Nderim dhe homazh kryeprijësit të çetës së Bilbilenjve, kapedanit të paepur Bilbil Shako Shakaj (4.10.1832 dhe ekzekutuar me varje në litar më 28.2.1852)
Heroizmi i çetës së tij të Bilbilenjve në memorjen e kombit shqiptar dhe gjithë Bilbilenjtë e komanduar nga 26 vjeçari që shkoi me vullnet të plotë në zbatim të fermanit të Portës së Lartë të Sulltanatit për të ruajtur nderin dhe krenarinë krahinore të Kurveleshit nga ndëshkimet radikale, ekzekutimet dhe djegiet masive të shtëpive të banorëve të një prej krahinave më vitale të shqiptarizmës. Në kuadër të përgatitjes së dokumentacionit për shpalljen “Dëshmor i atdheut”, sipas pikës “a” të ligjit nr. 109/2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Fshati Rexhin i Kurveleshit është i shquar në histori, ku edhe lindi në fillim të vjeshtës së dytë të vitit 1832 Bilbil Shakaj në një familje me tradita të shquara patriotike dhe atdhetare. Ai u rrit i mëkuar me traditën gojore të papërkulshmërisë dhe të revoltave të herëpasherëshme të fshatit të tij të Rexhinit, të krahinës së Kurveleshit dhe mbarë trevës luftarake të Labërisë. Periudha kur lindi Bilbil Shako përkon me një varg kryengritjesh në gjithë trevat shqiptare, me revoltën e parreshtur ndaj pushtuesve osmanë. Ai shpejt u burrërua dhe i doli në krahë familjes në punët e fushës dhe të malit, por nuk harroi kurrë jataganin dhe dyfekun një traditë si postulat i shekujve për mbrojtje. Fakt është se kur i erdhi koha që të shkonte nizamë e të kryente nizamllëkun formoi çetën e tij të Bilbilenjve duke mos përfilluar ligjin osman të askerlikut. Në moshë të re ishte në shinjestër të përndjekjes së koshareve osmane për mosrespektim të ligjit osman mbi braktisjen që i bëri nizamllëkut. Bilbil Shako Shakaj, shumë shpejt u shndrua në një prijës luftarak popullor, komandant dhe organizator i çetës atdhetare e patriotike që e krijoi vetë dhe e priu vet kundër pushtuesve. Pas rënies në fushën e nderit të kapedan Hodo Nivicës më 1852, Mali i Këndrevicës u bë streha e Bilbilenjve nga ku niseshin aksionet e shumta kundër pushtuesve osmanë.
Çeta e Bilbilenjve ishte e organizuar me rregulla të forta, si repart i vogël operacional. Në luftim me forcat, patrullat bylykët e taboret osmane, radhiteshin mbi 50-60 luftëtarë, nuk ishte një numër fiks për pjesëmarrje në luftime. Armët e Bilbilenjve dëgjoheshin në hapjen e depove të bereqetit, ku çeta e Bilbilit shpërndante produkte për popullin e varfër, prisnin udhën karvanëve, postave të qeverisë (hazinetë). Çdo gjë e bënin për popullin e varfër.
Francezi Ami Boue, vizitor i kohës, në veprën “Turqia Evropiane” shkruan: “Për hajdutët (për kundërshtarët) e Perandorisë Osmane nuk janë të huaja ndjenjat e dashurisë për atdhe, ndjenjat e njerëzimit, të mirësjelljes…luftën çlirimtare. Bilbilenjtë ishin në mbrojtje të popullit. Ata kudo që shkonin ngrinin gjyqet e popullit, për këdo që ishte në shërbim të pushtetit osman. Jeniçerët i dënonin me vdekje, u digjnin pallatet e tyre. Bilbilenjtë një vit pas luftës së parë për Janinën (1854), gjatë 1855 kapën më të rrezikshmin e vilajetit, Ahmet benë, që grabiste popullin e Zagorisë, Pelopogonit e Delvinaqit. Veliu i Janinës në pamundësi për t’i kapur dhe asgjësuar Bilbilenjtë, u dha titullin: “Dervenaga”/roje shëtitës malorë, për ruajtjen e grykave, qafave dhe maleve. Bilbil Shakua me Bilbil Resulin/Sejdiun me çetën e tyre nuk pranuan një detyrë e ofiq të tillë, por e dendësuan më tepër aktivitetin e tyre luftarak.
Çeta faktikisht luftonte bashkëpunëtorët në shërbim të osmanëve, po u dilte në ndihmë të varfërve, kërkonte dhe ujdiste marrëdhënie paqësore me krahinat dhe fshatrat, dhe kjo është e dokumentuar me dokumente arkivore, para 171 vitesh, më 1853. Çeta e Bilbil Shakos u bë shqetësim për qeverinë osmane, e cila urdhëroi dërgimin e një ekspedite ushtarake për ndjekjen dhe asgjësimin e çetës. Ishte një operación i dështuar i osmanëve që zgjati gjashtë muaj; ndërkohë që pas gjysëm viti ndjekjeje në pamundësi për t’i kapur osmanët filluan reprezaljet në popullsinë e Labërisë, vrasjet e djegiet. Për ta shmangur këtë reprezalje masive mbi popullsinë e Labërisë, komandanti i çetës dhe gjithë luftëtarëët vendosën të vetëdorzoheshin tek xhelatët osmanë të ekspeditës ndëshkuese në fund të shkurtit 1858. Në këtë rast arkivat janë këngët e popullit: “Bilbilenjtë e trembëdhjetë,/Në litarë u sosnë vetë,/Për Bilbil e për Resulë,/Shtatë pashallarë u ç’kulë,…,/Shkurti u prishi takëmë,/U hodhi borë të rëndë… Vargjet e tjera sjellin një copëz epope të historisë shqiptare: “Trembëdhjetë male në këmbë,/trembëdhjetë Bilbilenjtë,/trupat varur në Janinë,/nami vajtur në Dovlet,/Kurvelesh ç’i bëre djemtë?,/I rrite me halle shumë,/pa rritur i bëre burra,/me aromë trëndeline,/me ujë pirë nga gurra.,/Një emër trimi u vure,/se trimat një emër kanë,/besën lidhur te flamuri,/per besë në litarë vanë,/fol Bilbil Shakua një fjalë./Dale bej të dredh cigarë,/dal të lidh çepenë mbi ballë,/dal të puth shokët me rradhë,/dal të shoh një herë vatanë.,/për ta malli do më marrë…”.
Në fakt të 13-të luftëtarët u varën në litar në rrepet e Janinës, në qendrën e këtij vilajeti, që kishte një shtrirje në rreth 18,320 km katrorë, nga 87mijë që kishin katër vilajetet në këtë periudhë (vetëm Pashallëku i Ali Pashë Tepelenës shtrihej dikur në 150 mijë km katrorë).
Bilbil Shakua dhe bashkëluftëtarët e tjerë sfiduan vdekjen me qëndrimet e tyre burrërore para litarit, dhe që është kthyer në një legjendë e mit nga këngët popullore, që janë krijuar romane dhe krijimtari artistike. por meritojnë të përjetësohen si fenomen i realitetit të qendresës së shqiptarëve përballë pushtimit osman. Çeta e Bilbilenjve ishte jo një legjendë por një realitet me ndikim të madh në Labëri, Çamëri, Thesproti, e më gjerë. Po kaq e vërtetë edhe fakti që tek rrapi i Janinës, ku u varën trembëdhjetë trimat liridashës, çdo vit bien rrufetë dhe rrapit i digjen degët. Edhe drejtësia hyjnore i nderon trimat, më shumë se përkujdesja njerëzorja, që për shkaqe nga më të ndryshmet e thënë me delikatesë i anashkalon. Strukturat më të larta të shtetit meritojnë që ta kthejnë vëmendjen dhe nderojë me një përmendore bijtë e Labërisë, ndërkohë që piktori Skënder Milori, duke marrë frymëzim nga vepra e çetës trime, e përjetësoi atë në tablo. Amaneti i kapedanëve ishte amaneti mbarëpopullor: ruajtja e truallit arbëror, amanet brezash të kombit.
Prijësi e kapedani i çetës të Bilbilenjve Bilbil Shako nuk vdiq nga jatagani as nga plumbi por nga ekzekutimi me varje në litar në degët e rrapit nga pushtuesit. Edhe pse vdiq me varje në litar Bilbil Shako mbijetoi në histori. Bilbilenjtë nuk i la jashtë vëmendjes e vërteta, këngët, librat që tregojnë për veprimet luftarake të përgjakshme në mbrojtje të shqiptarisë.
Për kryetrimin Bilbil Shako Shakaj është përgatitur një bust në vendlindje, ka këngë, libër e monografi, ka emër rruge, njihet gjerësisht në histori, në Rexhin, në Labëri, në krejt qarkun e Prefekturën e Gjirokastrës dhe në mbarë vendin edhe përtej trojeve aktuale shqiptare aty në rrethinat e Janinës, ku ka edhe eshtrat në një varr të përbashkët për të gjithë Bilbilenjtë, që shkruan epope nderi e lavdie për kombin shqiptar. Për më shumë këta trima ngelen në këngë të ngritur më 1858:”..Shkurti u prishi takëmë,/U hodhi borë të rëndë…/Bilbilenjtë trembëdhjetë, vanë në litarë vetë..”. Për komandantin e çetës së Bilbilenjve Bilbil Shako Shakaj është përgatitur propozim i posaçëm nga Dega e Labërisë së Tiranës, SHHUSH, Shoqata “Rexhini”, Kryepleqësia e Rexhinb, bazuar në nenin 5, “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”, pika “a” të ligjit nr. 109/2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, që thotë: “Dëshmorë të Atdheut shpallen: “a). personat, të cilët kanë humbur jetën për lirinë, pavarësinë kombëtare dhe mbrojtjen e territoreve shqiptare apo në përpjekje për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe para datës 28 nëntor 1912”. Në fakt që të gjithë Bilbilenjtë meritojnë të shpallen me titullin e lartë të nderit “Dëshmorë të Atdheut” dhe konkretisht për gjithë “Robin Hood-ët” shqiptarë të Labërisë: Bilbil Shako Shakaj, Bilbil Resuli (Sejdiu), Avdul Qëndro, Kasëm Qëndro, Avdul Gaxha, Islam Goxha, Dalip Gana, Hasan Guga, Hysen Çulli, Hamzo Canaj, Myslim Abazi, Rexho Çela, Zubo Çulli. Duke pasur mirëkuptimin të Prefekturës Gjirokastrës, besojmë se edhe Ministria e Mbrojtjes si struktura përgjegjëse për dëshmorët do ta finalizojë këtë nismë konformë korrnizës ligjore për dëshmorët në vendin tonë.