Fitues i çmimit të Ekselences në Letërsi. 

POEZI NGA POETI MUHARREM KAMANI – PËRMET

  • Poeti Muharem Kamani konkuroi në Festivalin e Shoqatës Botërore të Akademisë së Poezisë që u zhvillua në qytetin e Selanikut me 03 Tetor 2024. Midis konkurentëve dhe çmimeve të tjera që u dhanë ai fitoi çmimin e Ekselences në Letërsi

Muharem Kamani është një nga anëtarët më të vjetër të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” Përmet. U lind më 3.02.1954, në fshatin Shelq të Përmetit, aktualisht banues në Përmet. Krijimtarinë e tij e ka filluar herët, qysh në bangot e shkollës ushtarake, ku vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij ka zënë publicistika dhe ngjarjet e kronikës. Si krijues në poezi ka filluar herët, por libri i tij i parë me lirika doli në dritë në vitin 2002 dhe vazhdon të shkruajë edhe sot. Është një nga poetët më aktivë të Klubit të shkrimtarëve dhe kryen me devotshmëri detyrat në fushën e artit dhe letërsisë. Ka marrë pjesë në disa shkrime në gazetat e ndryshme letrare, si dhe në disa antologji të letërsisë shqipe të viteve të fundit. Aktualisht punon, krijon dhe banon në qytetin e Përmetit.

Për këtë nr. redaksia e gazetës “Veterani” boton disa nga poezitë e tij, përzgjedhur nga botim Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” Përmet, Ligor Shyti.                                                        

  1.  

MË SHFAQEJ NAIMI

Në Frashërin e largët

Mendja më shkon shpesh

Në pyjet me borë

Atje kam një jetë.

Në orët e natës

Lindte frymëzimi

Sa hapja kanatet

Më shfaqej Naimi,

2.

AMANETI I TË RËNËVE

Një grusht Dhe nga toka mëmë

Pikon gjaku i shqiptarit

Amaneti nga të rënët

Më i rëndë se vetë mali.

Si rrëke na derdhen djersët

Truallin tonë të vaditim

Si dëshmorët gjakun derdhën

Dhe lirinë ne ta rritim.

Ja ku janë fare pranë

Në kodrat e historisë

Prehen trimat radhë-radhë

Ne ushtarë të lirisë

Në beteja dhe fitore

Ne u mbajmë prapë në ballë

Lapidarë e përmendore

Brez pas brezi veç të gjallë.

3

HIMN LIRISË

Si na ka ndjekur kjo fjalë

Mbjellë qysh në lashtësi

Që nga Arbrit dhe Dardanët

S’ka ndryshuar dhe tani.

Kemi ardhur nga Ilirët

Dhe ky emër ka kuptim

Ka kuptimin e shqiponjës

Ngritur lart në fluturim.

Ka kuptimin e folesë

Madhështore tek një shkëmb

Që s’pranon asnjë krijesë

Brenda saj të bëjë vend.

Do të na ndjekë kjo fjalë

Larg e në përjetësi

Në shekuj me gjak e larë

E shtrenjta jonë Liri.

4.

BURIMI I NAIMIT

Ngrihet madhështor

Guri shekullor

Guri i Naimit

Pranë rridhte burimi

Ku vinte buzët bilbili.

Te burimi i Naimit

Vuri gjunjët Dritëroi

Piu ujë të lajthinjtë

Prapë burimi gurgulloi.

5.

NË BUZË MBAJ NJË LULE

Oh, bija ime, të lutem

Mos e mbaj lapsin në gojë

Maja e tij është e mprehtë

E helmët si shigjetë e indianëve

Ka diçka prej hekuri të nxehtë

Nga putra e maces mbi koren e plagëve.

Jo lapsin në gojë, bija ime

Një lule do të jetë më mirë

Nuk je taksidare për tatime

Nuk je një burokrate e ngrirë.

Të ngrirëve u mungon dhe koka

Ata veç hijen mbajnë në zyrë

Madje u mungon qielli dhe toka

Të kafshojnë lapsin kanë detyrë.

Ka dhe gjykatës të mjerë

Që krekosen me lapsin në gojë

E njomin lapsin me vrer

Vaj me det mbi kë do të qëllojë.

Mos e mbaj lapsin ashtu, bija ime

Në zemër si ushtë ngule

Pastaj zër e mbaj shënime

Dhe midis buzëve mbaj një lule.

6.

ATJE KU PREHET NËNA

Tek bregu, atje lart te burimi

Dashuria jote më solli, nënë

Aty ku vesa mbulon blerimin

Aty ku eshtrat e tua kanë rënë.

Shpirti dhe zemra më pikon

Vajton si mbi lule vesa e lehtë

Kujtimi m’i sjell lotët përgjithmonë

T’i derdh mbi varrin tënd të thjeshtë.

Lulet për ty, thesar i çmuar

Vijnë të të puthin ëmbël

Tek fle aty e qetë dhe menduar

Poshtë pllakave të gurta si engjëll.

Pranë dëllinjës roje përmbi varr

Qiririn e ndeza si pishtar

Pashë djalin që lule vendosi aty

Dhe ai kishte një lot në sy.

7.

TROKITJET E TUA

Të ndiej si troket tek unë

Me shpërthime ndjenjash dashuri

Veç trokitja jote dashka shumë

Ëndërron të gjithë gjumin tim. 

Veten e ndiej pendë të lehtë

Dhe lodhje nuk kam në punë

Vjen çapi yt aq i shtrenjtë

E zgjon një pranverë tek unë.

Trokitjet e tua më parë s’i njihja

Tani i përkthej në çdo gjuhë

Një det me dallgë të bën dashuria

Pranverë që vjeshtë s’ka kurrë.

8.

KURORË E BUKUR KURORË

Kurorë e bukur, kurorë

Më je si një vetull vajze

Trëndelinë e luleborë

Retë si një fustan dasme.

Ujë i akullt i burimit

Humbet sa të thuash një fjalë

E pinë rojet e kufirit

Poshtë në vjosë do të dalë.

Ja, aty në ato male

Vigjëlojnë djemtë pa gjumë

Dhe bariu lart në stane

Është një kufitar më shumë.

9

QESHU, MBURRU, GJIROKASTËR

Gjirokastër ç’të qesh nuri

Për ty shkruaj me dashuri

O qytet i lashtë prej guri

E kalldrëmtë në histori.

Si Ajzberg i rënë nga mali

Kështjella ngrihet mbi re

Poshtë harqeve të gurtë

Kokulur rrinë armët trofe.

Qeshu, mburru, Gjirokastër

Për bijtë me mendje deti

Sa herë ngjit kalldrëmin lart

Të sjell diçka nga Përmeti.

Të sjell fllade nga Naimi

Argjiro ngritur mbi shkëmb

Shekujt marrin fluturimin

Ti blerim të gurtë gdhënd.

10

DIKUR SI LULE E BRISHTË!

Dikur ish’ si lule e brishtë

Vesë e diellit e spërkaste

Lahej e tëra në dritë

Syri i keq dot s’e kapte.

S’kuptonte pse buzëqeshte

Çdo djali me lakmi

T’i puthte pak syçkat deshte

Të binte në dashuri.

Ishte e urtë porsi një shqerë

Me zemër besoi një djalë

Larg atdheut kokëprerë

E la zogëzën duke qarë.

Pastaj i solli të tjerë

Në kurth krokodili

Vuante, vuante vajzë e mjerë

Tretej, tretej, si qiriri.

U vyshk siç vyshket një lule

Trupin sot e shet për bukë

Ajo malin mban mbi supe

Kur i thonë: prostitutë.