Fjala në promovimin e librit “30 VJET OBVL-HISTORI SUKSESI” të bashkëautorëve Halil Rama dhe Sakip Cami

E prita me kënaqësi të veçantë ftesën për të qenë e pranishme në kremtimin e 30 vjetorit të Organizatës tuaj dhe promovimin e librit të bashkëautorëve Halil Rama e Sakip Cami, kushtuar këtij eventi historik.
Më lejoni që në fillim t’ju uroj përzemërsisht:
Gëzuar këtë jubile të lavdishëm të organizatës tuaj!
Kam patur fatin të njihem nga afër me, gjeneral Parllakun që e drejtoj për dy dekada me përkushtim të rrallë OBVL-në dhe të mësoj shumë nga përvova e tij, si një nga komandantët legjendarë të njësive kryesore të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe të Ushtrisë Shqiptare.
Sot e përkujtojmë atë si sfidantin e tri kohërave, gjeneralin legjendar që bëri epokë. Ai doli fitimtar nga lufta antifashiste nacional-çlirimtare, doli gjallë nga burgu komunist, doli fitimtar në betejën për pavarësinë e Kosovës dhe para 5 vitesh ishte gjenerali më i vjetër, por me mendjen e re që mbështeste anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe të ushtrisë shqiptare. Me gjeneral Parllakun ndihemi krenar të gjithë.
Po ashtu, kam njohur dhe vlerësoj kontributin e dhjetra themeluesve të organizatës tuaj, për pjesëmarrjen aktive gjatë LANÇ, ish-gjeneralë e kolonelë që luajtën rol të rëndësishëm në krijimin dhe konsolidimin e ushtrisë e të shtetit shqiptar.
Më së miri vlerësohet roli dhe kontributi i tyre, si dhe i 15 mijë anëtarëve të organizatës tuaj që milituan në të gjatë 30 viteve, duke përmbushur misionin e saj historik, të ruajtjes, mbrojtjes e zhvillimit të vlerave të të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve fashistë italianë e nazistëve gjermanë, nga më të lavdishmet për liri e pavarësi të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Ballkan dhe që e renditi Shqipërinë përkrah fituesve të Luftës së Dyë së Botërore.
Ato pasqyrohen më së miri në librin e bashkëautorëve Rama e Cami, të cilët gjej rastin t’í falenderoj për këtë vepër enciklopedike me rëndësi shumëdimensionale, që hyn me dinjitet në fondin e letërsisë sonë dokumentare. Në 80 vjetorin e çlirimit të atdheut dhe 30 vjetorin e OBVL, ky libër modest është një kontribut për të njohur të kaluarën e lavdishme, për të vlerësuar të sotmen dhe për të projektuar të ardhmen.
Me këtë rast dua t’ju falenderoj ju pasardhësve për vazhdimin e veprës së veteranëve të LANÇ, e në veçanti Znj. Tatjana Parllaku, të cilën pata fatin ta njihja e të bashkëpunoja ngushtë me të për 10 vjet kur ishte si Ndihmëse për arsimin, kulturën, shëndetësinë dhe shkencën, pranë Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ajo ka qenë pjesë e Grupit të Punës në mbrojtje të Monumenteve të Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore të Republikës së Shqipërisë, duke kontribuar në përfshirjen e qyteteve të Gjirokastrës dhe të Beratit në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Duke përfunduar më lejoni t’ju uroj sërish:
GËZUAR 30 VJETORIN E OBVL-së!
SUKSESE TË MËTEJSME NË MISIONIN TUAJ HISTORIK!
Faleminderit.