Kujtojmë në këtë 80 vjetor të krijimit të saj ish komisarin e saj, të paharruarin Nimet Ymeri, i cili na ka lënë pas, si një testament të vyer librin e tij “Nga Peza në Vishegrad”
Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSh, me 18 Shtator 1944, në Pezën heroike të komandantit legjendar Myslim Peza, u krijua Brigada 22 Sulmuese partizane e ushtrisë shqiptare. Aty te sheshi i gjelbëruar para shtëpisë së komandantit të Çetës së parë antifashiste në Shqipëri e Europë, Babë Myslimi, ishin të rreshtuar në formacion të rregullt, të ndarë në batalione e kompani, 1127 partizanë.
Në këtë ceremoni morën pjesë komandanti trim Myslim Peza, përfaqësuesja e Komitetit Qendror të PK Naxhije Duma, përfaqësuesi i ShP të UNÇSh, Kristo Themelko, i cili edhe përshëndeti me këtë rast. Për drejtimin e Brigadës 22 Sulmuese, u caktuan: Komandant i Brigadës, komunisti Sali Verdha. Zëvendëskomandant i Brigadës Shaban Rexha. Komisar i Brigadës, komunisti Tonin Jakova. Zëvendëskomandant i Brigadës, Sadik Bocaj. Komandant i batalionit të parë, Muharrem Kokomani (i cili pas disa ditësh caktohet komandant i Brigadës 23 Sulmuese partizane). Komisar i batalionit të parë komunisti Shim Kolli. Komandant i batalionit të dytë, Sotir Spiro. Komisar i batalionit të dytë, Xhevdet Petrela. Komandant i batalionit të tretë, Ymer Hoxha. Komisar i batalionit të tretë, komunisti Hysen Ballhysa. Komandant i batalionit të katërt u caktua komunisti Nimet Ymeri, i cili në nëntor 1944 caktohet komisar i brigadës 22 Sulmuese, deri në 15 dhjetor 1945. Sadik Bocaj u caktua drejtues i organizatës së partisë të Brigadës 22 S, e cila kishte 75 anëtarë të PK. Iliaz Reka u caktua drejtues i Rinisë të Brigadës 22 Sulmuese.
Për rreth 20 ditë Brigada e 22 Sulmuese zhvilloi luftime në zonën e Tiranës, Kavajës, Peqinit, Durrësit, Shijakut për eleminimin e elementëve kriminalë të Ballit Kombëtar, për forcimin e pushtetit të ri të këshillave nacional-Çlirimtare dhe dorëzimin e pushtetit, komandave të vendit.
Me datën 6 e 7 tetor 1944, Brigada e 22 Sulmuese ishte pozicionuar në fshatin Gropje të Tiranës nga ku mori urdhërin luftarak për marshim për në veri të Shqipërisë, duke kaluar në zonën e malësisë së Krujës, me luftime të ashpra çliron Shpalin, kryeqendrën e bajraktarëve të Mirditës, shpartalloi forcat e reaksionit të Gjon Markagjonit, dhe të Kol Bibë Mirakës. Luftime të ashpra u zhvilluan në Fan, Gëziq, Gjegjan, Kryezi, ku ra heroikisht pionieri 14 vjeçar Met Hasa, partizani Rexhep Kodra (Fortuzi), si dhe u plagosën partizanët Fatime Pullazi, Sherbet Karuli, Shkurt Pajona, Etem Kalaja, Zydi Mustafa, Haxhi Grori, Asllan Istrefi, Stavri Goreja. Luftime të ashpra u zhvilluan gjatë muajit nëntor 1944, në zonën e Mirditës e të Pukës, dhe më 21 nëntor Puka çlirohet. Pas kësaj, Brigada e 22 S, niset drejt Shkodrës, ku ishin përqëndruar edhe brigadat e 6-të dhe e 7-të.
Me luftime të ashpra në datat 26-27-28 nëntor dhe në mëngjezin e datës 29 Nëntor 1944 Shkodra dhe e gjithë Shqipëria ishte e çliruar plotësisht nga pushtuesi nazistë gjermanë.
Në orën 10.00 paraditen e 29 Nëntorit në Shkodrën e çliruar ngrihet flamuri i lirisë, ku zëvendëskomisari i batalionit Irfan Çelkupa mban një fjalim emocionues para popullit shkodran e partizanëve.
Pas 3-4 ditësh pushimi në Shkodër, Brigada e 22 Sulmuese, niset me urdhër të komandës e ShP, për të kaluar kufijtë shtetërorë në ndihmë të popujve të Malit të Zi dhe Bosnjes.
Me luftime të ashpra forcat partizane kalojnë kufirin shtetëror, dhe në Deçiq bien heroikisht partizanët trima dëshmorë të atdheut Xhemal Zanaliu, Demir Milaqi, Rahman Myrta, mitralieri trim Qazim Alimehmeti, dhe më 6 dhjetor 1944 u çlirua qyteti i Tuzit. Në këto luftime ranë në fushën e betejës shumë partizanë dhe gjermanët pësuan humbje të rënda. Pas çlirimit të Podgoricës brigada e 22 S, niset për luftime drejt Bosnjes jugore në mes të një dimri të egër, me dëborë, dhe acar.
Nga 31 dhjetori ’44 deri më 5 janar 1945 arrijnë në afërsi të Suhagorës; çlirojnë Goleshin dhe Plavien, dhe pas pak ditësh çlirojnë Vishegradin. Ranë heroikisht 12 partizanë, Zyber Jancari, Naum Shamia, Ramazan Ismil Gjuzi, Ramazan Dervish Habili, Thoma Koli Filipi, Haxhi Selim Maloku, Ibrahim Myrteza Brahja, Ferhat Haxhi Berberi, Riza Pëllumb Leshteni, Sulejman Rexhep Rexha, Nebi Ramazan Hoxha, Rustem Ibrahim Dervishi.
Me çlirimin e Vishegradit, Brigada e 22 S, kthehet për në Kosovë dhe më 12 mars ’45 arrijnë në Mitrovicë. Me 3 mars përqëndrohet në qytetin e Vuçiternit. Më 4 prill ’45 bëhet ceremonia e varrimit e Rexhep Zunës, komandant i brigadës 22 S, i cili vdiq në spitalin e Mitrovicës dhe Neshat Hysi caktohet komandant i brigadës. Për aq sa ishte në Kosovë brigada ndihmoi në stabilizimin e situatës atje.
Në ditët e para të qershorit 1945 brigada kaloi në tokat shqiptare të Maqedonisë në ndihmë të këtyre krahinave dhe për pastrimin e bandave kriminale të Adem Ali Basharit, Gjon Markagjonit e Pashuk Bibës. Më 7 dhjetor ’45 mbërrin në Elbasan e përqëndrohet në kazermat e Krastës. Këtu përfundoi misioni i saj heroik. Nga efektivi prej 1400 partizanësh, dhanë jetën 107 partizanë. Brigada përshkroi një rrugë prej 3500 kilometrash. Kujtojmë mes të tjerash në këtë rast ish komisarin e saj të paharruarin Nimet Ymeri, i cili na ka lënë pas, si një testament të vyer librin e tij “Nga Peza në Vishegrad”.