AKADEMIA PËRKUJTIMORE

OBVLP dhe LID përkujtojnë “Nderin e Kombit” Dali Ndreu, me prejardhje nga një familje tradicionale atdhetare e patriotike dibrane shqiptare

Tefta Cami-Cani

  • Të dënohej e pushkatohej Dali Ndreu si armik e për tentativë arratisjeje, me siguri, ka qenë një alibi e sajuar nga një segment i Beogradit që është shpërblyer prej tyre. Nuk mund të arratisej Dali Ndreu në Beograd, sepse nuk mund të mirëpritej prej tyre për bëmat antiserbe të gjyshit të tij, Elez Isuf Ndreut

Qe kënaqësi, që isha ftuar nga OBVLP dhe Lidhja e Intelektualëve Dibranë të merrja pjesë në veprimtarinë e luftëtarit të lirisë dhe ish gjeneralit e Nderit të Kombit, Dali Ndreut! Ndoqëm një dokumentar për jetën e veprimtarinë patriotike të Dali Ndreut e të paraardhësve të tij trima në luftrat për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve të huaj i realizuar me dokumente arkivore e përjetime të kohës, me mjaft cilësi e realizëm nga sekretarja për marrëdhëniet publike të OBVLP, Znj. Mimoza Dilaver Kurti.

  Aktivitetin e drejtonte sekretari i Përgjithshëm OBVLP, gazetari dhe shkrimtari i mirënjohur  z.Halil Rama. Përshëndetën kryetarja e OBVLP, znj. Tatjana Rrahman Parllaku dhe profesorët e shquar të historisë, Prof.dr. Pëllumb Xhufi e prof. dr. Shefqet Hoxha dhe prof. Demir Osmani, përfaqësuesi i Lidhjes së Intelektualëve Dibranë me kryetar prof. Shpetim Cami. Folën e përshëndetën shumë të pranishëm.

 M’u dha fjala dhe përshëndeta edhe unë të pranishmit e veçanërisht vajzën Dali Ndreut, Lavdien e nipin e tij, Enverin, të cilët përjetuan vitet e persekutimit në sistemin e kaluar. 

  Familja e Ndrejeve të Sllovës kanë qenë të lidhur dhe kanë bashkëpunuar me paraardhësit e mij Cami, si dhe me të tjerë gjatë gjithë periudhave të historisë në luftrat kundër pushtuesve të huaj për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

  Gjatë Luftës së Parë Botërore 1913-1918 në krahinat Veri-Lindore të Shqipërisë në Luftën kundër sulmeve të forcave pushtuesve serbe e bullgare ishte krijuar një kordon i madh lufte e bashkëpunimi qëndrese të papërkulur nga Luma me Muharrem Bajraktarin, me princin e paepur Elez Isuf Ndreun në Sllovë, me Aliajt në Fushë Alie, me Karasanët e Shehelerët në Peshkopi, me Ismail Strazimirin e bejleret e Maqellarës në Maqellarë, me Mersim Demën në zonën e Shpenzës, me Fet, Shaban dhe Dan Camin në zonën Tërbaç e Gollobordë, me Aqif pash Elbasanin në zonën Librazhd-Pogradec, me Starovët në Pogradec-Korçë dhe me Sali Butkën në zonën Korçë-Leskovik. Këto familje të mëdha tradicionale i bashkonte besa e ideali kombëtarë, për të mbrojtur interesst kombëtare. Gjatë Luftës së Parë Botërore është vrarë e masakruar nga forcat serbe Fet Shaban Cami, si legjenda e asaj lufte në atë krahinë dhe vritet nga forcat pushtuese bullgare Shaban Mahmut Cami, sipas botimit të ASHSH me autor Gazmend Shpuza në librin me titull “Mbi Lëvizjen fshatare e Shqipërisë të Mesme”. 

  Edhe në Luftën e Dytë Botërore kundër pushtuesve fashist italianë e nazistëve gjermanë u ngritën e luftuan djemtë e burrat e familjeve tradicionale patriote, që organizuan qëndresën e rezistencën në krahina, krijuan çeta, sipas traditave të Maleve të Dibrës. Mbi këtë traditë krijoi Çetë edhe Ahmet Fet Cami që në janar të vitit 1940 dhe bëri dy aksione në fund të marsit dhe me 2-3 prill 1941 për sigurimin e armëve e municioneve për çetën. Prandaj futen në pushkatim 8 vetë(7 Cami) dhe në burg 19 burra e djem Cami me Ahmet Camin si organizator. Në pushkatim pushkatohen Ejup Shahin Cami, Musa Rahman Cami dhe Mexhit Lezi nga Luznia. Emrat e të arrestuarve e të pushkatuarve janë në Fondin e MPB të atyre viteve dhe në Ditarin e burgut të Ahmet Fet Camit 1941-1942 të burgosur si antifashistë. 

   Çeta e Ahmet Camit ka bashkëpunuar me Çetën e Sllovës e të Grykës së Madhe  dhe të Martaneshit që në vitin 1941, kur janë krijuar ato. Ahmet Cami ka qenë ngarkuar nga dy të deleguarit e KQ të PK, Zoi Themeli e Njazi Islami dhe ka organizuar krijimin e Batalionit Partizan të Dibrës me 26 korrik 1943 ne fshatin Gjoricë, ku Camet ishin të kosiderueshëm. Fasli Fet Cami vritet me 7 prill 1941, Ahmet Fet Cami vritet ne Luftën për mbrojtjen e qytetit të Peshkopise në tetor 1943 nga forcat prej 45 vetë të një çete serbo-malazeze brenda kufirit të Shqipërisë. U vranë e dhe 12 burra e djem Cami. Lëvizja antifashiste në Dibër është organizuar nga dibranët brenda Shqipërisë e jo nga misionarët e ardhur nga Beogradi, siç është shruar e vazhdojnë të shkruajnë ende disa të influencuar prej tyre.

  Dali Ndreu ka qenë zgjedhur z/komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare me 10 korrik 1943 me komandant Spiro Moisiun e pas disa muajve Enver Hoxha. 

   Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë, që udhëhoqi Fronti Nacional Çlirimtarë ka qenë një ndër Luftrat e mëdha të popullit shqiptarë, që u çliruam nga vetë shqiptarët, që u u lidhëm me fitimtarët e aleatë të mëdhenj si BS, SHBA dhe Britania e Madhe. Prandaj Lufta Çlirimtare duhet përkujtuar me Nderime e respektin ndaj luftëtarëve të lirisë, ndaj 24 mijë dëshmorëve që luftuan me heroizëm e derdhën gjakun për çlirimin e mëmëdheut. Në situatat aktuale ku ka disa vatra lufte në botë, ku Serbia po përgatitet për Luftës kundër Kosovës, na duhet të jemi vigjilentë e të përgatitur për te mbrojtur trojet tona, Shqipërinë e Kosovën!

   Dali Ndreu ka drejtuar luftën si oficer karriere dhe më vonë ka fituar gradën gjeneral. Të dënohej e pushkatohej Dali Ndreu si armik e për tentativë arratisjeje, me siguri, ka qenë një alibi e sajuar nga një segment i Beogradit që është shpërblyer prej tyre. Nuk mund të arratisej Dali Ndreu në Beograd, sepse nuk mund të mirëpritej prej tyre për bëmat antiserbe të gjyshit të tij, Elez Isuf Ndreut. Ai ishte i informuar, se Cen Elez Ndreu, që shkoi pas çlirimit në Beograd, ndërroi jetë nga torturat e dhuna e serbëve. Kjo mund të shpjegohet edhe për kryeministrin Mehmet Shehu, që në vitin 1947 ishte përjashtuar nga partia si antijugosllav dhe me kthesën e PK në vitin 1948 rikthehet në parti, që u akuzua si agjent i tyre. Edhe për të kjo akuzë ka qenë një farsë nga segmente të Beogradit, për të akuzuar e njollosur figurat e shquara patriotike shqiptare.

Tiranë, e premte, 15 nëntor, 2024