Fadil Hoxha që ishte i vetmi hero i gjallë shqiptar në Jugosllavi, nuk qëndroi jashtë rrjedhave të lëvizjes çlirimtare të popullit tonë, ishte nga shtytësit dhe përkrahësit e luftës së armatosur për realizimin e të drejtave për liri, vetëvendosje dhe pavarësi dhe publikisht përshëndeti shfaqjen e UÇK-së

Nga Bashkim Hisari

Fadil Hoxha, Hero i popullit, ishte një figurë me cilësi dhe vlera të veçanta i politikës shqiptare në Kosovë. U shkollua në Shqipëri, në gjimnazin e Shkodrës dhe në Normalën e Elbasanit ku u formua ideologisht dhe intelektualisht, kurse politikën e ushtroi në Kosovë. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore themeloi Çetatë Partizane Nacionalçlirimtare të Maleve të Sharrit, Aradhat e para Partizane shqiptare “Zenel Ajdini” dhe “Emin Duraku”. Ishte prijës dhe Komandant i Shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacionalçlirimtar të Kosovës, e cila me rreth 55 mijë luftëtarë, iu bashkua koalicionit antifashist që u kundërvuan dhe luftuan nazi-fashizmin për të ndalur agresionin e fuqive të boshtit gjerman, italian dhe japonez.

Përcaktimi politik dhe ideologjik i Fadil Hoxhës ishte i mbështetur në pozitën e rëndë të shqiptarëve të cilët në vazhdimësi kërcnoheshin me shumë rreziqe, padrejtësi, dhunë, e madje, edhe me forma të gjenocidit.

Fadil Hoxha ishte përfaqësues emblematik në organizimin e ngjarrjeve historike për popullin shqiptar. Ishte ideator dhe organizator i Konferencës themeluese të Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dugagjinit të Bujanit ku u miratua një dokument-rezolutë që  afirmoi të drejtën  për vetëvendosje dhe u votua  për bashkim me shtetin amë Shqipërinë.

Më se gjysëm shekulli ushtroi funksione të larta politike dhe shtetërore. Në një kohë që është karakterizuar me ngjarje të mëdha, Fadil Hoxha, me idetë dhe qëndrimet e tij politike ishte emër i shquar. Qëndroi në ballë të lëvizjës politike e shoqërore të zhvillimeve kulturore e arsimore të popullit shqiptar të Kosovës dhe me këmbëngulje e guxim u angazhua për çlirimin nga trysnia e huaj, për liri, barazi dhe shtetësi.

Në ngjarjet historike që pasuan pas luftës kur shumë prej politikanëve serbosllavë, vazhdonin të jenë frymëzues të nacionalizmit serbomadh dha zhvillonin aktivitete të ndryshme për të shkelur të drejtat dhe formimin e vetëdijes të shqiptarëve dhe për këto qëllime lansonin pohime që fshehnin dhe shtrembëronin të vërtetën, Fadil Hoxha më së miri vrejti se ata, me shpifje e urretje zbatonin masa ndëshkuese, krijonin zemërim, pakënaqësi dhe minimizonin shpresën për një të ardhme më të mirë për shqiptarët. Andaj, duke shërbyer  në pozita të rëndësishme në administratën  jugosllave ai, me këmbëngulje kundërshtoi padrejtësitë, dhunën dhe format e gjenocidit.që kërcnonin seriozisht popullin shqipëtarë dhe kërkonte më shumë barazi e të drejta nacionale si dhe u angazhua për zhvillimin e demokracisë dhe rritjen e nivelit ekonomik të Kosovës. Theksonte se këto të drejta, populli shqiptar i kishte fituar me pjesëmarrje në LANÇ dhe revolucion që ishin të njohura edhe ndërkombëtarisht.

Synimet për zgjidhjen e çështjes nacionale në dritën e LANÇe dhe për bashkim me Shqipërinë në bazë të drejtës për vetëvendosje, Fadil Hoxha ua parashtroi funkcionarëve në nivelet më të lartë jugosllave.

Më 21 shkurt 1945 debaton me Edvard Kardelin, revolucinarin jugosllav dhe baskëpuntorin më të afërt të Titos, ku pos tjerash thot:  “Mos lejoni që Kosova të ndahet si Sanxhaku në mes të Serbisë dhe Malit të Zi. Le të fitoi drejtësia dhe lufta jonë e drejtë”.

Si antar i dy Kryesive të Federatës jugoslave, publikisht kërkoi që Kosova të ketë flamurin zyrtar, stemën, festën e vet shtetërore dhe gjuha shqipe të jet gjuhë zyrtare e detyruar etj. Fadil Hoxha theksonte: “Flamuri i Kosovës nuk duhet të jet një flamur i trilluar. Në Kosovë shumica janë shqiptarë dhe flamuri duhet të jet shqiptarë. Fati i Kosovës është në duar të klasës së saj punëtore, të punonjësve të saj dhe të të gjithë qytetarëve të saj. Kosova ka fituar status të këtillë me luftën e vet gjatë LANÇ”.

Duke përshkruar paraqitjet e Fadil Hoxhës në forumet më të larta politike në Jugosllavi, sociologu slloven Sergej Flere, profesor në Universitetin e Mariborit, autor i librit “A duhej të vdiste Jugosllavia?” deklaron se: ”në seancën e Kryesisë së KQ të LKJ ku shfaqja e flamurit shqiptar është trajtuar si problem, Serbia nuk e ka lejuar fare, Fadil Hoxha ishte i frustruem nga fakti që shqiptarët u penguan të shfaqin flamurin e tyre në fillim të viteve ‘70. për ç’arsye ai ka liruar stresin, dhimbjen dhe lotët”.

Fadil Hoxha u angazhua për hapjen e horizonteve të reja të dijes, për emancipimin e përgjithshëm të arsimit, për zgjërimin e fushë veprimeve të lirisë që reflektohej me shërbimet dhe veprimtarin e tij praktike politike, Synimi i tij ishte emacipues brenda limiteve të pushtetit serbomadh, ku kërkonte hapsira për të drejtat shoqërore e kombëtare të shqiptarëve dhe një horizont më të gjerë të lirive për të drejtat politike, ekonomike, kulturore dhe sociale të shqiptarëve. Në këtë kontekst, ndër arritjet më me vlerë të Fadil Hoxhës ishte Kushtetetuta e vitit 1974. Me të cilin, Kosova ngritet në entitet të fortë juridik në federatën jugosllave. Ishte ërkrahës i denjë i marsheve, protestave  e grevave të urisë të minatorëve të Trepçës në vitet 1988-1989.

Fadil Hoxha që ishte i vetmi hero i gjallë shqiptar në Jugosllavi, nuk qëndroi jashtë rrjedhave të lëvizjes çlirimtare të popullit tonë, ishte nga shtytësit dhe përkrahësit e luftës së armatosur për realizimin e të drejtave për liri, vetëvendosje dhe pavarësi dhe publikisht përshëndeti shfaqjen e UÇK-së.

Në veprën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ”Historia e Shqiptarëve”, Fadil Hoxha konsiderohet veprimtar politik i rëndësishëm për Kosovën dhe për shqiptarët, organizues  e drejtues i LANÇ, besnik i idealit të lirisë njerëzore e kombëtare dhe burrështeti i dalluar i Kosovës dhe i shqiptarëve.

Në një rrëfim për media, gjenerali Rrahman Parrllaku, Hero i Popullit dhe Nderi Kombit i cili gjatë LANÇ luftoi në Kosovë dhe viset tjera të ish Jugosllavisë, mes tjerash tha: -“Për mua, Fadil Hoxha është më i madhi i të gjithë shqiptarëve, qofshin në Shqipëri apo në Kosovë”.

Studiuesit e angazhuar në studime të thella në fushën e historisë, politikës, drejtësisë e sociologjisë, poashtu vlerësojnë lartë personalitetin e Fadil Hoxhës dhe kontributin e tij në zhvillimin e gjthëmbarshëm të popullit shqiptar. Akademik Rexhep Qosja thekson se:” Fadil Hoxha gati  një gjysëm shekull ushtroi ndikim të madh në jetën politike dhe shoqërore të shqiptarëve dhe, në përgjithësi, në zhvillimin politik në Kosovë dhe ishte politikani dhe shtetari shqiptar që, deri në fund të jetës, ishte i çmuar dhe i dashur në popull”.

Në librin e tij “Fadil Hoxha siç e njoha unë”, Akademik Ekrem Murtezai, veç tjerash shkruan: -“Fadil Hoxha për shqiptarët ka bërë tërë atë që ka qenë e mundur në kushtet mjaft të pavolitshme ekonomike, politike, kulturore dhe ndërkombëtare, duke dhënë optimumin e mundshëm brendapërbrënda sistemit”.

Për Akademik  Pajazit Nushin, Fadil Hoxha ishte: “ dashamir i madh i zhvillimit të arsimit e shkollës shqipe, i zhvillimit të kulturës kombëtare dhe i mendimit  shkencor. Ishte këmbëngulës për hapjen e Universitetit të Prishtinës”. Akademik Jusuf Bajraktari, poashtu vlerëson lartë figurën e  Fadil Hoxhës: -”Ishte personalitet historik në 50 vjetët e fundit në luftë për çlirim e vetëvendosje, ndërtim e shtetformim të Kosovës”.

Ndërkaq, Prof.dr. Zejnullah Gruda thekson se: -“Përcaktimi i Fadil Hoxhës në anën e forcave antifashiste ishte shërbimi më i mirë kauzës së popullit”. Edhe mendimtarë të huaj që merren me studime historike të popullit shqiptar, Fadil Hoxhës i kanë dhënë vend të merituar, sikurse është edhe historiani i Britanisë së Madhe  Noel Malkolm.

Të gjitha faktet dëshmojnë se Fadil Hoxha ishte një politikan aktiv dhe i guximshëm, vizionar dhe strateg, politikisht dhe moralisht i vendosur të luftoj për pikëpamjet e tij. Andaj, që nga Lufta e Dytë Botërore, deri në vdekje, ka qenë i ndjekur nga sherbimet sekrete serbo-jugosllave, OZNA dhe UDB-ja duke u akuzuar si separatist, inspirator e bartës i nacionalizmit shqiptar, dhe është kërcënuar me burgosje si dhe është shkarkuar nga të gjitha postet e larta.

Marrëzisht, kohëve të fundit po shfaqen individë që me orvatje të kota në portale kanë zell të njollosin LANÇ bashkë me figurën dhe veprën e heroit të popullit Fadil Hoxha. Me gënjeshëtra ekstreme, mashtrime dhe falsifikime të histories, pa fakte e me dobësitë e tyre tradicionale dhe dogmatike, përpiqen të popullarizojnë injorancën dhe t’a përdorin si instrument për qëllime personale politike. Të vërtetat janë ato që janë, jo ato që dikush dëshiron të jenë.  Fadil Hoxha ishte figurë emblematike dhe mbetet në histori si personalitet i madh që bëri gjëra të mëdha për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.