FIGURA E FILOZOFIT DHE PRIJËSIT POPULLOR DINE HOXHA NË NJË KËNGË TË NAIM BERISHËS
MEVLUD BUCI
Drita e veteranëve është drita e atdhetarisë, dritë që e shohim te Naim Berisha, poet, fabulist, shkrimtar e këngëtar. Ai na ka dhuruar këngën – monument për Dine Hoxhën.

Autorët e monografisë “DINE HOXHA– NJë FILOZOS POPULLOR NË OBORRIN MBRETËROR, Halil Rama e Shaqir Skarra, na kanë dhënë në këtë libër një testament fisnikërie për Dibrën, po aq, edhe Naim Osman Berisha e ka lartësuar në këngën e tij “Dine Hoxha me dibranë”.
Kjo këngë epike të emocionon, të ngjall dhe të ndez krenarinë, sepse aty shpërfaqet me mjeshtëri madhështia e kësaj figure, si filozof e prijës popullor, pasqyrohet në të, thirrja për bashkim, si himn lirie.
Katër Grykët, Muhurri e Luzni,
E vranë serbin e hodhën në Dri…
Vargje domethënëse që flasin për përmasat e asaj epoke luftarake, të asaj lufte që vjen përmes këtyre vargjeve sintetikë, që pasqyrojnë një kohë të madhe të bashkimit e të ndërgjegjësimit krahinor e kombëtar.
Ndal mor serb, o bir i shkinës
Jemi Muhurri zemra e Dibrës,
O mor serb, mor i mallkue,
Ktu i thonë vend i bekue..
Dine Hoxha ka ngrit zanin
Bini djem se shkoi vatani,
Ma faroi asqerin e ngratë
Dine Hoxha me muhurrakë
Na e faroi asqerin të tanë
Dine Hoxha me dibranë…
Hajde, hajde, or Dine Aga
Lum ky Muhurri që të paska,
Teksti dhe melodia, zëri i Naim Berishës krijojnë një trinom përfshirës, harmonizues dhe arrijnë ta ngrenë në kreshendo me intonacionin e duhur këtë këngë, e cila shpalos madhështinë e kësaj beteje historike, por edhe të figurës së Dine Hoxhës.
Naim Berisha është një autor i cili ka shkruar poezi lirike, epike dhe tekste këngësh, por ai gjithmonë ka ditur të mbështetet në bukuritë natyrore të trevës së tij e veçmas në folklorin dhe ngjarjet historike, që flasin për qëndresën e malësorëve kundër të huajve.
Vargje të tilla si:
Lum dy Dibrat që të kanë ty/ Dine Hoxha nga nji për shpi…të befasojne, sepse:Jehon Runja e maja e Mollës/ Prej vikamës së Dine Hoxhës…
Vlerësimi që i bën në tekst kësaj figura duket qartë se mbështetet në elementet e formëzimit të ritmit të këngës popullore, dhe tek theksat ritmikë të kësaj kënge, duke alternuar trokaikun me jambikun aty ku duhet.
Kjo këngë si dhe të tjera si kjo, përçon historinë dhe frymën epike –dramatike e sjell një mesazh krenarie e kujtese për një figurë të kombit që nuk harrohet kurrë.