Shtëpia e Bajram Beshirit në Reç të Dibrës, ishte dhe është shtëpi me shumë emër dhe zë. Ajo njihej e njihet, përmendej e përmendet, jo vetëm në Reç e Dardhë, por edhe në Dibër e Kukës, në Mat, Mirditë, etj.

Shtëpia e Bajram Beshirit, me themele të forta, në troje të gurta, ishte vendosur në hyrje të fshatit Kraj-Reç, në një kodër, midis përroit të Sukës dhe përroit të Shqopës, sipër lumit Drin dhe poshtë rrugës nacionale Kukës-Peshkoi. Është një kodër e vogël e në atë kodër të vogël kishte ngritur kullën e kishte shtëpinë një familje e  madhe. Në atë kodër të pjerrët e terren të thyer, gjallnonin njerëz të drejtë, por të pathyer nga asnjë vështirësi e pengesë. Në atë kodër të vogël me pak tokë e ara të varfëra përreth, kishin ngritur e ndërtuar jetën e jetesën e tyre njerëz me zemër të madhe e shpirt të pasur bujar.

Familja e Bajram Beshirit ishte familje e madhe, e shquar për tradita patriotike, atdhetare e liridashëse, por edhe për besë e besnikëri, për mikpritje e bujari. Bajram Beshiri  kishte nëntë djem, por dy prej tyre, Halili dhe Murati, në vitin 1913 u vranë në Bushtricë të Kukësit, në luftë kundër pushtuesit barbar serb. Organet shtetërore kompetente, me vendim të komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit të Dibrës, nr. 72, datë 23 maj 1978, dy vëllezërit Halil Bajram Hysenaj dhe Murat Bajram Hysenaj, janë shpallur DËSHMOR. Emrat e dy vëllezërve dëshmorë, Halil dhe Murat Hysenaj figurojnë të regjistruar në librin e nderit, në regjistrin e dëshmorëve në muzeumin e rrethit të Dibrës.

    Familja e Bajram Beshirit ishte familje shumë e madhe, deri në 65 anëtarë dhe disa breza me radhë, qëndruan e jetuan bashkë deri në vitin 1940. Ishte familje shumë e madhe, por kishte organizim të përkryer. Ishte familje me shumë rregull e disiplinë, ku secili anëtarë i familjes dinte, kryente dhe bënte punën e tij. Në gjithë jetën dhe veprimtarinë e familjes mbizotëronte dashamirësia dhe respekti për njëri tjetrin, harmonia dhe mirëkuptimi.

Duke qënë familje e madhe, ajo kishte edhe rreth të zgjeruar shoqëror e miqësor dhe hyrje-daljet në kullën e tij ishte të pandërprera, të vazhdueshme. Dera e kullës së Bajram Beshirit rrinte e hapur dhe priste, jo vetëm miq e dashamirës të familjes, por edhe njerëz e udhëtarë të panjohur, që i sillte rasti dhe udha , që i zinte nata. Oda e miqëve ishte karakteristike dhe e veçantë. Ajo kishte përmasat 8 m me 8 m dhe kishte sipërfaqe e hapësirë të madhe, të bollshme. Për odën e miqëve kishte personel të caktuar, që prisnin e përcillnin miqtë dhe që kujdeseshin për shërbimin ndaj tyre, ushqimin, fjetjen. Dikush nga familja ishte i caktuar vetëm për kujdesin e kuajëve të miqëve. Në kullën dhe në odën e miqëve të Bajram Beshirit bënte dritë zemra e bardhë dhe shpirti bujar i të gjithë pjesëtarëve të familjes. Mirësia e kësaj familje u bë uratë dhe kjo uratë e bëri këtë shtëpi të begatë.

 Në trojet e Bajram Beshirit u lind dhe erdhi në jetë edhe njëri nga nipat e tij, Mehmet Eles Hysenaj.

* * *

Mehmet Hysenaj u lind më 26 gusht 1927, në fshatin Kraj-Reç të Dibrës. Ai ishte djali i dytë, midis tre djemëve dhe një vajzë të prindërve Eles Hysenaj dhe Merjeme Doçi (nga Macukulli i Matit). Familja dhe ambienti familjar ishin baza e formimit të tij me cilësitë, vlerat dhe virtytet më të mira dhe më të larta njerëzore. Fisniku i fisëm Mehmet Hysenaj u rrit dhe u edukua me dashurinë për njerëzit dhe punën, me vetëdisiplinën dhe korrektësinë në mardhëniet njerëzore, familjare dhe shoqërore. Në shpirtin dhe vetëdijen e tij fëminore ndizej dëshira, por dhe shpresa për shkollë dhe shkollim. Dhe, me kujdesin e mbështetjen e familjes, por edhe të miqëve të familjes, Mehmeti mundi të shkonte, të vazhdonte mësimet dhe të kryente e përfundonte shkollën në internatin e Burrelit.

Ishte rritur me dashurinë për atdheun dhe lirinë e atdheut. Vepra heroike dhe historia e lavdishme e dy xhaxhallarëve të tij, Halil e Murat Hysenaj, që ranë dëshmorë në luftë kundër pushtuesëve serb, e bënte krenar, por dhe i nxiste ndjenjën patriotike dhe të përgjegjësisë për atdheun dhe lirinë e atdheut.

Në vitin 1943 u krijua Çeta e Sllovës me komandant Esat Ndreun dhe, Mehmeti, sapo mori vesh për krijimin e Çetës së Sllovës, hoqi barrën e kashtës që kishte ngarkuar në shpinë dhe i thirri vëllait të tij, Danit dhe i tha:

-Hajde e merre barrën e kashtës , se unë po shkoj të bashkohem me Çetën e Sllovës dhe do të luftoj për lirinë e atdheut.

Mehmeti shkoi në Çetën e Sllovës dhe u tha se donte të bashkohej me ta e të luftonte për lirinë e atdheut, por për shkak të moshës së vogël (ishte vetëm 16 vjeç), nuk mund t’a pranonin e nuk e pranuan, por u justifikuan se nuk kishin pushkë për t’i dhënë atij, por dhe e qetësuan, duke i thënë se sapo të siguronin pushkë, do t’a njoftonin që të vinte e të bashkohej me çetën.

      Mehmeti u kthye i mërzitur në familje dhe u tha se nuk më pranuan në çetë se nuk kishin pushkë për mua. Por më kanë thënë se kur të gjejnë pushkë, do të më njoftojnë që të shkoj e të bashkohem me Çetën e Sllovës. Prindërit i thanë të merrte njërin ka (kaun), t’a shiste në pazar dhe të gjente e të blinte dy pushkë, njërën t’a mbante për vete e tjetrën t’a mbanin rezervë në shtëpi. Dhe, Mehmeti shkoi në pazar, shiti kaun dhe bleu dy pushkë. Njërën pushkë e mbajti për vete  dhe pas një viti, kur u krijua brigada e 18 sulmuese, me komandant Esat Ndreun, Mehmeti, mori pushkën dhe shkoi partizan në këtë brigadë partizane, ku ishte, ku gjeti  dhe ku takoi edhe Beshir Laçin. Në një nga luftimet heroike të brigadës së 18 sulmuese, në kodrat përballë Zerqanit, Mehmeti plagoset, por pas kurimit dhe përmirësimit të plagës, ai i bashkohet brigadës partizane.

Që nga dita që u rrjeshtua partizan në brigadën e 18 Sulmuese në vitin 1944 dhe  deri në fund të jetës së tij në nëntor 1971, Mehmet Hysenaj shërbeu me përkushtim e devotshmëri në radhët e ushtrisë popullore shqiptare.

Pas çlirimit të Dibrës dhe Kukësit, brigada e 18 sulmuese kaloi e luftoi për çlirimin e Prizerenit. Edhe pas çlirimit të Shqipërisë, Mehmeti vazhdoi të shërbente në forcat e brigadës së mbrojtjes së popullit, ku shërbeu deri në vitin 1949.

Në vitin 1949, Mehmeti dërgohet në shkollën ushtarake dhe pas kryerjes e përfundimit të shkollës ushtarake, shërbeu oficer këmbësorie në ushtri në disa rrethe të vendit, si në Tiranë, Kavajë, Pogradec, Kurbnesh, Burrel dhe Shkodër.  Kariera e tij ushtarake arriti deri në shef i shtabit të divizionit dhe më pas, për arsye shëndetësore kaloi në detyrën e shefit të prapavijës së Divizionit..Ndërsa në vitin 1965 mori statusin e invalidit dhe u aktivizua si aktivist në këshillin e lagjes në Shkodër.

     Në Shkodër, Mehmet u takua edhe me dibranin e shquar dhe me cilësi e vlera vitale,  Ahmet Kaçorri dhe u njoh e miqësia edhe me  Abdulla Çangën, ish sekretari i Elez Isufit, i cili kishte njohur nga afër edhe Misim Ahmetin, me vajzën e vogël të të cilit ishte martuar Mehmeti. Abdulla Çanga kishte shumë reputacion shoqëror, por edhe pushtet shtetëror në Shkodër dhe nëpërmjet tij, Mehmeti ndihmoi shumë njerëz, veçanërisht punëtorë dibranë, që kishin nevojë për punë, strehim etj, por dhe nxënës  në shkollën pyjore, pedagogjike, por dhe në Institutin pedagogjik të Shkodrës.

* * *

Kudo që jetoi e shërbeu, Mehmet Hysenaj krijoi dhe la gjurmë të çmuara të sjelljes, qëndrimit, të thjeshtësisë e modestisë, të humanizmit, të korrektësisë, shpirt bardhësisë dhe bujarisë.

Edhe pse kanë kaluar shumë kohë e vite, me shumë respekt e mirënjohje, njerëzit kujtojnë shumë episode nga njohja, kontaktet, ndihma që u ka dhënë dhe bujarinë e Mehmetit. Midis shumë rasteve dhe episodeve, veç të tjerave tregojnë se kur Mehmeti shërbente e jetonte në Pogradec, një pasdite kur ai sapo kishte mbaruar shërbimin dhe ishte kthyer në shtëpi, nga ballkoni i apartamentit të tij në katin e katërt të pallatit, sheh poshtë në trotuar një burrë të veshur me veshje malësore dhe me kësulë të bardhë. Zbriti poshtë dhe ndoqi malësorin, i cili sapo hyri në hotelin e qytetit për t’u regjistruar që të flinte aty atë natë. Megjithëse as nuk e njihte dhe as nuk e dinte se nga është ai burrë malësor, Mehmeti e takoi dhe i tha të mos regjistrohej në hotel, por e ftoi në shtëpinë e tij, që të rrinte tek shtëpia e tij atë natë. Malësori ishte nga Kukësi dhe kishte ardhur në Pogradec të takonte djalin e tij ushtar. Mehmeti, atë natë thirri në shtëpinë e tij edhe djalin ushtar të malësorit kukësin, i dha disa ditë lejë dhe të nesërmen, malësori kukësin bashkë me djalin e tij ushtar u nisën për Kukës.

    Disa vite më parë, njëri nga djemtë e Mehmetit ndodhej në një dasëm në Lurë. Aty në dasëm u njoh edhe me një malësor lurjan, i pranishëm në atë dasëm. Malësori lurjan e fton djalin e Mehmetit,  që të shkonte e të flinte tek shtëpia e tij atë natë. Dhe, sapo arritën në shtëpinë e tij, ai hapi valixhen dhe nxori prej saj një fotografi të Mehmet Hysenajt dhe tregoi se Mehmeti e kishte shpëtuar nga burgu, prandaj fotografinë e tij e ruante dhe do t’a ruante përgjithmonë. Në një rast tjetër, djali i madh i Mehmetit po udhëtonte me makinë dhe në Rrogozhinë ndalon dhe merr në makinë një burrë të panjohur. Gjatë udhëtimit, duke biseduar udhëtari e pyeti se nga je e kush je dhe kur mori vesh se shoferi ishte djali i Mehmet Hysenajt, burri i panjohur nga Pogradeci shpërtheu në lotë dhe i tregoi se si kishte qënë ushtar në Kavajë dhe Mehmeti e kishte shpëtuar nga një rast kritik. E fton në shtëpinë e tij në Spitallë të Durrësit dhe thirri gjithë pjesëtarët e familjes dhe u tregoi se ky është djali i Mehmet Hysenit dhe Mehmet Hyseni më ka shpëtuar nga një rast kritik. Dhe një tjetër rast, kur B. Fana nga Shumbati, ish ushtar tankist dhe ai, fshehurazi komandës kishte ndezur tankun dhe kishte provuar t’a manovronte në terren të thyer. Por nuk kishte mundur t’a manovronte dhe tanku ishte rrëzuar, por dhe ishte dëmtuar. Mehmeti mori vesh ngjarje dhe se autori i ngjarjes ishte nga Dibra. Ngjarja nuk kishte ndodhur në repartin ku shërbente Mehmeti dhe as ushtarin dibran nuk e njihte, por thjeshtë se si ishte dibran, Mehmeti u vu në lëvizje dhe nëpërmjet shoqërisë që kishte e shpëtoi nga përgjegjësia dhe dënimi.

* * *

Vitet e luftës Nacionalçlirimtare, por edhe vitet e para pas çlirimit, deri në vitin 1949 ishin shumë të vështira për Mehmetin. Ai u plagos në luftë, por plaga e plumbit të luftës u shërua. Por marshimet e gjata luftarake në të ftohtë, në ditë e netë me shi, borë e ngrica, mungesa e ushqimit dhe veshjes, prekën e lanë gjurmë të rënda në shëndetin e tij, aq sa as kurimi periodik nuk e rigjeneruan shëndetin e tij, i cili nuk u përmirësua, por vetëm përkeqësohej në vazhdimësi, aq sa në në vitin 1965, kur Mehmeti ishte në moshë të re,  38 vjeç, ai merr statusin e invalidit. Shëndeti i tij vinte duke u dobësuar dhe Mehmeti e shihte se nuk kishte përmirësime dhe e kuptonte se nuk mund t’a ndryshonte fatin e jetës së tij. E parandjente dhe e parashihte fundin e jetës së tij.   Por e shqetësonte dhe e mundonte meraku i  pas vdekjes së tij. Megjithëse në Shkodër kishte jetuar e shërbyer dymbëdhjetë vjet dhe atje ishte stabilizuar, miqësuar dhe  familjarizuar me njerëzit, me lagjen dhe qytetin dhe kishte shumë miq e shokë, përsëri ai shpirtin dhe mendjen e kishte në vendlindje, donte dhe kërkonte vendlindjen. Dhe, shumë kohë para vdekjes dhe  deri në ditën e vdekjes, bashkëshortes së tij i la tre porosi-amanet:

-Trupi i tij të varrosej në vendlindje.

-Pas vdekjes së tij, familja e tij, bashkëshortja bashkë me fëmijët të transferoheshin nga Shkodra dhe të shkonin e të jetonin në Peshkopi.

-Njëri nga djemtë e tij të vazhdonte rrugën e tij, të ndiqte shkollimin ushtarak dhe të vazhdonte karierën ushtarake.

     Në Shkodër,  më 20 nëntor 1971, në moshën 44 vjeç, Mehmet Hysenaj u nda nga jeta, duke lënë në pikëllim bashkëshorten dhe fëmijët e tij, tre djem e një vajzë.

Bashkëshortja e tij, Sulltanë Hysenaj, një grua shumë e zonja, një grua shumë serioze dhe krenare, e fortë dhe guximtare, i’a plotësoi tri porositë -amanet.

Ndonëse ishte fund vjeshte dhe moti ishte i vështirë, me shumë borë e ngrica, trupi i tij i pajetë erdhi dhe u varros në vendlindje. Njëri nga djemtë e tij, Bashkimi vazhdoi dhe kreu  shkollimin ushtarak dhe ndoqi karierën ushtarake deri kur doli në pension. Gjithashtu, familja e tij u transferua nga Shkodra dhe erdhën me banim  në Peshkopi.

Gjatë luftës dhe pas luftës, Mehmet Hysenaj njohu, bashkëpunoi dhe u miqësia me shumë njerëz të thjeshtë, por edhe personalitete të rangut të lartë si Hajri Hoxha, Sulë Baholli, Rrahman Parllaku, Hito Çako, Dilaver Poçi, etj. Në veçanti, gjenerali madhor Hito Çako, në vazhdimësi u kujdes për Mehmetin dhe shëndetin e tij, duke vënë në dispozicion e në shërbim të shëndetit të Mehmetit edhe helikopter ushtarak. Pas vdekjes së Mehmetit, vetë Hito Çako,  u interesua, u kujdes  dhe u angazhua për transferimin e familjes së Mehmetit nga Shkodra në Peshkopi.. Për të liruar një apartament në Peshkopi për strehimin e familjes së Mehmetit, Hito Çako urdhëroi transferimin e një oficeri nga Peshkopia në Berat. Mehmet Hyseni ka marrë vlerësime të larta institucionale, shtetërore. Është dekoruar katër herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Por vlerësimi më i lartë për Mehmetin është respekti dhe mirënjohja e njerëzve ndaj tij.