Rruga e lavdishme e Brigadave të 20-të, 22-të dhe 23 Sulmuese Partizane
Vlerat antifashiste nuk vjetërohen kurrë. Ato qëndrojnë në themel të lirisë, të përparimit, të kontributit tonë në NATO, për paqen, sigurinë e stabilitetin në rajon e në botë, në themel të rrugëtimit europian të Shqipërisë
Më 9 shtator, veteranët e LANÇ dhe pasardhësit e tyre do të jenë shpirtërisht në Protopapë, Maliq, Korçë, Pogradec, Elbasan, Librazhd, Zvezdë, Qafë-Thanë, Përrenjas, Domozdovë, në grykat e Xhyrës dhe kudo ku kanë luftuar e fituar partizanët e Brigadës XX Sulmuese.
Brigada XX u formua në Protopapë, më 9 shtator 1944, prej bashkimit të batalionit të famshëm “Tomorri”, me batalionet e tjera që vepronin në këto krahina, si “Reshit Çollaku”, “Hakmarrja”, “Fuat Babani” dhe “Skënder Çaçi”.
Asaj iu bashkuan qindra vajza e djem të rinj nga Korça, Skrapari dhe Elbasani, të cilët formuan sëbashku këtë formacion partizan, të njohur për vitalitetin, trimërinë dhe heroizmin e pashoq. 1200 partizanët e Brigadës XX, siç shkruan historia e Luftës, nuk kanë në bilancin e tyre asnjë betejë të humbur. Vetëm një ditë pas krijimit, më 10 nëntor 1944, partizanët e Brigadës XX hynë në Librazhdin e çliruar dhe një javë më vonë, më 17 nëntor, në Elbasanin e çliruar. Populli i Elbasanit, Librazhdit dhe gjithë krahinave të tyre do t’u jetë mirënjohës përjetë vajzave e djemve të kësaj brigade, të cilët i çliruan ato nga okupatori nazi-fashist dhe bashkëpunëtorët e tyre vendas.
Brigada XX ishte pjesë e uraganit të fuqishëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, e cila çliroi Shqipërinë nga pushtuesit nazi-fashistë dhe tradhëtarët vendas.
Ushtria e partizanëve shqiptarë luftoi denjësisht në krah të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ushtrisë së Kuqe, Ushtrisë së Britanisë së Madhe, të Francës dhe vendeve të tjera të koalicionit antifashist. Ishin partizanët shqiptarë, këta kalorës të çlirimit e të lirisë, që e vendosën Shqipërinë në anën e drejtë të historisë, në krah të forcave antifashiste e çlirimtare. 9 shtatori, është dita të kujtojmë se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe vlerat antifashiste nuk vjetërohen kurrë. Ato qëndrojnë në themel të lirisë, të përparimit, të kontributit tonë në NATO, për paqen, sigurinë e stabilitetin në rajon e në botë, në themel të rrugëtimit europian të Shqipërisë.