•HALIL RAMA – Mjeshtër i Madh: “Kudo ai shfaqet si një intelektual i përgjegjshëm, predikues i vlerave tona kombëtare, i dashurisë për Atdhe dhe marrjen e fateve të tij në duart e vetë shqiptarëve”.

MARGARITARË ANALITIKË PËR SHPENDIN
Doli këto ditë nga shtypi libri “I palodhuri Shpendi, shkrimtari, njeriu” botim i shtëpisë botuese 2M. Është libri i pestë që shkruhet për veprën poliedrike të këtij shkrimtari të palodhur që kontribuon në kulturën shqiptare.
Për Shpendin janë shkruar këta libra: “Të shkruar në liri”, “Liria e të shkruarit”, “Kur mendja bashkohet me zemrën”, “Shpendi Topollaj, Nje shkrimtar i çuditshëm”, dhe ky që më i fundit “I palodhuri Shpendi, shkrimtari, njeriu”.
Nuk është pak të shkruhen pesë libra për një autor, nuk është pak që edhe në librin e fundit “I palodhuri Shpendi, shkrimtari, njeriu” janë me dhjetra autorë me zë që shkruajnë mbi vlerat e veprës së Shpendi Topollajt.
Libri nbahet në dy pjesë ku pjesa e parë përbëhet me analiza dhe persiatje, ndërsa pjesa e dytë ka mesazhe të marra në kohë të ndryshme, duke filluar nga i madhi Ismail Kadare e deri te Teuta Vinca.
Vlen te citoj shprehjen e mikut tim, Mjeshtrit të Madh Halil Rama se çfarë shkruan për Shpendin:
“Kudo ai shfaqet si një intelektual i përgjegjshëm, predikues i vlerave tona kombëtare, i dashurisë për Atdhe dhe marrjen e fateve të tij në duart e vetë shqiptarëve”.
I urojme udhë të mbarë këtij libri plot me margaritarë analitike për Shpend Topollajn!
Fatmir MINGULI

I PALODHURI DHE DINJITOZI….
E kam shprehur disa herë se ndihem krenar që kam një mik si shkrimtari i të gjitha gjinive Shpendi Topollaj. I kam kushtuar atij edhe dy poezi, por këto kanë qenë pak, shumë pak për të treguar konsidetarën time për vlerat e larta të tij, si në planin njerëzor dhe atë intelektual, ashtu edhe në fushën e krijimtarisë së jashtëzakonshme letrare. Kur mësova se po botohej volumi i pestë kushtuar jetës dhe veprës së tij, kërkova me ngulm që parathënia të më besohej mua. E quaj këtë një nder për atë që di të nderojë dhe vlerësojë si askush tjetër, krijimtarinë e kolegëve të njohur e të pa njohur. Edhe titulli i librit është një propozimi im. Për Shpendin vlen të kujtohet ai epitafi i famshëm te varri i Nikolo Makiavelit: “Tanto nomini nullum par elogium” që në shqip do të thotë se “Për një emër të tillë asnjë lavdi nuk është e barabartë”. E bëj këtë përqasje edhe pse e di fare mirë dallimin e tij me autorin e djallëzuar të “Sundimtari” – t i cili këshillonte që për arritjen e qëllimit, nuk duhen marrë parasysh mjetet. Shpendi, me ndershmërinë e tij karakteristike është antipodi i tij. Shumë epitete i kanë kushtuar atij, por unë mendova ta quaj këtë përmbledhje thjesht “I palodhuri Shpendi Topollaj”. I palodhuri dhe dinjitozi Shpendi Topollaj. E them këtë, pasi e kam parë që kur i kanë dhuruar një roman, jo vetëm që e ka lexuar atë me një frymë, por edhe i ka bërë analizën për ta botuar në ndonjë gazetë a portal. E them këtë, pasi e kam ndjekur nga afër organizimin e promovimit të librave të pafund, duke siguruar gjithçka duhet për mbarëvajtjen që nga sallat e deri te lajmërimet e auditorit. I kam lexuar ato në plot tridhjetëepesë librat e tij me kritika letrare, çka besoj se është një rast i rrallë në historinë e letërsisë tonë. E them këtë, pasi kam parë se ai gjithmonë, madje edhe kur ka qënë i sëmurë, nuk u ka thënë jo, të gjithë atyre që i kanë kërkuar tu mbajë fjalën kryesore, si në qytetin e tij Durrës, ashtu edhe në qytete të tjera, pa harruar edhe shtete të tjera, si Kosovë, Maqedoni e Veriut apo Greqi. E them këtë, pasi ai nuk ka reshtur së shkruari e botuari rreth tetëdhjetë libra artistikë (disa në gjuhë të huaja), ku veç kritikave letrare, ka lëvruar me sukses të plotë, romanet, novelat, tregimet, poezitë, publicistikën, esetë, epigramet, aforizmat e deri dramat. E them këtë, pasi ai për asnjë çast nuk ka reshtur së ngrituri zërin e pabesueshëm, në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare dhe veçanërisht të domosdoshmërisë së bashkimit kombëtar. E them këtë, pasi ai nuk i ka kursyer qortimet e tij të mprehta dhe të rrepta si për politikën tonë nënshtruese ndaj të huajve, ashtu edhe ndaj vetë hileve që këta të fundit manifestojnë ndaj shqiptarëve e sidomos ndaj vëllezërve tanë kosovarë, duke kërkuar ti bëjnë lëshime pas lëshimesh kriminelëve serbë. E them këtë, kur kam parë se ai me burrëri e ktheu mbrapsht çmimin e madh “Pushkin” akorduar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rusisë, kur ky vend sulmoi mizorisht e pabesisht popullin e Ukrainës. E them këtë kur e shoh se ai të gjithë librat e botuar me sakrifica të mëdha ekonomike, ua dhuron shokëve dhe miqve të shumtë si dhe bibliotekave anë e kënd Shqipërisë. E them këtë, teksa jam dëshmitar i nxitjes dhe përkrahjes që ai u bën autorëve të ndryshëm, duke ua korrigjuar, redaktuar apo shkruar parathëniet librave të tyre. E them këtë ngaqë e shoh se si përhap dije dhe kulturë në çdo takim me nxënësit e shkollave. E them këtë edhe ngaqë asnjëherë, me gjithë këmbënguljen e punonjëseve të Bibliotekës dhe miqve të tij shkrimtarë, nuk ka pranuar ti promovohen librat e tij. E them këtë edhe për faktin se ai është drejtues energjik i disa shoqatave në rang rrethi e kombëtare si ajo “Skënderbegasi” Nderi i Kombit, OBVLP, Federata e Paqes Univesrale, Dega Durrës, etj. E them këtë se është një familjar i përkushtuar si pakkush. Por mbi të gjitha, e them këtë pasi Shpendi Topollaj, është mik me të gjithë, i thjeshtë, i dashur me këdo dhe gjithmonë gojëmjaltë e bujar. E them këtë edhe pse ai për asnjë çast nuk e hoqi nga mendja dhe zemra e tij ushtrinë, ku pas shkollës “Skënderbej” dhe asaj të Oficerëve shërbeu për një kohë të gjatë, ku mori gradën kolonel dhe la kujtimet e një njeriu dhe kuadri model. Por nuk mund të rri pa thënë se edhe pse punoi për rreth njëzet vjet në organet e drejtësisë, përsëri, jeton në një apartament prej pesëdhjetë metrash katrore. Personalisht, jam miqësuar me të vitet e fundit dhe më vjen keq që kjo ndodhi kaq vonë. Megjithatë, duhet të pranoj se më duket sikur e kam pasur përkrah këtë njeri korrekt e të sinqertë gjithë jetën. Këtë njeri që edhe pse i bënë padrejtësi dhe e ndëshkuan pas babait të tij, partizanit trim Hulësiut, përsëri nuk shfaqi asnjëherë ndonjë ndjenjë hakmarrjeje për askënd. Këtë njeri, shok e mik që më përkrahu pa rezerva që të nisja rrugën e bukur të shkruarjes dhe botimit të poezive, pikërisht kur fati më solli disa fatkeqësi dhe kisha nevojë të shprehesha. Këtë njeri që na bashkonte fakti që kishim kaluar të njëjtat vështirësi e peripeci në reparte të ndryshme të ushtrisë, për mbrojtjen e Atdheut tonë të shtrenjtë. Sa shumë kisha për të thënë, por po e ndërpres këtu fjalën time, se mu kujtua Volteri që thosh: “Të gjitha nderimet e kësaj bote nuk vlejnë për një mik të mirë”. Dhe si për t`i vërtetuar fjalët e mia, sapo e përfundova këtë shkrim, Shpendi u zgjodh njëzëri Kryetar i Federatës së Paqes Universale në Durrës. Si unë folën për të edhe Ambasadorët për Paqe, intelektualë dhe personalitete nga më të shquarit….
BAJRAM SULEJMANI