( Për nënat e dëshmorëve)
Namik Dokle*
Nga të gjitha mrekullitë e botës, qofshin shtatë apo shtatëdhjetë, e para dhe më e madhja është NËNA. Edhe vetë jeta nuk ka ardhur dhe as mund të vinte pa ekzistencën e nënës. Deri më sot, të paktën, asnjë gjuhë e botës nuk ka mundur të shprehë plotësisht forcën, bukurinë, shpirtmadhësinë dhe heroicitetin e nënave. Prandaj thuhet në këtë botën tonë se Perëndia, duke mos mundur të ishte kudo dhe në çdo moment, krijoi NËNËN. Zemra e saj është ai lloj kapitali që kurrë nuk falimenton dhe tek i cili, gjithkush prej nesh, mund të mbështetet me siguri të plotë sa të ketë jetë.
Në këto ditë, kur po afron Festa e çlirimit të Shqipërisë, kujtojmë njëzetetetë mijë dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e saj, liri të cilën e gëzojmë që prej tetëdhjetë vjetësh. Por kurrë nuk kemi harruar dhe as nuk duhet të harrojmë se ata i kishin lindur njëzetetetë mijë nëna, nuk kemi harruar dhe nuk harrojmë se prapa emrit të një trimi a të një heroi, qëndron një nënë trimëreshë dhe një nënë heroinë. Dëshmorët tanë janë yje të lirisë, janë yje që nuk shuhen, por edhe nënat janë yjet që më shumë ndriçojnë.
Gjatë jetës dhe punës time më ka rastisur të shkojë në shumë familje dëshmorësh, të takoj plot nëna të tyre, ato nëna që i kishin lindur bijtë dhe bijat për “një botë të re”, siç këndohej dikur. Është i paharrueshëm për mua zëri i nënës së Misto Mames, i qetë dhe i thellë, sikur po dilte nga vargmalet dhe grykat e historisë. Dhe po më tregonte gjënë më njerëzore, çfarë i kishte dhënë të birit për të ngrënë për mëngjesin e fundit që e përcolli, drejt pavdekësisë. “ Ja, këtë etazher për libra e ka bërë Mistua, me duart e tija; edhe këtë gozhdën që është pak e dalë, ashtu e kam lënë gjithë këto vite, ashtu si e la vetë ai. Aty, mes librave, është edhe vjersha që Mistua shkroi për Mihal Durin, që u vra 6 ditë para tij…” Dy shokë, dy heronj, dhe një nënë që nuk i ndan, por flet për ta si t’i kishte të dy djemtë e saj.
Nuk mund të harrohet nëna labe Shahe Luçi, që i ngriti këngë Jasharit, djalit të saj dëshmor:
Erdha dhe t’u qasa pranë,
Me thonj ta zbulova varrë,
Më zuri dora në ballë,
Aty ku kishe marrë plagë…
Pas luftës, edhe djali i dytë i saj, Nuriu, ra dëshmor. Dhe kjo nënë heroinë, thuri këngën e famshme për të dy:
O djem, ç’bëni kështu?
Vitet tutje, ju tëhu…
Nuk mund të harrohet as nëna e dëshmores kukësiane Hava Kërxhaliu, që bashkë me të bijën endën në qilimin e nusërisë shqiponjën e flamurit dhe germat “V.F.”—“L.P.”
Më ka surprizuar nëna e heroinës mirditore Dila Marku, kur e pyeta për fjalën e fundit të së bijës…: “Oj, nanë, ma jep një pikë ujë! Por nuk ia dhashë dot, nuk më lanë kriminelët…” Ramize Gjebrea, një natë para pushkatimit, qëndroi në një familje të panjohur, me një nënë të panjohur. Në mëngjes, edhe pse e dinte që po e çonin drejt pushkatimit atë partizane të re, i dha një palë çorape. “Merri, bijë,-i tha,- mos të të mardhin këmbët.” Dhe e qau “me ligje, sikur ta kishte bijë të vetën.
Kështu ishin nënat shqiptare, në ato humnera të historisë, kur rrezikohej vendi, kur ishte skllavëruar populli, kur liria ishte në thikë e në brisk. Sa të thjeshta, po aq madhështore; sa të varfëra, po aq shpirtpasura; sa të brishta, po aq të papërkulura; sa të dhembsura, po aq trimëresha! Ato treguan atë forcë të jashtëzakonshme, që kapërcen edhe ligjet e natyrës, gjë që vështirë ta bëjë ndonjë qënie tjetër kësisoj. Ato i mësuan bijtë e tyre se është e vështirë të triumfosh në një luftë të pabarabartë, në një luftë me armiq të egër dhe dimra të acartë, por nuk është e pamundur. Kurajo nënash! E pakrahasueshme! E paarritshme! Është e tillë sepse nënat janë ai tip martiri që e japin pak e nga pak jetën e tyre për të tjerët, për bijtë e vet dhe për bijtë e nënave të tjera.
Sot nuk janë më mes nesh nënat e dëshmorëve. Shkuan njera pas tjetrës atje ku prehen djemtë dhe vajzat e tyre. Me një mall dhe me një brengë, me një fjalë a me një këngë, duke na lënë një amanet: “ Mos i harroni vajzat dhe djemtë e lirisë! Ata i dhanë atdheut gjënë më të shtrenjtë që ka njeriu dhe nuk kanë asnjë faj për çka u bë dhe nuk u bë me Shqipërinë, pas sakrificës së tyre.”
*Mbajtur në takimin “Shqipëria e Dëshmorëve”, organizuar nga Bashkia Tiranë dhe Organizata Kombëtare për dëshmorët e LANÇ dhe dëshmorët e tjerë të Atdheut, në Hotel Tirana International më20 Nëntor 2024.