PËRSHËNDETJA – 80-VJETORI I ÇLIRIMIT TË ATDHEUT NGA PUSHTUESIT NAZIFASHISTË
Tatjana PARLLAKU – ÇARKAXHIU
Kryetare e OBVLP
- Shqipëria vlerësohet si i vetmi vend në botë që me pak ndihma nga aleatët zhvilloi luftime të ashpra dhe korri fitore me gjakun e të rinjve dëshmorë të atdheu,t vetëm me forcat e veta pa ndihmën e askujt
Është kënaqësi e veçantë për Veteranët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe për ne pasardhësit e tyre, që në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit të Atdheut nga okupatori nazifashist të përulemi me respekt përpara familjeve të dëshmorëve të atdheut dhe të kujtojmë dëshmorët e kombit, bijtë dhe bijat e Shqipërisë që në lulen e rinisë dhanë gjakun e tyre për çlirimin e Atdheut.
Fitore e madhe ishte çlirimi i Tiranës por kjo erdhi pas 5 Prillit 1944 kur Shtabi i Përgjithshëm urdhëroi mësymje të të gjithë forcave partizane kundër okupatorit nazist. Forcat partizane të Korçës çliruan Bilishtin, Ersekën dhe Pogradecin. Bigada e I-rë zhvilloi luftime të ashpra në Qukës, Krrabë dhe çliroi Elbasanin. Brigada e V dhe e VI çliruan Himarën, Mallakastrën, Gjirokastrën, Delvinën, Sarandën, Konispolin, Vlorën dhe Fierin.
Lufta për çlirimin e Tiranës i parapriu çlirimit të plotë të vendit. Ajo u zhvillua e ashpër për 19 ditë rresht në çdo rrugë e shtëpi ku i gjithë populli i kryeqytetit i madh dhe i vogël u ngrit në këmbë kundër ushtrisë gjermane. Në luftime mbetën të vrarë 127 partizanë dhe u plagosën 290 të tjerë.
Nga gjermanët u vranë 3000 vetë dhe u plagosën shumë të tjerë. Brigada e I-rë luftonte me ashpërsi në qendër të Tiranës dhe kishte marrë në zotërim Sahatin e Tiranës, Shtëpinë e Oficerëve dhe Teatrin.
Brigada e VIII-të, zhvillonte luftime në Rrugën e Kavajës, kurse forcat gjermane mbanin nën kontroll godinat e ministrive, Bankën, Bashkinë dhe Hotel London që ndodhej ku ndodhet sot Muzeu Historik Kombëtar.
Në datë 16 shtator 1944 të mposhtur përfundimisht nga lufta në Kryeqytet, gjermanët i grumbulluan forcat e tyre pranë Fushës së Aviacionit dhe në të aguar të 17 Nëntorit u nisën drejt qytetit të Shkodrës. Gjatë rrugës u goditën nga forcat partizane në Vorë dhe Lezhë dhe më pas u drejtuan në Shkodër, një qytet me vlera të lashta historike dhe një qendër e rëndësishme social-ekonomike e vendit, çlirimi i të cilës do të vuloste dhe çlirimin e plotë të Shqpërisë.
Në Shkodër u grumbulluan rreth 3000-4000 forca gjermane dhe rreth 2500 bashkëpunëtorë të tyre që iu bashkëngjitën autokolonës gjermane drejt frontit të perëndimit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore gjithë populli shqiptar ishte në rrezik. Shqipëria mund të humbiste pavarësinë dhe popullsia e Kosovës dhe trojeve etnike shqiptare në Mal të Zi dhe Maqedoni rrezikonin shpërnguljen e tyre pasi Konferenca e të Mëdhenjve e kryesuar nga Çurçill, Stalini dhe Ruzvelti kishin vendosur që shtetet të cilat do të përkrahnin nazistët do të shpërnguleshin nga trojet e tyre dhe mund të asimiloheshin nga shtetet fitimtare të luftës. Prandaj Shtabi i Përgjithshëm ju vuri si detyrë që Divizioni i I-rë dhe më konkretisht Brigada e III-të dhe e V-të pas çlirimit të Matit, Lumës dhe Dibrës detyrë kryesore do të kishin çlirimin e Kosovës dhe konkretisht të goditeshin forcat naziste, rinia kosovare të merrte pjesë masivisht në luftë dhe të ngriheshin këshillat nacional çlirimtare në zonat e çliruara.
Brigada e III-të dhe e V-të pas çlirimit të Tropojës çliruan Prizrenin, Gjakovën dhe Pejën duke hasur në rrezistencën e ashpër të Divizionit gjerman SS Skënderbej.
Kështu dështuan planet e ideollogut shovinist serb Vasa Çubrolloviç për spastrimin etnik të shqipëtarëve.
Shqiptarët e Kosovës me 55 mijë djem e vajza që luftuan heroikisht kundër nazismit vulosën fitoren në trojet tyre duke mos pasur fatin e Rumanisë që iu shkëput Republika e Moldavisë si dhe fatn e 10 milion gjermanëve që u shkëputën nga Prusia, Krakovia etj.
Populli shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi është krenar që iu bashkua Aleancës Antifashiste të popujve dhe çliruan vendin e tyre pa ndërhyrjen e forcave aleate.
Partizanët trima shqipëtarë kishin përballuar operacionin e egër të dimrit 1943-1944 dhe përballuan krah vëllezërve Kosovarë edhe operacionet e vështira të dimrit të egër në Sanxhak e Bosnje.
Flamuri Shqiptar valëvitet krenar krah fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore. Në analizat mbi fitoren, Populli shqiptar ishte i vetmi që çliroi vendin e tij pa ndihmën e forcave aleate. Bashkimi Sovjetik ndihmoi në çlirimin e të gjitha vendeve të lindjes dhe me hapjen e frontit të dytë të Luftës së Dytë Botërore për çlirimin nga nazistët vepronin forcat anglo-amerikane. Shqipëria vlerësohet si i vetmi vend në botë që me pak ndihma nga aleatët zhvilloi luftime të ashpra dhe korri fitore me gjakun e të rinjve dëshmorë të atdheu,t vetëm me forcat e veta pa ndihmën e askujt.
Duke u përkulur me respekt përpara dëshmorëve të atdheut, atyre të rinjve idealist që dhanë gjakun dhe jetën e tyre në lulen e rinisë s’na mbetet gjë tjetër veç se të themi: Lavdi Dëshmorëve të Kombit dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i tyre.