohuri kishte nga Kurani dhe Hadithi dhe interpretimi i tyre. Kuranin, më tha profesori, e kam kuptuar më së miri nga leximi në italisht, si gjuhë e pasur gramatikore, pasi përkthimi në shqip është i varfër. Dhe pas disa ditësh më solli një studim filozofik të emërtuar “Takim me Zotin”. Studim të cilin e ruaj me fanatizëm dhe në të cilin kuptohet sa njohuri të thella ka profesori në këtë fushë.                                                    

Profesor Nexhmedini është i respektuar në të gjitha mjediset, gëzon respektin e kolegëve, ish- studentëve dhe bashkëpunëtorëve. Pamja e tij, fjala e tij e ëmbël përcjellin mirësi, kulturë, thjeshtësi dhe respect për bashkëfolësin. Vitet e fundit profesori jeton në mes Amerikës dhe Kanadasë, duke krijuar boshllëk qenia e tij në ambientet elitare të shoqërisë shqiptare.

Tani, që profesor Nexhmedini po bëhet shekullor, i urojmë akoma plot vite të tjera jetë, të shëndetshme në mes ngrohtësisë së  familjes dhe dashamirësisë së miqve të shumtë.